Nga: Nikoll Lesi
Po ndiqja këto ditë aksionin e strukturave të IKMT në prishjen e dy pishinave të “Prestige Resort” në Golem pronë e Irfanin Hysenbelliut, që ka në zotërim disa media, ndër më kryesoret në vend.
Nuk doja të flisja për momentin pasi më duhej të krijoja një ide më të plotë se ku janë prishur miqësitë e pronarit me qeverinë aktuale, sepse nga fotot që kanë publikuar vetë mediat e tij tregohet një afërsi e përzemërt me kryeministrin dhe shefin e grupit parlamentar të PS, deputetin Taulant Balla.
Unë, përsonalisht e njoh Edi Ramën. E kam patur analist në gazetën KOHA JONE, dikur ndër vitet e mbrapshta të regjimit të Berishës së I-rë.
Dhe për hir të së vertetës qëkur ai është bërë kryeministër në vitin 2013, dy herë kam drekuar dhe në të dy rastet në prezencë të shumë kolegëve gazetarë.
E them këtë sqarim pasi nuk dua të turren lukunia e rrjeteve sociale që po mbroj kryeministrin.
Duke njohur Irfanin personalisht dhe realisht e njoh për njeri zemërbardhë, mendova të prisja disa ditë për të thënë mendimin tim për këtë përplasje Irfan-Qeveri.
Por nuk mund të rri duke pritur faktet e tjera, kur dëgjova disa kolegë të medias apo edhe ndonjë që ka punuar dikur në KOHA JONE, i cili prishjen e dy pishinave të Irfanit e krahasonin me gjemën e madhe të djegies së redaksisë së gazetës KOHA JONE nga pushteti i Berishës natën e 3 marsit 1997.
Nuk mund të hesht për të thënë se nuk kanë asnjë lidhje këto dy ngjarje në kohë të ndryshme, pra mes djegies së gazetës më të madhe shqiptare KOHA JONE në mars 1997 dhe prishjes së pishinave të ‘Prestige Resort” në vitin 2022.
E përsëris: Asnjë lidhje!
Bile asnjë lidhje nuk ka as me presionin, shantazhin dhe masakrën që bëri pushteti i Berishës së II-të ndaj gazetës “TEMA” dhe Mero Bazes. Apo me përsekutimin që pushteti i bëri Carlo Bollinos duke e shpallur “nongrata” për shkak të shkrimeve ndaj Berishës.
Personalisht nuk jam me këtë operacion policor dhe fadromash kur akoma vazhdon sezoni turistik veror. Mund të gjendej një muaj tjetër, fjala vjen dimri kur nuk ka njerëz buzë detit. Siç pohova akoma me duhet të mbledhë të dhëna, fakte dhe opinione se pse pazaret e pronarit u prishën me qeverinë.
Por ama të krahasosh këtë që po ndodh te pishinat e Irfanit me djegien e redaksisë së KOHA JONE, kur siç dihet asokohe gazetari Zamir Dule dhe shoferi Nesti Nikolla u morën dhunshëm nga policia dhe SHIK duke i dërguar në komisariatin e policisë nr.3. E ku më pas i dhunuan dhe i gjakosen mu brenda komisariatit. Ndërkohë edhe sot e kësaj dite gazetari i KOHA JONE vazhdon të vuaj pasojat e dhunës së ushtruar nga shërbimi sekret i kohës.
Asokohe, kolegëve që këto ditë krahasonin dy ngjarjet, mund t’ju kujtoj se redaksia u dogj dhe u shkrumbua. Madje u dogj me napalm, vetëm për faktin se “Koha Jonë” ishte opozita e vetme në vend kundër të këqijave të pushtetit. Nuk kishte media tjeter kundër qeverisë, nuk kishte portale e facebook.
Pasi na dogji pushteti, kjo e vertetuar tashmë edhe nga Gjykata e Lartë e Shqipërisë, nuk kishim më kompjutera për të shkruar e botuar gazetën. Nuk kishim as karrike, asgjë dhe për 42 ditë gazeta nuk doli në treg.
Kurse gazetat e Irfanit dhe mediat e tjera të tij janë me zyra, bile shtetrore dhe askush nuk u ka çuar policinë në redaksi, siç na i solli fadromat te dera e gazetës kryeministri Fatos Nano në vitin 2004 vetëm se kisha publikuar dokumenta korrupsioni në dogana e tatime apo për bizneset e së shoqes.
Dhe mëqënëse jemi te ky, Fatos Nano, mund t’ju kujtojë se me 8 nentor 2004 donte të më hiqte imunitetin si deputet dhe të më arrestonte për shkakun se kisha “shpifur” në mediat e mija ndaj ti si kryeministër.
Por që të vazhdojë në lidhje me krahasimin e pishinave të Irfanit me djegien e redaksisë më të madhe shqiptare në këto 31 vite, më duhet të kujtoj se asokohe gazetarit Alfred Peza, shikasit e pushtetit të kohës, i shpuan krahun me bajonetë. Dhe me njërin krah të gjakosur ai bëri artikullin në gazetë.
Asokohe shpia ime u hodh në erë nga policia sekrete dhe vetëm Zoti më shpëtoi familjen.
Asokohe u arrestuan kryeredaktori i KOHA JONE, Aleksandër Frangaj dhe zv/kryeredaktori Martin Leka.
Asokohe gazetarit të “KOHA JONE”, Aleksandër Çipës i futën bajonetën në trup njerëzit e pushtetit.
Asokohe SHIK-u goditi me levë në kokë gazetarin e KOHA JONE, Edi Rama.
Asokohe, në një natë, 33 gazetarët e punonjësit e gazetës u morën nga zyrat e gazetës me furgona policie dhe na rrasën brenda në qeli se po kritikonim pushtetin.
Asokohe policia me kontrolloi shtëpinë si botues, duke më lemerisur dy fëmijët e vegjël në orën dy të natës dhe më pas më dërguan në qelitë e paraburgimit të drejtorisë policisë së Tiranës. Dhe pse? Për një artikull!
Asokohe gazetares së Vlorës, Zenepe Luka i hodhën në erë shtëpinë për shkrimet në “KOHA JONE”.
Asokohe gazetarin e Korçës së “KOHA JONE”, Roland Beqiraj e mbajti në qeli një javë shefi i komisariatit dhe prokuroria nuk njoftohej, vetëm e vetëm se ai kishte botuar artikuj kritikë ndaj pushtetit vendor.
Asokohe policia dhe SHIK-u rrinin te dera e redaksisë, një presion dhe shantazh i hapur.
Asokohe qeveria na bllokonte shpërndarjen e gazetës në rrethe.
Dhe bllokim me polici!
Ajo kohë ka mbaruar, sot çdo gazetar i asaj kohe ka një portal të vetin, mund të shkruaj e të komentojë çfarë të dojë. Bile, siç thotë një koleg i imi sot ka me shumë liri se sa duhet, pasi shajnë dhe shpërdorojnë fjalorin e Gjuhës Shqipe, ndërkohë që media duhet të jetë e pavarur, profesioniste dhe të kritikojë qeverinë kur ajo vepron në kundërshtim me interesat e publikut.
Mediat e Irfanit janë në sulm total ndaj qeverisë dhe bëjnë mirë. Unë përherë jam në anën e medias se sa të pushtetit, edhe kur gabon media!
Natyrisht që qeveritë përherë mbeten në luftë me median. Dhe kështu do të jetë, por media kurrë nuk dorëzohet.
Ndaj mos e krahasoni ngjarjen e së famshes “KOHA JONE” me fadromat në Golem!
Në foto: Redaksia e gazetës KOHA JONE e djegur me 3 mars 1997 nga pushteti
Në foto: Arrestimi nga policia i kryeredaktorit të KOHA JONE, Qamil Xhani vetëm se kërkoi llogari policisë se ushtronte dhunë ndaj të miturve, por mediat e kohës heshten! (12 dhjetor 2020)
Në foto: Nikoll Lesi, botues i KOHA JONE rrethohet nga forcat SHQIPONJA