Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka premtuar se kjo forcë ka një model ekonomik të qartë, që do të sjellë rritje punësimi dhe mirëqënieje, si dhe do të ulë koston e jetesës. Në fjalën e tij në Konventën Kombëtare, Meta tha se rritja e prodhimit do të mbështetet nga rritja e investimeve publike produktive, dhe nga rritja e investimeve private. Sakaq, modeli ekonomik do të mbështetet në përdorimin me efektivitet të fondeve publike, duke rritur investimet dhe shpenzimet sociale, me qëllim themelor rritjen e mirëqenies së qytetarëve të të gjitha shtresave.
“Ne kemi një model ekonomik shumë të qartë në programin e Partisë së Lirisë. Modeli ynë ekonomik do të balancojë rritjen e prodhimit me rritjen e konsumit. Rritja e prodhimit do të mbështetet nga rritja e investimeve publike produktive, dhe nga rritja e investimeve private.
Modeli ekonomik do të mbështetet në përdorimin me efektivitet të fondeve publike, duke rritur investimet dhe shpenzimet sociale, me qëllim themelor rritjen e mirëqenies së qytetarëve të të gjitha shtresave.
Modeli ynë ekonomik nuk do të lejojë kurrë marrjen e borxheve për investime fasadë, të cilat kanë ulur produktivitetin e borxhit.
Modeli ekonomik i Partisë së Lirisë vendos në qendër qytetarin, si përfitues të rritjes ekonomike, të përfitimit nga shfrytëzimi i burimeve natyrore, të përfitimit nga investimet publike dhe nga të ardhurat e taksave që ata vetë paguajnë.
Rritja e punësimit dhe e mirëqenies, dhe ulja e kostos së jetesës do të jetë në qendër të politikës ekonomike, dhe përgjigjja më e fortë ndaj varfërisë”, tha Meta.