Nga: Alfred Peza
Nëse ka patur deri dje një justifikim për të gjithë dashamirësit e Lulzim Bashës, se përse ai nuk po ia dilte dot për 8 vjet me radhë që të bëhej edhe Kryetari “de facto” i PD edhe lideri real i opozitës, përgjigja ishte e atypëratyshme: Nuk e lë hija e madhe e Sali Berishës në oborrin e SHQUP. Koha i dha realtivisht të drejtë atyre, sikundër e ardhmja tani që Sali Berisha iku nga Grupi Parlamentar i PD, nuk e justifikon më për as edhe një çast Lulzim Bashën.
Modeli i deridjeshëm në rrugën e karrierës për Kryetarin e PD, ka qenë Edi Rama, ndaj Lulzim Basha u bë fillimisht ministër si edhe ai. Më pas Kryetar i Bashkisë së Tiranës, si edhe ai. E në fund, priti humbjen e PD në zgjedhjet e 2013, për të zëvendësuar Sali Berishën, siç bëri edhe Edi Rama me Fatos Nanon pasi PS humbi në zgjedhjet e 2005. Por ky rrugëtim paralel në korsi të ndryshme politike, fatkeqësisht për Lulzim Bashën u ndërpre këtu, pasi nuk kishte këllqe si edhe Edi Rama që ta vriste babain e tij politik për ti dhënë më pas formë lidershipit të tij.
Tani Lulzim Basha e ka më në fund këtë mundësi. Pavarësisht se nuk e vrau vetë politikisht Sali Berishën, por me dorën e SHBA, e rëndësishme është që tani rruga është e hapur dhe lisi i vjetër në selinë e PD u rrëzua. Lulzim Basha duhet ti japi epokës gjatë së cilës do e udhëheqi opozitën, profilin e tij. Identitetin e tij. Lidershipin e tij. Duke i vënë kësaj periudhe, vulën e tij. Vetëm kështu ai do të mbahet mend gjatë, nëse kërkon që të lerë gjurmë, në historinë e PD dhe të së djathtës.
Për tia dalë, Lulzim Basha mund ti drejtohet sërisht për ndihmë, modelit të Edi Ramës. Mjafton që këtë ta zbatojë më pas sipas kushteve të tij specifike, me origjinalitetin e profilit njerëzor, intelektual e politik. Vetëm kësisoj, do kemi një lider opozitar që kontraston thellë si në një lojës pasqyrash me Sali Berishën, por edhe një kandidat për të qenë një alternativë reale për ta udhëhequr Shqipërinë si Kryeminisër.
Nëse Fatos Nano ishte një lider modern shumë i zoti, por udhëhoqi gjatë gjithë kohës vetëm duke improvizuar, Edi Rama po e bën përmes kulturës së planifikimit të gjithçkaje në avancë.
Fatos Nano nuk i zbatoi kurrë rregullat protokollare, ndërsa Edi Rama nga një politikan atipik, pasi u zgjodh në krye të PS adoptoi shpejt normat e një lideri që sillet sipas lartësisë formale të detyrës.
Fatos Nano ishte një udhëheqë shumë familjar me baret, restorantet dhe buzukët, ndërsa Edi Rama me oraret, duke qenë tepër skurpuloz për harmonizimin e formës me përmbajtjen e produktit qeverisës.
Fatos Nano nuk kishte nerva për tu përballur në vijimësi me çdo element të opozitarizmit unikal të Sali Berishës, ndërsa Edi Rama ia doli ta mundi duke zbatuar deri në detaj, parimin e reciprocitetit.
Këto dhe shumë kontraste të tjera që meritojnë ndoshta një libër më vete, e kanë bërë Kryeministrin e sotëm, jo vetëm një lider fitues por edhe origjinal. Askush nuk mund të thotë dot, se lidershipi i Edi Ramës është i njëjtë me steriotipin e Fatos Nanos. Përkundrazi. Të dy janë liderë të sukesshëm të së majtës, pavarësisht se cilësitë e Edi Ramës janë ca më të arrira, pasi e kanë udhëhequr PS, të majtën dhe vendin përmes kapërcimit të sfida të jashtëzakonshme të dy kohërave të ndryshme.
A e bën dot Lulzim Basha përballë modelit të Sali Berishës, të njëjtën diferencë dhe kontrast, që Edi Rama ia doli të bënte në krahasim me Fatos Nanon? A mundet dot Lulzim Basha ta çmontojë, hedhë tutje e ta tejkalojë shpejt berishizmin si frymë dhe praktikë të mendimit, veprimit dhe udhëheqjes politike të PD e të djathtës sot dhe të vendit nesër, nëse vjen në pushtet? A do ia dalë dot edhe Lulzim Basha, që të jetë një lider me profil origjinal dhe udhëheqës cilësisht ndryshe nga paraardhësi i tij?
Për të shkuar deri atje, Lulzim Basha ka një rrugë shumë herë më të gjatë, sesa Edi Rama për tu bërë ai lideri krejt i ndryshëm jo vetëm nga ai që ka qenë derisa u bë Kryeministër, por edhe nga ai i atëhershmi i 2013. Edi Rama ka ardhur deri ketu, jo vetëm duke tejkaluar Fatos Nanon siç edhe është e natyrshme të ndodhë, por mbi të gjitha vetëveten. A do ia dali dot Lulzim Basha të tejkalojë Sali Berishën? Po vetëvetën? Kjo është çështja.
Edi Rama ia nisi nga disa gjëra të thjeshta, të cilat ai sot i kujton me nostalgji e autoironi. Duke hequr nga çorapet e verdha e xhinset e grisura, tek këmishat me dizajnet prej rock star-i, vathët dhe gjithçka tjetër të tepërt për një lider që do përfaqësonte jo vetëm veten, por PS e mbi të gjitha Shqipërinë. Ndërsa Lulzim Basha duhet tja fillojë nga orari i zgjimit dhe i gjumit. Nga dalja prej hijes së Sali Berishës, për të marë në sy çdo rrezik dhe mbi supe çdo peshë e përgjegjësi, derisa shqiptarët ta kuptojnë se ai është gati që të qeverisë të ardhmen e tyre.