Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, në një konferencë për mediat tha se drejtësia është e kapur nga kryeministri Edi Rama. Partia e Lirisë denoncoi qeverinë për ujësjellësin e Memaliajt në Tepelenë. Ai deklaroi se në rastin e skandalit me tenderin e Ujësjellësit të Memaliajt, Rama rrezikon të dënohet deri në 12 vite burg. Ish-kreu i Shtetit lexoi nenin 248 dhe 258 për “shpërdorim detyre” dhe “shkelje te barazisë ne tendera” dhe sipas tij vetëm ne nje rast, dënimi shkon deri në 12 vite burg.
“Për rastin konkret, neni 248 i shkeljeve penale për “shpërdorimin e detyrës” e bën të qartë që kryerja ose mos kryerja me dashje e veprimeve ose mosveprimeve në kundërshtim me ligjin që përbën mospërmbushje të rregullt të detyrës nga personi që ushtron funksione publike, nëse nuk përben vepër tjetër penale dënohet me burgim deri në 7 vjet.
Kalojmë tek neni tjetër i shkelur qartësisht, neni 258. Shkelja e barazisë në tendera apo ankande publike, që bën të qartë se nëse një vepër publike kur kryhet ne tender me vlerë mbi 800 mijë lekë, që kjo e kalon sepse është gati 4 mln euro dënohet me burgim nga 1-5 vjet. Sa më e lartë të jetë vlera aq më i madh është dëmi i shkaktuar nga publiku. 7 dhe 5 bëhen 12 për një rast”, tha Meta.