Shqipëria është në bisedime me NATO-n për të ndërtuar një bazë detare në Porto Romano, një port në ndërtim e sipër në bregdetin e saj të Adriatikut, tha të premten kryeministri Edi Rama.
Rama tha në një konferencë shtypi se Porto Romano, që ndodhet pranë qytetit bregdetar të Durrësit dhe synohet si porti më i madh i vendit, do të ketë një seksion tregtar si dhe një bazë detare ushtarake.
Baza ushtarake do të ndërtohet dhe do të bashkëfinancohet nga NATO dhe Shqipëria, tha ai.
“Së shpejti do të kthehemi në Bruksel për të vazhduar diskutimet në lidhje me propozimin tonë, për vendosjen e një baze detare të NATO-s në portin e ri të Durrësit”, shtoi Rama.
Në maj, Rama tha se qeveria e tij po i ofronte NATO-s bazën e saj detare Pashaliman rreth 200 km (124 milje) në jug të Tiranës. Pashalimani u krijua nga Moska si një bazë nëndetëse në vitet 1950 për të pritur 12 nëndetëse pranë Vlorës, ku takohen deti Adriatik dhe Jon. NATO tashmë po rindërton bazën ajrore të Kuçovës, rreth 80 km (50 milje) në jug të Tiranës, që do të përdoret nga aleanca. Shqipëria u bë anëtare e NATO-s në vitin 2009.
Burimi i lajmit: User Walls. Përshtatur nga Tirana Today