Për shkak të rritjes së çmimeve, qeveria ka miratuar vendimin për paketën antikrizë ku ka nisur me indeksimin e pensioneve, ku ministrja Ibrahimaj tha se do të jetë 3.3 %. Për tre muaj, pensionistët do të marrin tre mijë lekë. Ministrja sqaroi se qeveria do të japë tre mijë lekë për 576 mijë persona për tre muaj, me qëllim përballimin e kësaj situate.
Pas mbledhjes së qeverisë, ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj tha:
“Një nga masat që është parashikuar në këtë akt normativ që sapo kaluam, indeksimi me 3.3% i pensioneve për të gjitha kategoritë e pensioneve dhe të plota e të pjesshme e të reduktuara të invaliditetit.
Pensionet në qytet, fshat, që jepen për ndihma të posaçme shtetërore të gjitha kategoritë e pensioneve jo vetëm pensionet por edhe indeksimi i shtesës. Kjo ka kosto prej 3.3 miliardë lekësh ne buxhet.
Ne këtë vit, morëm një vendim ndryshe nisur nga rritja e çmimeve, vendosëm që për shportën e pensionistëve të bëjmë rritje me 3.3%”.
Sipas ministres Ibrahimaj, “janë 2500 lekë shtesa e shpenzimeve të një familje mesatare për një muaj, që vjen si rezultat i rritjes së cmimeve të produkteve të shportës. Ne kemi menduar të japim tre mijë lekë për 576 mijë persona për tre muaj, me qëllim përballimin e kësaj situate”.