Kreu i qeverisë Edi Rama ishte sot në Manzë të Durrësit, ku mori pjesë në ceremoninë e dhënies së 230 apartamenteve të reja. Gjatë fjalës së tij, kryeministri Rama është ndalur tek kriza energjitike dhe shtrenjtimi i produkteve, si pasojë e luftës që po zhvillohet në Ukrainë. Rama tha se kjo luftë ka ndikuar në të gjithë zinxhirin e ekonomisë, duke mos lënë jashtë as Shqipërinë dhe vendet e rajonit. Ndër të tjera, Rama premtoi se qeveria do të jetë pranë njerëzve në nevojë.
“Na ndikon tek çmimet, se lufta është nisur nga një forcë agresive. Janë shtrenjtuar si nafta, gazi, energjia e me radhë. Deri tek imputet për bujqësinë. Rusia dhe Ukraina, zinin peshën kryesore në këto furnizime. Kjo luftë ndikon tek të gjithë zinxhirët e furnizimeve, që bën të përballemi me rritje çmimesh”, tha Rama.
“Kjo është një fatkeqësi që është jashtë këtij vendi, por ndikohet. Do jemi pranë atyre që janë më në nevojë. Kemi marrë një angazhim ku sapo u shfaqën elementet e para të krizës energjitike. Do jemi pranë jush dhe pranë çdo familje. Për të kompensuar çmimin që asnjë familje të mos ndjej goditjen në faturë”, theksoi kryeministri.
Duke u ndalur tek ndihma që qeveria ka ndërmarrë me paketën e rezistencës, Rama theksoi se po ndihmohen më shumë se gjysmë milioni njerëz.
“Do mbështesim për tre muaj rresht më shumë se gjysmë milioni njerëz. Edhe më shumë se një vit më parë fermerët me naftë pa taksa, pensionistët duke indeksuar pensionet”.
Rama ka shkëmbyer batuta me familjarët në Manzë, pasi i kanë ofruar ëmbëlsira.
Teksa iu ofrua karamele në shenjë mirëseardhje në shtëpinë e një çifti të moshuarish, Rama tha se nuk donte, sepse ishte ‘i ëmbël vetë’, duke kërkuar t’i jepeshin dy karamele ministrit Arben Ahmetaj pasi ‘ai ishte i hidhur’. “Jam shumë i ëmbël vetë, jepja këtij dy (Ahmetajt), se ky është i hidhur”, tha Rama.