Ish-ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, duke folur në studion e “Log.” në ABC u ndal tek standardet e policisë, ku u shpreh se në asnjë vend të botës, nuk ndalohesh nga policia pa asnjë arsye, por ndryshe ndodh në Shqipëri.
Sipas tij, policia në Shqipëri nuk ecën me logjikë dhe me dyshime, por me idenë se nëse ndalojmë sa më shumë persona do kapim persona të inkriminuar.
“Policia sot të ndalon kot. Nuk ndodh në asnjë vend të botës. Është anti koncept. Hajt se po i ndalojmë shumë se do dali diçka. Policia duhet të punojë me inteligjencë”, tha Lleshaj.
Vrasja e Lear Kurtit është mbuluar me mister. Kjo ka ardhur si pasojë e deklaratave kontradiktore që kanë pasur në fillim mes policisë, AMP-së si edhe spitalit të Traumës. Opozita dhe familjarët hedhin akuza se i riu është dhunuar në komisariat, e ndërsa Prokuroria e Tiranës ka njoftuar se ka nisur hetimet deri në zbardhjen e plotë të ngjarjes së rëndë, duke konfirmuar se në stomakun e Lear Kurtit është gjetur qese me gjurmë kokaine. Sipas ekspertizës, Lear Kurti ndërroi jetë mbrëmjen e 19 tetorit nga arresti kardiak që iu shkaktua si pasojë e overdozës, pasi gëlltiti qesen me kokainë, veprim që mendohet ta ketë bërë nga frika se mos e kapte policia me drogë.