Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj, thotë se shkarkimi nga posti i Arben Ahmetajt janë thjesht manovrat e kryeministrit Rama për të tërhequr vemendjen nga korrupsioni. Me anë të një statusi në Facebook, Alibeaj bën përgjegjës Ramën, duke ia adresuar një sërë problematikash që kanë mbërthyer vendin. Ai ka ftuar SPAK që të vijojë hetimin e të gjithë aferave, dosjet e të cilave presin gjykimin dhe vënien para drejtësisë të përgjegjësve kryesorë të aferave të mëdha korruptive.
Statusi
Lojrat me shkarkime ministrash janë manovrat e fundit të Edi Ramës për të tërhequr vëmendjen nga e vërteta e hidhur: kjo qeveri është përgjegjëse kryesore për katandisjen e Shqipërisë në këtë gjendje.
E për këtë, veç ministrave marionetë, përgjegjësia kryesore mbetet e njeriut që frymëzoi, drejtoi dhe sot zboi (si shumë të tjerë para tij) bashkëpunëtorë që bashkë me të, mbajnë përgjegjësi direkte për korrupsionin galopant që ka mbërthyer Shqipërinë.
Ftoj SPAK që ndërkohë të vijojë punën për hetimin e të gjitha aferave, dosjet e të cilave presin gjykimin dhe vënien para drejtësisë të përgjegjësve kryesorë të aferave të mëdha korruptive.
Vetëm gjykimi i drejtë dhe i pavonuar i këtyre dosjeve do të mund të vërë në vend drejtësinë e munguar dhe para përgjegjësie penale të gjjthë ata që për vite me radhë u majmën në kurriz të shqiptarëve.