Kryetari i Grupit Parlamentar në Partinë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar për herë të parë për arrestimin e ish-kryebashkiakut të PS-së, Agim Kajmakut me 20 kg kokainë në Itali.
“Sa herë që ligji funksionon mbi këdo, PS përshëndet vendimet e organeve të policisë dhe të drejtësisë. Ky është një qëndrim i qartë yni dhe mbi këdo. Nuk është më prej vitesh në asnjë lloj funksioni në PS”, tha Balla.
Ish-kryebashkiaku i Vorës, Agim Kajmaku, u arrestua disa ditë më parë, pasi u kap me 20 kg kokainë së bashku me nipin e tij.
Në rast se droga do të shitej në treg, do të kapte vlerën e rreth 1 milion eurove. Policia italiane kishte montuar kamera në disa akse, banesa dhe lagje ku kryheshin bisedat dhe takimet që kishin tematikë aktivitetin e paligjshëm të lëndëve narkotike në shtetin fqinj dhe Europë.
Nisur nga sasia e kokainës së sekuestruar, gjyqtari e ka lënë në burg Kajmakun dhe nipin e tij 33-vjeçar. “Për masën e sigurisë, gjyqtari zgjodhi atë më të rëndën, burgun, duke pasur parasysh ashpërsinë dhe sasinë e drogës së sekuestruar. Jemi në pritje të arsyeve e të vlerësimeve”, ka thënë avokati.