Presidenti Bajram Begaj do të zhvillojë takimet e fundit me përfaqësuesit e partive politike, sa i përket caktimit të një date për zgjedhjet vendore të 2023. Sot në Presidencë ka shkuar Taulant Balla, kreu i grupit parlamentar të PS-së dhe më pas do të jetë edhe Shpëtim Idrizi nga PDIU.
Zgjedhjet vendore të 2023 priten të mbahen nga periudha 14 prill-14 maj. PD-ja e Berishës dhe mazhoranca kanë rënë dakord për 14 majin.
Presidenti i vendit, Bajram Begaj, një ditë më parë nisi takimet për t’u konsultuar me krerët e grupeve parlamentare. I pari, herët në mëngjes, në zyrën e kreut të shtetit, mbërriti Oerd Bylykbashi në emër të grupimit të Rithemelimit në Partinë Demokratike. Pas tij, në Presidencë shkeli ish-kreu i shtetit Ilir Meta. Për kreun e PL, Ilir Meta, data bëhet e parëndësishme kur në thelb, sipas tij, duhet gëzuar që pas bojkotit të opozitës në zgjedhjet e kaluara për kryebashkiak, po kthehet pluralizimi. Për aleatët, Fatmir Mediu, Mesila Doda, Dashamir Shehi, Vangjel Dule e Agron Duka, 14 maji i jep kohë të marrin formë dhe dy reformave të rëndësishme që pritet të kenë ndikim në këto zgjedhje.