Problemi më i mprehtë në sektorin arsimor këtë vit të ri akademik është rënia e numrit të nxënësve në shkolla. Gjatë periudhës 2010-2022, nxënësit në arsimin parauniversitar ranë me 37%, ndërsa numri i mësuesve mbeti i njëjtë. Rënia e raportit nxënës për mësues nuk e ka përmirësuar cilësinë në arsim, pasi në 7 vitet e fundit nuk ka asnjë nxënës ekselent në të dhënat zyrtare, ndërsa rezultatet e provimeve të maturës ishin me ulje në vitin 2022. Mësuesit rrëfejnë se emigracioni, përveçse po ul numrin e nxënësve, po krijon një mendësi që ka zbehur interesin për mësimet. Sfidat dhe risitë e vitit të ri akademik.
Blerina Hoxha
Numri i nxënësve në arsimin parauniversitar ka rënë me 37% nga viti 2010 në 2022, në një kohë që numri i mësuesve në këtë cikël ka mbetur i pandryshuar, me rreth 36 mijë, sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Arsimit.
Përmirësimi i raportit nxënës për mësues nga më shumë se 20 në vitet 2000, në rreth 13 aktualisht, duhet të çonte në rritje të rezultateve të të nxënit, në një kohë që qeveria ka investuar miliarda lekë në logjistikë dhe kurrikula gjatë dekadës, por e kundërta ka ndodhur.
Nga viti në vit, numri i nxënësve të mirë po bie me shpejtësi, ata me nivel mesatar janë të paktë dhe të dobëtit po mbizotërojnë. Problematikat e rrënjosura në arsim po përkeqësohen vit pas viti me tranzicionin demografik. Shkollat në qarqe po vuajnë braktisjen që në arsimin 9-vjecar prej emigracionit në nivele alarmante, teksa mungesa e infrastrukturës shkollore e bën të pamundur zbatimin e kurrikulës.
Qendra e Shërbimeve Arsimore (QSHA), në analizën që bëri për rezultatet e maturës shtetërore për vitin 2021, raportoi se, nota mesatare në provimin e maturës shënoi rënie prej 0.46 pikë në krahasim me vitin 2020. Të dhënat nga QSHA tregojnë se në 8 vite nuk kemi asnjë maturant me rezultate ekselente si gjatë viteve, ashtu në provimet e maturës.
Krahas problematikave të mbartura, ky vit i ri shkollor po sfidohet nga kriza e energjisë elektrike që do të pengojë cilësinë e mësimit në ditët e ftohta, ndërkohë që në qarqe, rënia masive e numrit të nxënësve rrezikon të mbyllë qindra shkolla dhe të bëjë të paarritshëm mësimin për të mbeturit.
Besmir Muslia, një mësues i ri që e ka pasion mësimdhënien, i cili është rikthyer në vendlindje, në njësinë administrative të Malziut në Kukës, shpjegoi se zbatimi i kurrikulës në bazë të kompetencave është i pamundur në Qarkun e Kukësit sepse infrastruktura shkollore ka mungesa të mëdha, që nga pajisjet më të thjeshta e deri te kompjuterët.
Nga ana tjetër, qarku po përballet me emigracionin masiv të moshave të reja drejt Britanisë së Madhe. Modelet që sjell emigracioni me të ardhura të shpejta, po bëhen më konkurruese se sa fitimet që mund të vijnë nga një arsim i mirë, shpjegoi ai.
“Një arsim problematik dhe jo cilësor, është një fatkeqësi jo vetëm për Kukësin, por për të gjithë kombin shqiptar. Një arsim që nuk ofron kushtet për të qenë i tillë, atëherë bëhet irritues për nxënësin, i padëshirueshëm, pa interes.
Nuk të ofron mundësi që të përgatitesh për studimet universitare, të diplomohesh dhe të gjesh një punë. Këtij realiteti më pas i shtohet edhe tregu i punës, i cili nuk u ofron nxënësve mundësi punësimi, nëse ata marrin vendimin të vazhdojnë studimet e larta. Duke parë të papunët, por edhe ata që nga pamundësitë e gjithanshme që të ofron Kukësi, kanë ikur në emigracion” shpjegoi mësuesi Muslia.
Ministria e Arsimit, nga ana e saj, shpjegoi se viti i ri shkollor nis me risi. Lënda e TIK do të shtohet për klasat e para. Ndërkohë që “SMART LAB”, ngritja e laboratorëve informatikë të një teknologjie të fundit do të jenë në 100 shkolla të vendit.
Shërbimi psiko-social do të ketë këtë vit edhe 235 punonjës të tjerë për të rritur më tej cilësinë e shërbimit të ofruar. Projekti “Bëjmë Detyrat e Shtëpisë” zgjerohet edhe në 150 shkolla të tjera për të qenë më pranë fëmijëve dhe familjeve të tyre, duke i mbështetur nxënësit për një përgatitje shumë më të mirë, shpjegoi më tej Ministria.
Por eksperti i çështjeve arsimore, Ndriçim Mehmeti, tha se edhe këtë vit të ri shkollor, mbetet një sfidë e madhe zvogëlimi i numrit të nxënësve në nivel kombëtar, rritja e numrit të nxënësve në klasa kolektive, braktisja e përkohshme apo e përhershme e shkollës, mungesa e mjeteve didaktike, mjediseve argëtuese e sportive.
Mehmeti tha se, jo vetëm mësuesit, por edhe të rinjtë janë të demotivuar. “Mësuesit shkojnë në shkollë për të marrë pagën, ndërsa nxënësit thjesht se duhet të justifikojnë faktin se janë diku dhe shkolla është streha më e mirë. Mësuesit tanë janë të keqpaguar, nën trysni dhe të mbërthyer nga një drejtim shkolle, thellësisht politik dhe në shumicën dërmuese të paaftë për detyrën që u është besuar”, shtoi ai.
Emigracioni zbraz shkollat
Në vitet e para të tranzicionit deri në 1994-1995, regjistroheshin në klasë të parë rreth 77 mijë nxënës në vit. Por nga viti në vit, ky numër ka rënë me shpejtësi prej emigracionit të lartë dhe rënies së lindshmërisë. Këtë vit shkollor pritet të nisin klasën e parë vetëm 29 mijë fëmijë, 2.6 herë më pak se para dy dekadash.
Ekspertët e arsimit pohuan se ky numër do të ishte edhe më i ulët, nëse Ministria e Arsimit nuk do të kishte ulur kriteret e moshës së pranimit në klasën e parë. Në raport me një vit më parë, regjistrimet në klasë të parë kanë pësuar rënie me rreth 3%.
Rënia shihet të jetë më e fortë për shkollat e mesme. Sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit, që u referohen rezultateve paraprake, janë regjistruar në klasën e 10 rreth 28 mijë nxënës në vitin akademik 2022-2023, nga rreth 31 mijë vitin kaluar akademik, me rënie gati 9%. Rënia më e madhe në këtë grupmoshë, veç të tjerash, vjen prej emigracionit të lartë të të rinjve minorenë.
Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se në vitin 2021, në arsimin 9-vjeçar ishin të regjistruar 278 mijë nxënës, me një rënie vjetore 3%, ndërsa në 10 vjet, rënia ishte 34%. Po sipas INSTAT, vitin e kaluar akademik ishin të regjistruar në arsimin e mesëm rreth 103 mijë nxënës me një rënie vjetore 4.1% dhe 31% më pak se në vitin 2020. Rezultatet finale të regjistrimeve pritet të përpunohen në fund të muajit shtator, për shkak të regjistrimeve me disa raunde në e-albania këtë vit.
Sistemi arsimor parauniversitar po preket rëndë nga flukset e larta të emigracionit në mosha të reja. Në vitin 2021 u regjistrua dhe niveli më i lartë i të larguarve neto nga vendi në një dekadë, me gati 33 mijë persona që ikën pa kthim. Ritmet e ikjes u përshpejtuan ndjeshëm pas frenimit në periudhën e pandemisë, në 2020-n.
Popullsia e Shqipërisë filloi të ulet që nga viti 1990, si pasojë e emigracionit masiv. INSTAT vlerëson se gjatë viteve 2011-2021 emigruan mesatarisht 42 mijë persona çdo vit. Sipas anketave të INSTAT, arsyet kryesore për emigracionin kanë të bëjnë me mundësi më të mira për punë, arsim dhe kujdes shëndetësor. Grupmosha e popullsisë 0-14 vjeç ka rënë nga 21,6% në vitin 2011 në 16,3% në 2022.
Përveç emigracionit, sistemi arsimor në qarqe është ndikuar rëndë edhe nga migrimi i brendshëm. Zhvendosja e popullsisë në Rajonin e Qendrës ka ulur numrin e nxënësve në qarqe dhe ka rritur numrin e klasave kolektive, të cilat cenojnë cilësinë e nxënies.
Të dhënat zyrtare tregojnë se më 1 janar 2022 rezulton që rreth një e treta e popullsisë jeton në Qarkun e Tiranës, qarku më i populluar në vend, ndjekur nga qarqet e Durrësit dhe Fierit, me rreth 10% të popullsisë secili.
Qarku i Gjirokastrës ka përqindjen më të ulët të popullsisë, me rreth 2,0% të popullsisë së përgjithshme, ndjekur nga Qarku i Kukësit, i cili ka 2,6% të popullsisë së përgjithshme. Vetëm Qarku i Tiranës ka shënuan rritje të popullsisë për periudhën 2021-2022.
Emigracioni zbeh interesin për të mësuar
Mësues Besmiri, një idealist i profesionit të tij, çdo ditë është në luftë të vazhdueshme me mendësinë që është krijuar rreth emigracionit si profesion. Ai ka ushtruar mësimdhënien në disa shkolla të qarkut, aktualisht është në shkollën 9-vjeçare të fshatit Dukagjin nga më të vjetrat në qark.
“Emigracioni i lartë i kuksianëve është i dukshëm, i matshëm, i ndjeshëm. Fenomeni i emigracionit nga fëmijë të moshës për arsim parauniversitar, për fat të keq, është i pranishëm. Ata emigrojnë, birësohen nga familje apo prindër anglezë, ose që kanë pasaportë angleze, dhe monitorohen nga ato dhe shteti anglez.
Por fenomeni më shqetësues, për mendimin tim, që po përjeton sot arsimi universitar, është humbja e interesit nga nxënësit për arsimin dhe arsimimin e tyre, dhe futja te nxënësit e konceptit të emigracionit në shkolla, duke u diskutuar masivisht dhe me pasion nga ato”, – shpjegoi Besmiri.
Të rinjtë kuksianë që jetojnë në Britaninë e Madhe janë kthyer në një model të fitimeve të shpejta. Këta shembuj po demotivojnë fëmijët, të cilët, që në klasë të parë, ëndërrojnë të largohen sa më shpejt në Britani dhe jo të zhvillohen në profesione të tjera nëpërmjet arsimit. Emigrimi është kthyer në mendësi, sipas mësuesit, dhe më e keqja, sipas tij, gjendet në faktin se tani po largohen nënat me fëmijë të vegjël dhe familje të grupuara nëpërmjet shtigjeve të reja me gomone drejt Britanisë.
Emigracioni dhe shkolla janë kthyer në një rreth vicioz. Të rinj nga zonat rurale po braktisin fshatrat, pikërisht për shkak të mungesës së cilësisë arsimore, ndërsa vetë shkollat dëmtohen më tej nga mungesa e numrit të fëmijëve. Në Markaj të Tropojës, shkolla 9-vjeçare u mbyll pasi kishte një fëmijë në ciklin 9-vjeçar nga rreth 250 të tillë në fillim të viteve 1990. Shpopullimi i vendit ka marrë përmasa të mëdha edhe në qendër të vendit. Bizneset në Tiranë janë të parët që po ngrenë alarmin se konsumi po bie, për shkak të rënies së popullsisë.
Rritet diferenca e cilësisë arsimore qytet-fshat
Për shkak të zhvillimeve demografike dhe mungesës së investimeve, diferencat arsimore qytet-fshat janë rritur. Qendra Arsimore Shqiptare vlerësoi se, për maturën 2021, arritjet mesatare të nxënësve të qytetit janë më të larta, kundrejt arritjeve mesatare të nxënësve të fshatit. Mesatarja e pikëve të fituara nga nxënësit e qytetit rezulton të jetë rreth 3.47 pikë më e lartë, ndaj nxënësve të fshatit. Diferenca prej 3.47 pikësh në mesataren e pikëve pasqyrohet edhe në diferencën që ekziston mes dy kategorive në notën mesatare të maturës.
Analiza tregon se pikët e fituara në teste ishin mbi vlerën e mesatares kombëtare në Durrës, Vlorë, Himarë, Tiranë, Shkodër, Shijak, Pustec, Has, Delvinë, Konispol, etj.
Teksa kishin pikë nën mesatare në teste Vau i Dejës, Klosi, Skrapari, Malësia e Madhe, Bulqiza, Patosi, Belshi, etj. QSHA vë në dukje se ka nxënës, të cilët gjatë vitit shkollor, janë vlerësuar me notën 5, 6 e 7, dhe në provimin e maturës kanë arritur të marrin vlerësimin 8, 9 e 10. Ka nxënës, të cilët gjatë vitit shkollor janë vlerësuar me notën 9 e 10, dhe në provimin e maturës kanë arritur të marrin vlerësimin 5 e 6.
Sipas Ministrisë së Arsimit ekzistojnë diferenca të konsiderueshme mes arritjeve të nxënësve që kanë ndjekur shkollën në qytet, kundrejt atyre që e kanë ndjekur shkollën në fshat. Arritjet mesatare të vajzave të qytetit janë më të larta, kundrejt arritjeve mesatare të vajzave të fshatit.
Kurrikula në kompetenca nuk gjen zbatimin në praktikë
Adoptimi i kurrikulës anglo-saksone në vitin 2013, bazuar në mësimin në kompetenca, nuk ka rritur cilësinë e nxënies pasi infrastruktura shkollore që nga logjistika në klasa, laboratorët dhe teknologjia mungojnë. Eksperti Mehmeti tha se, Ministria e Arsimit nuk ka asnjë plan të detajuar për reformimin e kurrikulës, pasi nuk ka asnjë studim me arritjet dhe mangësitë e kurrikulës anglo-saksone që nisi të zbatohet pas vitit 2013.
Ministria e Arsimit, në një analizë të posaçme, ka gjetur vështirësi në adoptimin e kurrikulës për arsye se, edukimi universitar i mësuesve ende nuk gjen përshtatje me këtë metodë të re. Nga ana tjetër, kurrikula e re ka në themel informatizimin e shkollave, të cilat sot e kësaj dite nuk e kanë të mundur këtë aspekt.
Mësuesi Muslia tha se, sfida edhe për këtë vit shkollor është pamundësia për zbatimin e kurrikulës së re, me bazë kompetencash, pasi mjediset shkollore nuk janë të përshtatshme dhe bashkëkohore.
“Arsimi në Qarkun e Kukësit për sa u përket mjediseve, e them me plot gojën, është një gërmadhë e madhe. Mjediset e shkollave nuk plotësojnë kushtet për të organizuar orët mësimore, sipas përcaktimit të kurrikulës së re. Ndoshta nuk mund të kërkojmë mjedise të mrekullueshme, ideale. Por mjediset në shkollat e Kukësit, sidomos atyre në njësitë administrative, janë skandaloze”, – tha ai.
Ministria e Arsimit zbardh 9 risitë e këtij viti shkollor
Në një sqarim të posaçëm për “Monitor”, Ministria e Arsimit njoftoi 9 risi që do të shoqërojnë fillimin e këtij viti shkollor në arsimin parauniversitar si më poshtë:
1- Abetarja e re për klasat e para, në Shqipëri, Kosovë e Diasporë, nxënësit do të mësojnë me Abetaren e Përbashkët Unike.
2- Lënda e TIK do të shtohet për klasat e para. Ndërkohë që “SMART LAB”, ngritja e laboratorëve informatikë të një teknologjie të fundit do të jenë në 100 shkolla të vendit.
3- Shërbimi psiko-social do të ketë këtë vit edhe 235 punonjës të tjerë, për të rritur më tej cilësinë e shërbimit të ofruar.
4- Këtë vit do të jenë edhe 250 mësues ndihmës më shumë për fëmijët me aftësi ndryshe. Që ata të zhvillohen më mirë nga ana intelektuale dhe të integrohen sa më mirë në shoqëri.
5- 70 oficerë sigurie më shumë do të jenë këtë vit, jo vetëm në gjimnaze, por edhe në shkolla 9-vjeçare, ku ka numër të madh nxënësish.
6- Projekti “Bëjmë Detyrat e Shtëpisë” zgjerohet edhe në 150 shkolla të tjera, për të qenë më pranë fëmijëve dhe familjeve të tyre, duke i mbështetur nxënësit për një përgatitje shumë më të mirë.
7- Bibliotekat e shumë shkollave do të pasurohen me libra.
8- Këtë vit do të ketë më shumë klasa sportive në 6 disiplina, futboll, basketboll, volejboll, atletikë, gjimnastikë dhe tenis. Gjithashtu këtë vit është një program specifik i edukimit fizik për nxënësit me aftësi ndryshe.
9- Nxënësit që nuk dëgjojnë tashmë, pasi mbarojnë Institutin e Fëmijëve që nuk Dëgjojnë, do të mund të mësojnë në një shkollë të mesme të dedikuar për ta. /Monitor