Prokuroria ka marrë dëshminë e 6 mjekëve e infermierëve nga spitali i Traumës, për të hedhur dritë mbi rrethanat e vdekjes së Lear Kurtit pas shoqërimit në polici.
Ata kanë qëndruar 3 orë në Prokurori, dhe sipas kartelës rezulton se 32-vjeçari mbërriti pa shenja jete në spital. Mjekët kanë dhënë ndihmë mjekësore, por ka qenë e pamundur që të kthehet në jetë.
Prokuroria është duke ekzaminuar pamjet nga kamerat e spitalit të Traumës. Deri tani, mjekët rezultojnë pa shkelje ligjore.
Vdekja e Lear Kurtit është mbuluar me mister. Opozita dhe familjarët hedhin akuza se i riu është dhunuar në komisariat, e ndërsa ditën e sotme, Prokuroria e Tiranës ka njoftuar se ka nisur hetimet deri në zbardhjen e plotë të ngjarjes së rëndë, duke konfirmuar se në stomakun e Lear Kurtit është gjetur qese me gjurmë kokaine.
Lear Kurti ndërroi jetë në 19 tetor, pasi u ndalua nga policët e patrullës së Komisariatit numër 3.