Disa nga kryebashkiakët e djathtë kanë zhvilluar gjatë ditës së sotme një takim me ambasadorin e Italisë në vendin tonë, Alberto Cutillo.
Këtë takim e ka bërë të ditur Voltana Ademi, me anë të një statusi në Facebook, ku shprehet se të pranishëm ishin edhe kryebashkiakët Xhelal Mziu, i Kamzës dhe Agron Kapllanaj, i Mallakastrës.
Dy ditë më parë, Ademi iu drejtoi një letër gjithë ambasadorëve të huaj në Tiranë, duke iu kërkuar të ngrenë një komision ndërkombëtar që ajo mos të dorëzojë detyrën, te pasardhësi socialist i zgjedhur nga 30 qershori.
Në statusin e saj, ajo e falenderon ambasadorin që i ktheu përgjigje letrës së saj teksa shkruan se:
“Gjetëm vëmendjen e tij të plotë për çfarë diskutuam dhe çështjet e rëndësishme që ngritëm, për funksionimin normal të sistemit demokratik në përgjithësi dhe të qeverisjes vendore në veçanti”.
Postimi i plotë:
Falenderoj përzemërsisht Ambasadorin e Republikës së Italisë në vendin tone SHT Z. Alberto CUTILLO për përgjigjen ndaj letrës që unë, si kryetare e Bashkisë dhe qytetare e Shkodrës, i dërgova si përfaqësues i një vendi mik dhe me lidhje të ndërsjellta shekullore.
Në Ambasadën e Republikës së Italisë me Z. Ambasador, bashkë me kolegët z. Agron Kapllanaj kryetar i Bashkisë Mallakastër dhe z. Xhelal Mziu, kryetar i Bashkisë Kamëz, zhvilluam një bisedë tejet konstruktive, ku përcollëm të gjitha shqetësimet tona tashmë të njohura e publike.
Gjetëm vëmendjen e tij të plotë për çfarë diskutuam dhe çeshtjet e rëndësishme që ngritëm për funksionimin normal të sistemit demokratik në përgjithësi dhe të qeverisjes vendore në veçanti. #FaleminderitAmbasadorCutillo.