Mbledhja në Konferencën e Kryetarëve, për procesin e Presidentit të ri është shoqëruar me debate. Përplasja ka ndodhur mes kreut të grupit parlamentar të PD, Enkelejd Alibeaj dhe zv. kryetares së Kuvendit, Ermonela Felaj.
Gjatë fjalës së Alibeajt ka ndërhyrë Felaj, e cila u shpreh se nuk po flet për çështjen e përcaktuar në rendin e ditës. Kjo ka shkaktuar përplasjen mes palëve, pasi Alibeaj ka theksuar se askush nuk ia heq dot të drejtën e fjalës.
Pjesë nga debati:
Felaj: Kush është dakord për të larguar nga rendi i ditës dy çështjet e para, siç e kërkoi Alibeaj?
Alibeaj: Abuzon me detyrat sa herë të jepet rasti. Siç kemi vepruar në të gjitha rastet, edhe në mbledhjen e shkuar ka pasur një rend dite të miratuar nga Lindita Nikolla. Por ka pasur një tjetër urdhër për renditje të Konferencës. Nuk është e vërtetë ajo që thatë, gjënjen, ju keni kartonat dhe votoni ç’tju dalë para. Unë thashë se interes ka pika e tretë e rendit të ditës.
Felaj: S’po flisni për atë që u pyetët.
Alibeaj: Se çfarë flas unë, është e drejta ime. Nuk e përcakton ti momentin dhe çfarë flas unë. Kam bërë kërkesë dhe do flas për këtë pikë të rendit të ditës.
Felaj: Jam e detyruar t’ju ndërpres fjalën.
Alibeaj: A mund të shprehem…S’më respekton ti mua, më respekton Kushtetuta. Edhe se çfarë do të flas unë e di unë. Të drejtën e fjalës nuk ma heq ti, as ma jep mua. Se ç’a do flas, e di unë. Do ma caktosh ti? Lërë kohën dhe pastaj fol në fund. Ne kërkuam që të flasim për Komisionin Hetimor.
Felaj: Zoti Aliebaj, ju lutem, ne kërkesën e kemi përpara.
Alibeaj: O zonjë, a ka mundësi që ta them deri në fund.
Felaj: Do flasim për çështjen e Presidentit. Do të duhet t’ia jap fjalën zotit Mediu.
Alibeaj: Ju po më prisni të drejtën e fjalës. Moj s’do ma tregoni mua për ça do flas. Secili nga anëtarët ka të drejtën që të flasë. Po qe për arsyen, e vetmja që po e prish je ti. Të kam kërkuar të drejtën e fjalës. Unë po paraqes kërkesën time.
Felaj: Po ju tërheq vëmendje që të diskutojmë për thelbin e çështjeve, për të cilat jemi rënë dakord.
Alibeaj: Nga cili vend vjen ti zonjë? Po flas për të drejtat e mia, të drejtat e qytetarit. Do flas për atë që kam paraqitur si kërkesë. Zonjë, nëse doni ta prishni, më thoni.
Felaj: Keni propozim konkret për mbajtjen e raundit të Presidentit?
Alibeaj: Hiqeni atë dorë, dhe më dëgjoni.