Nga: Roland Qafoku
Të shumtë ishin ata që i la pa tekst prezenca dhe fjala e deputetes së re të Partisë Demokratike Sorina Koti në “Foltoren” e Berishës në Korçë. Nënkryetarja e Komisionit Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave dhe pedagogia e Universitetit “Fan Noli”, një produkt ekskluziv në politikë i Lulzim Bashës, habiti të gjithë me këtë rreshtim. Në rrjetet sociale nuk përtuan ti bëjnë pyetjen: A do të përjashtojë tani Basha edhe ty siç bëri me Flamur Nokën? Por më shumë se kjo pyetje ajo më e rëndësishmja është se si është i ndarë grupi parlamentar i Partisë Demokratike në betejën më të madhe në këto 31 vjet që nga themelimi i saj? Cilët deputetë janë pro Bashës dhe cilët janë pro Berishës? Cilët deputetë janë ata që nuk janë, as pro Bashës dhe as pro Berishës, por presin me durim prej milingone nga do anojë peshorja? Vërtetë beteja në PD është nga njëra anë për të hequr Bashën dhe nga ana tjetër për të forcuar pozitën e tij në krye të PD, por kjo betejë duket më shumë se me kë do anojnë deputetët e grupit parlamenar. Mbështetur në veprimet dhe deklaratat e bëra, rezulton se nga 51 deputetë që ka aktualisht grupi parlamentar i PD duke përfshirë vetë Bashën dhe duke përjashtuar Berishën, 13 deputetë janë pro Sali Berishës, 17 deputetë janë pro Lulzim Bashës dhe 20 deputetë janë të papozicionuar publikisht.
DEPUTETËT PRO BERISHËS
Dikush me prezencë dhe dikush edhe me deklarata, mbështetësit e Sali Berishës që janë deputetë në kuvend, duket se po shtohen dita ditës. Të paktën me deklarata publike dhe me prezencën në aksionin politik “Foltore”, 13 deputetë janë rreshtuar pro Berishës dhe kundër Bashës. I pari që u rendit me Berishën në momentin që Basha e përjashtoi nga grupi parlamentar ishte Flamur Noka. Pas një debati që pati në zyrën e Bashës më 20 shtator kur përjashtoi Berishën nga grupi parlamentar, Noka tha:
“Vendimi i Lulzim Bashës për të përjashtuar nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike Sali Berishën është një vendim që mohon historinë e vetë kësaj force politike, parimet mbi të cilat është themeluar. Ky është një vendim individual i Bashës dhe arsyet përse e ka marrë i di vetë ai”.
Por jo vetëm deklarata, por edhe akuzat që ai ka bërë ndaj Lulzim Bashës i sollën edhe vendimin për shkarkimin nga detyra e kryetarit të Komisonit të Përhershëm parlamentar të Sigurisë. Një vendim ky që solli reagimin e deputetes dhe anëtares së kryesisë, Albana Vokshi. Deputetja, anëtarja e kryesisë dhe kryetarja e Lidhjes së Gruas në PD shkroi në profilin e saj në facebook aq fjalë që të kuptohej se rreshtimi i saj ishte pro Berishës:
“Liria dhe demokracia e brendshme janë oksigjeni që mund të mbajnë në jetë PD-në. Memeceria, bindja e verbër dhe futja në rrjesht janë asfiksim që e çon PD-në në një vdekje pa zhurmë por të sigurt”.
Edhe më i ashpër në reagimin e tij ishte Tritan Shehu, një nga themeluesit e PD-së dhe ish-kryetar i kësaj partie. Duke u pozicionuar hapur pro Berishës, mjeku Shehu nguli gishtin në plagë kur tha:
I dyti “ndëshkim“ ky, pa asnjë vendim kolegjial, pa u pyetur asnjë forum, as grupi vetë, i marrë nga zoti Basha në orët e vona, fill mbas atij për zotin Berisha. Të dyja arbitrare, pa respektuar rregullat, statutin, parimet e demokracisë. Pra, realisht të pavlefshme, nul. Ngjarje këto krejtësisht të gabuara për një Parti Demokratike. Ngjarje këto, që në fakt janë krejt në kundërshtim edhe me atë që ne duhet të bëjmë e të realizojmë. Në vend që të rrëzojmë Ramën po “rrëzojmë” veten tonë”.
Më herët, më 1 tetor, ishte ish-nënkryetari i PD Edmond Spaho ai që doli hapur pro Berishës dhe kundër Bashës. Shumëkush e lidhi këtë me heqjen nga posti dhe pakënaqësinë, sepse ai u bë i vetmi kurban i Bashës si përgjegjës për humbjen e zgjedhjeve të 25 prillit. Në një postim në facebook Spaho shpalli publikisht pozicionimin e tij, ndërkohë që ka qenë prezent pothuajse në të gjitha “Foltoret” e Berishës:
“Hapja e Partisë, debati midis nesh, kolegjialiteti në vendimmarrje dhe veçanërisht dëgjimi i antarësisë janë rruga e vetme për të dalë nga kriza dhe shpëtuar PD. Janë këto arsyet që më shtyjnë të mbështes dhe marr pjesë në “Foltoren” e organizuar në qytete të ndryshme të vendit. Unë “Foltoren” nuk e përkrah për emocion, por për idetë, frymën e lirisë që shpërndan dhe kohezionin. PD është aset i çmuar, që më së pari i përket demokratëve të çdo niveli, të cilët duhet të ndihen të përfaqësuar”.
Por ai që solli më shumë impakt ishte pozicionimi i Oerd Bylykbashit, anëtarit tjetër të kryesisë, por edhe një nga figurat qendrore të lidershipit të ri të PD që nga momenti ku Berisha u largua nga drejtimi në vitin 2013.
Bylykbashi ishte hartuesi real i ligjit të dekriminalizimit, të cilin Lulzim Basha ende e ruan si trofe që nga koha që u bë kryetar. Në fillim, në disa statuse në facebook, Bylykbashi e shprehte pakënaqësinë vetëm në parim, por në një intervistë në “Syri.net” doli hapur kur tha:
“Kemi krijuar modelin e satrapit. Kryetari nuk e ka kompetencën që të drejtojë partinë me dorë të hekurt, sepse përpara ka statutin. Nuk bëhen reforma mbi krizë. Një kryetar partie duhet të kuptojë se kur të marrë vendime, duhet të pyesë organet e partisë. Sali Berisha është pro amerikan. Berisha është model, që shumica e demokratëve dhe votuesve të PD e gjejnë si model të fitores. Basha ende nuk e ka krijuar këtë model. Akti i Bashës ka krijuar çarje në PD, pasojat janë numerike. Blloqe të mëdha të elektoratit tonë janë pakësuar, një kryetar partie e bën këtë vetëm kur nuk ka eksperiencë. Nuk mund të konsiderohet “llum” nga Basha, duke përjashtuar shumë demokratë”.
Kinder surpriza e kësaj skuadrilje u bë të premten deputetja Sorina Koti. Duke qenë prezente në rreshtin e parë të sallës në “Foltoren” e të premtes në Korçë, ajo iu drejtua Berishës me fjalët:
“Jemi në një pikë delikate. Kemi përplasje të brendshme. Nuk do doja kurrë që demokratët të ishin në këtë situatë. Është pikë e vështirë. Po iu kërkoj ju si themelues i PD-së, si një nga njerëzit që e keni udhëhequr në vitet e suksesit, ju kërkoj një rrugëzgjidhje. Një forcë që PD të ngrihet në pushtetin e saj”.
Ndërkohë janë disa deputetë që edhe pse nuk janë prononcuar publikisht janë rreshtuar pro Berishës. Bujar Leskaj, Edi Paloka, Luan Baçi, Isuf Çela, Xhelal Mziu, Luçiano Boçi, ndonëse nuk kanë bërë asnjë deklaratë publike duke qenë pjesëmarrës në aksionin “Foltore” janë pozicionuar dukshëm pro Berishës. Kësaj liste i shtohet edhe Agron Shehaj që edhe pse nuk ka folur publikisht dhe nuk ka qenë prezent në “Foltore”, deklarata e Berishës se ai duhet të ishte në kryesi pas garës për kryetar nënkupton qartë se është pro tij.
DEPUTETËT PRO BASHËS
Besnikët ndaj Lulzim Bashës tani shkojnë në numrin 17 deputetë. Në pamje të parë duket sikur po rrallohen një e nga një. Një pjesë janë vërtetë besnikë të tij dhe nuk lëkunden në qendrimin e tyre, por për disa ama nuk vendos njeri bast se me kë do pozicionohen. Disa duken formalisht pro tij. Mes tyre disa janë të vendosur, disa janë të kujdesshëm dhe disa flasin në përgjithësi. I pari mbështetës ishte sekretari i përgjithshëm dhe bashkëpunëtori i tij më i ngushtë Gazmend Bardhi. Në emisionin “Open” në “Top Channel” më 16 shtator Bardhi shpjegoi dhe justifikoi vendimin e Bashës për përjashtimin e Berishës nga grupi parlamentar duke thënë:
“Nëse Basha nuk do merrte këtë vendim, interesat e PD do ishin cënuar në mënyrë të parikuperueshme”.
Edhe më i qartë pro Bashës dhe kundër Berishës ka qenë anëtari i kryesisë dhe nënkryetari i Kuvendit, Enkeled Alibeaj. Pyetjes time në emisionin “Dekalog” sa është mundësia që zoti Berisha të kthehet në krye të PD, Alibeaj u përgjigj me ironi:
“Çështë kjo? Ora 10.00 (p.m) vajti vonë. Jo aq vonë sa për të thënë një gjë që s’është e vërtetë”.
Ferdinand Xhaferraj ishte nga të parët deputetë që u pozicionua pro Lulzim Bashës teksa vetëm pak orë pas vendimit për përjashtimin e Berishës nga grupi parlamentar tha:
“Vendimi u mor në limite kohore, mendoj se është një nga vendimet që merr parasysh eleminimin e kostove afatgjata për PD, që do të thonë kosto të gjata për Shqipërinë. Janë kthyer në stres për Shqipërinë”.
Emërimi i Xhaferrajt në vend të Flamur Nokës si nënkryetar i Komisionit të Sigurisë ishte shpërblimi që ai mori nga Basha për këtë besnikëri. Ndërkohë, ndonëse me fjalë të zgjedhura, edhe nënkryetarja e PD Jorida Tabaku mbështeti Bashën pas vendimit që mori:
“Ishte një vendim i pashmangshëm për të ardhmen e Partisë Demokratike për rrugëtimin që ne duam dhe për betejën që ne kemi me PS. Nuk e kemi me askënd brenda nesh. Unë mendoj që mos ta shohim këtë si një çështje teknike, statute apo interpretimi”.
Nënkryetarja e partisë Grida Duma është pozicionuar qartë pro Bashës dhe kundër Berishës vetëm se nuk e mohon “kolegun” Berisha në vlerësimet e saj:
“Mendoj se demokratëve u është bërë e qartë situata. Do vijojë të bëhet e qartë që vendimi i Bashës është marrë mbi vendimin e SHBA. Unë mendoj se Basha po bën një gjë të arsyeshme”, u shpreh Duma vetëm pak ditë pas vendimit të bujshëm.
Por më i prerë në qëndrimin e tij dhe më radikal madje është treguar deputeti dhe nënkryetari i Komisionit të Medias Agron Gjekmarkaj teksa të enjten në “Real Story”:
“Nëse fiton linja e Berishës, unë largohem nga Partia Demokratike”, tha ai duke qenë i pari deputet që e vendos veten përballë një kushti të panegociueshëm.
Një tjetër deputet që është ulur për herë të parë në kuvend dhe që ka dalë pro Bashës është Arbi Agalliu. Në emisionin “Dekalog” përfaqësuesi i Vlorës dhe sekretari i grupit parlamentar të PD tha:
“Shkarkimi i Bashës nga kuvendi i mbledhur nga Berisha? Një vendim i rrezikshëm që shkon kundër SHBA”.
Deputeti i qarkut të Elbasanit, Dashnor Sula, në mbledhjen e grupit parlamentar u pozicionua hapur pro Bashës. Ai tha mes të tjerave:
“Se do njeri më shumë se Basha, Sali Berishën, por ky është vendim i detyruar”.
Pas këtyre fjalëve Sula nuk ka zgjedhur të jetë shumë aktiv por kujdeset të ruajë statusin e fillimit. Flutura Açka, deputetja e re në kuvend por që ka krijuar një profil të lartë në politikë me eksperiencën e saj në jetë u rreshtua hapur kundër Berishës:
“Të njëjtët njerëz që janë në parlament me zërin e tyre të fortë janë prezentë në foltoren e Berishës dhe ndërkohë janë në strukturat e Bashës dhe drejtohen nga Lulzim Basha. Berisha do të arrijë në një konkluzion që partia është e para. Berisha nuk mund të kundërshtojë një vendim të marrë dhe nuk mund ta kthejë Partinë Demokratike në një skalion që është një bandë që është kundër Amerikës. PD është parti e hapur. Ka një lloj irritimi. Nuk mendoj se është koha e duhur për mbajtjen e një Kuvendi. Pse jo një debat i hapur në PD. Unë nuk jam aty për të ndarë hise tokë mes Bashës dhe Berishës.”
Hapur pro Bashës dhe kundër Berishës ka dalë edhe deputeti i Korçës, Ervin Salianji, teksa deklaroi:
“Nëse do kisha ftesë për të qenë në një aktivitet politik, në këtë situatë nuk do të isha. PD fiton vetëm duke qenë partnere me SHBA, kurrsesi të dalim ndesh me qëndrimet e Shteteve të Bashkuara. Edhe për mua ishte vendim i vështirë ai i Bashës, por është vendim kryetari”.
Ndërkohë si edhe në rastin me Berishës, disa deputetë edhe pse nuk janë prononcuar publikisht janë të pozicionuar pro Bashës. Ata janë: Alfred Rushaj, Ina Zhupa, Dhurata Çupi, Flamur Hoxha, Lefter Gështenja, Saimir Koreshi. Zef Hila.
TË PAEKSPOZUARIT E PAPOZICIONUAR
Një pjesë e tyre për shkak edhe të profilit ende nuk janë pozicionuar. Ose më saktë edhe nëse e kanë bërë këtë gjë me vete nuk e kanë bërë publikisht. Por ama një pjesë janë figura të rëndësishme dhe ende nuk janë shprehur publikisht. Ata kanë preferuar të kenë statusin e të paekspozuarit të papozicionuar. Madje ata janë shumica. 20 deputetë që kanë heshtur deri tani janë ata në fakt që do vendosin nga do anojë peshorja. Janë ata që në një farë mënyre do përcaktojnë fituesin e betejës mes Berishës dhe Bashës. Ndoshta dikush prej tyre e shikon këtë betejë edhe si një mundësi për të lindur një lider i ri brenda grupit parlamentar pas një largimi të mundshëm të Bashës por edhe që Berisha të mos jetë pjesë e drejtimit të PD. Mendja të shkon menjëherë te katër deputetë: Tomorr Alizoti, Kreshnik Spahiu, Helidon Bushati, Oriola Pampuri. Të katër janë figura të rëndësishme që kanë treguar integritet në karrierën e tyre profesionale dhe politike, por që nuk janë shprehur as pro Bashës dhe as pro Berishës. A do të aspirojnë ata për të qenë kryetarë të PD? Nuk mund ta themi këtë, por heshtja e tyre në këto momente duke flori. Më tej vijojnë disa figura sekondare në PD që mungesa e pozicionimit të tyre edhe thotë por edhe nuk thotë gjë. Ata janë deputetët: Andia Ulliri, Belind Këlliçi, Bledjon Nallbati, Elda Hoti, Emilja Koliqi, Eralda Bano, Fatjon Veizaj, Greta Bardeli, Ilda Dhori, Kasëm Mahmutaj, Kastriot Piroli, Lindita Metalia, Merita Bakiu, Ramadan Likaj, Seladin Jakupllari, Zheni Gjergji. Si Basha dhe Berisha te kjo listë e kanë mendjen dhe sytë aktualisht. Në vartësi të pozicionimit të tyre, do anojë edhe peshorja se kush do ketë më shumë mbështetës në grupin parlamentar. Koha do ta vërtetojë se me kë do të jenë.
DEPUTETËT E PD TË NDARË PRO BASHËS DHE PRO BERISHËS
1.AGRON GJEKMARKAJ (Pro Bashës)
2. AGRON SHEHAJ, (Pro Berishës)
3. ALBANA VOKSHI, (Pro Berishës)
4. ALFRED RUSHAJ, (Pro Bashës)
5. ANDIA ULLIRI, (Nuk është pozicionuar)
6. ARBI AGALLIU, (Pro Bashës)
7. BELIND KËLLIÇI, (Nuk është pozicionuar)
8. BLEDJON NALLBATI, (Nuk është pozicionuar)
9. BUJAR LESKAJ, (Pro Berishës)
10. DASHNOR SULA, (Pro Bashës)
11. DHURATA TYLI, (ÇUPI) (Pro Bashës)
12. EDI PALOKA, (Pro Berishës)
13. EDMOND SPAHO, (Pro Berishës)
14. ELDA HOTI, (Nuk është pozicionaur)
15. EMILJA KOLIQI, (Nuk është pozicionuar)
16. ENKELEJD ALIBEAJ, (Pro Bashës)
17. ERALDA BANO (TASE), (Nuk është pozicionuar)
18. ERVIN SALIANJI, (Pro Bashës)
19. FATION VEIZAJ, (Nuk është pozicionuar)
20. FERDINANT XHAFERAJ, (Pro Bashës)
21. FLAMUR HOXHA, (Pro Bashës)
22. FLAMUR NOKA, (Pro Berishës)
23. FLUTURA AÇKA, (Pro Bashës)
24. GAZMENT BARDHI, (Pro Bashës)
25. GRETA BARDELI, (Nuk është pozicionuar)
26. GRIDA DUMA, (Pro Bashës)
27. HELIDON BUSHATI, (Nuk është pozicionuar)
28. ILDA DHORI, (Nuk është pozicionuar)
29. INA ZHUPA, (Pro Bashës)
30. ISUF ÇELAJ, (Pro Berishës)
31. JORIDA TABAKU, (Pro Bashës)
32. KASËM MAHMUTAJ, (Nuk është pozicionuar)
33. KASTRIOT PIROLI, (Nuk është pozicionuar)
34. KRESHNIK ÇOLLAKU, (nuk është pozicionuar)
35. LEFTER GËSHTENJA, (Pro Bashës)
36. LINDITA METALIAJ, (Nuk është pozicionuar)
37. LUAN BAÇI, (Pro Berishës)
38. LUÇIANO BOÇI, (Pro Berishës)
39. LULZIM BASHA
40. MERITA BAKIU, (Nuk është pozicionuar)
41. OERD BYLYKBASHI, (Pro Berishës)
42. ORJOLA PAMPURI, (Nuk është pozicionuar)
43. RAMADAN LIKAJ, (Nuk është pozicionuar)
44. SAIMIR KORRESHI, (Pro Bashës)
45. SELADIN JAKUPLLARI, (Nuk është pozicionuar)
46. SORINA KOTI, (Pro Berishës)
47. TOMOR ALIZOTI, (Nuk është pozicionuar)
48. TRITAN SHEHU, (Pro Berishës)
49. XHELAL MZIU, (Pro Berishës)
50. ZEF HILA, (Pro Bashës)
51. ZHENI GJERGJI, (Nuk është pozicionuar)