Berisha ka paralajmëruar se çështja e deputetit Ervin Salianji do të bëhet ndërkombëtare nga PD-ja. Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një konferencë për media, u shpreh se kjo forcë politike nuk do të lejojë e pranojë kurrë që në Shqipëri të rikthehen proceset politike. Ai ka marrë në mbrojtje deputetin e Partisë Demokratike Ervin Salianji, pasi ky i fundit rrezikon dënimin me burg, për çështjen “Babale”, seancë e cila do të zhvillohet sot në Apel.
“Do çojmë për ndjekje penale Ardi Veliun, ish-kryepolicin e Fierit, oficerët e turpshëm, që manipulojnë dhe falsifikojnë prova.
Ndjekjen penale të Artan Gjermenit, të Petra Sadushit, që në verbëri zbatojnë vetëm urdhra politikë. Çështjen Salianji, PD-ja do ta bëjë një çështje ndërkombëtare dhe nuk do të pranojë kurrë që në Shqipëri të rikthehen proceset politike”, u shpreh Berisha.
Sot pritet të zhvillohet në Gjykatën e Apelit të Tiranës seanca ndaj deputetit të Partisë Demokratike, Ervin Salianji, i cili u dënua me një vit burg nga Gjykata e Shkallës së Parë. Salianji u shpall fajtor për veprën penale “kallëzim i rremë” në lidhje me çështjen “Babale”. Në Apel e ka çuar çështjen dhe gazetari Jetmir Olldashi, i cili u dënua me 6 muaj burg, të konvertuar në 100 orë shërbim komuniteti. Nëse Apeli do të konfirmojë vendimin e Shkallës së Parë, atëherë deputeti Salianji rrezikon burgun.