Opozita dhe PS rinisën negociatat, në përpjekje për të gjetur një kompromis për emrin e Presidentit. Enkelejd Alibeaj renditi edhe arsyet përse është me rëndësi që Presidenti të zgjidhet në tre raundet e para. Ai vuri në dukje se e drejta për të propozuar duhet t’i përkasë opozitës. Sipas Alibeajt, opozita të propozojë katër kandidatë, ku PS të zgjedhë dy nga këto propozime.
“Pra bazuar në frymën e Kushtetutës, pavarësisht ndryshimeve të 2008, thelbi mbetet dhe Presidenti do të duhet të zgjidhet me jo më pak se 84 vota. Pra ndaj është e nevojshëm që Presidenti të zgjidhet në këto tre raunde dhe arsyet janë: Të bësh fotografimin sot të institucioneve të kësaj Republike, të gjitha pushtetet e ka marrë njëri krah. Pra është një zhbalancim ekstrem i rendit institucional. Pra ka humbur sensi i ndarjes së barazisë së pushteteve. Mazhoranca sot nuk e ka legjitimitetin real, atë që buron nga zgjedhjet. Pra këto janë konsiderata jo thjesht të nxjerra nga ne, por të dokumentuara dhe të njohura botërisht. Është koha dhe është vetëm një episod nëse ka dëshirë për të ridimensionuar atë që duhet të jenë raportet që duhet të prodhojë Presidentin. Pra këto janë arsyet bazë. Në dokument kemi bërë të qartë vendosjen e disa kritereve”, tha Alibeaj.
Ai bëri me dije se Presidenti ashtu siç e thotë edhe Kushtetuta, duhet të jetë i shqiptarëve. “Kjo frymë vazhdon ende. Të paktën në tre raundet e para. E drejta për të propozuar t’i përkasë opozitës. Asaj pjesë të Kuvendit, e cila plotëson numrin e mandateve që shkon përtej 84 mandateve. Këtë kemi bërë ne. Propozojmë nga opozita katër kandidatura, kjo është formula. Nga të cilat dy të mund t’i përzgjedhë brenda kësaj katërshe nga ana juaj dhe pjesa tjetër është e thjesht, në arritjen e emrit final. Jo proces përjashtues, por gjithëpërfshirës, me kronologji të caktuar. Ku jepet pozita, vendi secilit ishull brenda Parlamentit për të konverguar një proces që jep të gjitha shijet, qëndrimet politike. Nëse arrihet kjo, arrihet një gjë e madhe. Kushtetuta thotë; Presidenti duhet të jetë i shqiptarëve”, u shpreh Alibeaj.
Balla: Sillni propozimet tuaja nëse i keni 20 firma
Kreu i grupit parlamentar socialist, Taluant Balla, i ka bërë thirrje grupeve të tjera parlamentare që të bëjnë propozimet e tyre për emrin e Presidentit të ri të Republikës. Balla nënvizoi ndër të tjera se është i gatshëm të dëgjojë propozime nga të gjitha palët, përjashtuar ato të dhëna nga ish-kryeministri Sali Berisha, që e etiketoi si “non grata”.
“Kanë mbetur edhe 4 raunde. 2 raunde i takojnë opozitës, 2 raunde i takojnë shumicës. Dy raundet i takojnë opozitës që të jetë bashkëpunuese, dhe na takon edhe ne të jemi shumë më shumë bashkëpunues. Nuk e di nëse do të kthehesha mbrapsht më 28 mars, kur kemi filluar procesin. Kemi pasur dëshirën të ulemi si sot, veçmas.
Jemi ulur me zotin Mediu dhe Duka dy herë. Atë që ai tha sot këtu e ka thënë edhe në takimet që kemi pasur pa media. Shumë mirë që jemi të gjitha grupet parlamentare në një sallë. Ua kam thënë gjithmonë, po ua them edhe sot.
Të drejtën e propozimit e ka pasur çdo palë. Shembulli që solli zoti Mediu që Presidenti i zgjedhur në vitin 2002 e propozoi Bashkimi Liberal Demokrat. E propozoi dhe u bë President. Në këtë aspekt, te ai dokumenti të gjitha palët kanë të drejtë të propozojnë. Të hënën në orën 18:00 kemi raundin e dytë. Që Presidenti të zgjidhet duhet të gëzojë të drejtën e 20 firmave. I keni ju 20 firmat? Sepse e tillë është procedura. Silleni kandidatin, opozita mund të sjellë 3 kandidatë. Ne kemi vendosur një kusht që kandidatë që vijnë nga katrani me bojë nuk pranojmë. Për të tjerët s’ka problem. Këtu këtë gjë ta kemi të qartë, silleni, nëse keni dakordësi dhe përpjekja e lavdërueshme e grupeve parlamentare për të dalë me një kandidat është gjë e mirë. Kështu jemi të barabartë. Dy raunde i keni ju, natyrshëm në raundin e 4 dhe të 5… Ne nuk do të propozojmë kandidatë pa propozuar më parë ju. Ju do të propozoni, ne do e mendojmë dhe kemi edhe ne të drejtën e propozimit”, tha Balla.