Nga: Agron Gjekmarkaj
Dëgjova me vëmendje parafolësit. Po e filloj aty ku e la Xhelali, te dalja në terren. Ne kemi dalë në takime me njerëzit, nuk jemi mbyllur, por i pari që e ka këtë detyrim më shumë se kushdo është Lulzim Basha. Nuk e kam thënë ndonjëherë, beteja dukej sikur është bërë në një enë. Sali Berishës i lejuat përparësinë e sulmit. Ju jeni kryetari i partisë dhe juve ju bie detyrimi t’i sqaroni njerëzit i pari, vijmë edhe ne në krahun tuaj. Mbase nuk është e lehtë, do ketë edhe duf, edhe sherre, edhe provokime, por duhet t’i përballojmë.
Qytetarët duhet t’ju dëgjojnë dhe jam i bindur që komunikimi sjell pozitivitet. Nuk jam dakord me fortifikime të PD-së, për ta parë atë si kështjellë. PD është një institucion. Atë duhet ta mbrojë ligji pa asnjë kompleks.
Nëse duhej demonstruar qëndresë, deri tani është demonstruar. Për mua është kriminale të përballen njerëzit tani e tutje. Unë nuk mendoj se jam ndonjë trim i madh, por as për frikacak s’e njoh veten, por nuk jam stërvitur për karate e boks. Dita e 8 janarit ka qenë tragjike.
Në pak minuta gjithçka mund të eskalonte në ferr. Ata njerëz që drejtuan turmën kundër nesh, nuk na llogaritën ne as për deputetë, as për kolegë, as për miq e as për njerëz. Nuk patën emocione për këtë. Ishin të qartë, pa llogaritur që na kanë “shkarkuar” më 11 dhjetor. Na sulmuan me egërsi, me mjete dhune faqe gjithë botës. Ndonjë e dija për mik, dhe unë kurrë nuk do shkoja ta sulmoja dhe t’i vija në rrezik jetën e integritetin personal e publik. Sado i krishterë që ndihem, kulturalisht e kam të vështirë bashkëjetoj me persona të tillë. Ndaj mbështes çdo vendim që kjo kryesi merr sonte për të ndëshkuar dhunën e datës 8 dhjetor, duke shpresuar që dikush do distancohet prej saj.
PD nuk jua kishte borxh atë dhunë, ne jo e Shqipëria jo e jo. Prania në politikë këto muaj të trishtë më ka mësuar ndonjë gjë. Përveç punicionit (ndëshkimit) të detyruar duhet një ofertë politike, një zgjidhje. Do t’ju thosha, zoti Basha, ikni nëse kjo do ishte zgjidhja, nuk e them këtë sepse ikja jua lë fushën bosh për një kundërshtar që i ka shpallur luftë Perëndimit dhe luftë fizike ne të gjithëve. Por kjo parti ka nevojë të bëhet dhe kjo nuk bëhet me njerëz që ju bëjnë komoditet juve, ka nevojë që secili këtu të vihet në diskutim, të gjitha këto organe, duhet të rikthehen te njerëzit, te PD, personalitetet, themeluesit. Kemi folur gjithmonë për bashkim e ai s’ka ndodhur. Bashkim nuk do të thotë të mbash fjalime.
Bashkim e hapje nuk do të thotë që të vijnë te kafja e PD-së e të pinë kafe me ne. Bashkim do të thotë të ketë Kuvend, riformatim të Këshillit Kombëtar, të Kryesisë së PD-së që ata të jenë krah jush në vendimmarrje. Nuk është konformizmi, sado i pëlqyeshëm, që ju rikonfirmon si kryetar legjitim apo si Kryeministër nesër, por debati, tensioni i vazhdueshëm, personalitetet e forta. Njerëzit duan ofertë politike, projektvizion si del nga kjo gjendje PD dhe Shqipëria. Duke përfunduar, i bashkohem frymës së kësaj mbledhjeje pa ekuivok, meqenëse abstenimi për ndonjë mik nuk është opsion.