Të dhëna të tjera tragjike janë hedhur në dritë, nga ngjarja në Tuz të Malit të Zi, ku 28-vjeçari Ilir Gjokaj vrau ish-të dashurën 19-vjeçare, dhe plagosi rëndë babanë e saj. Krimi ka qenë i paralajmëruar, e ndërsa detajet tronditëse përcillen nga mediat malazeze.
Viktima kishte denoncuar bashkëshortin
19-vjeçarja Sheila Bakija kishte bërë një denoncim, ku tregonte se 28-vjeçari e kishte kërcënuar me jetë, duke thënë se do e vriste. Shkak kryesor i kësaj ngjarje raportohet se është bërë ndarja mes çiftit, që mesa duket 28-vjeçari nuk ka dashur ta pranojë. Më 25 gusht, sipas dëshmisë së 19-vjeçares që u vra 4 ditë më parë, Ilir Dokaj i ka shkuar në banesë duke e kërcënuar. Ai i kishte thënë se nuk do ta lejonte të martohej me askënd tjetër, dhe se jeta e saj ishte në dorën e tij.
“Më 25 gusht 2021, rreth orës 23:00, isha në shtëpinë e prindërve të mi, Karabuško Polje BB, Ilir erdhi, hyri në oborr dhe u ngjit në tarracë. Kur e pashë, u përpoqa ta mbaja derën, por Iliri e shtyu dhe hyri në shtëpi. Pastaj më kërcënoi: Nuk do të kesh asnjë tjetër në qiell apo në tokë. Nuk do të të lejoj të martohesh me një tjetër!
Gjaku do të derdhet për këtë gjë! Jeta juaj është në duart e mia! Pastaj ai u largua. Vëllezërit dhe motrat e mia të mitur ishin të pranishëm në shtëpi, të tronditur nga sjellja e Ilirit. Për shkak të gjithçkaje që po më bën Ilir Gjokaj, ndihem e kërcënuar dhe kam frikë për sigurinë time”, ka deklaruar ajo në raportin e saj.
Autori i dyshuar i vrasjes, Ilir Gjokaj, shkoi në banesën e familjes Bakija, duke qëlluar për vdekje 19-vjeçaren Sheila Bakija dhe duke plagosur rëndë babain e vajzës.
Qytetarët në Mal të Zi ngrihen në protestë
Pasditen e së dielës, në Mal të Zi qytetarët u mblodhën në një protestë paqësore pas vrasjes së 19-vjeçares Sheila Bakija. Protesta u mbajt përpara ndërtesës së policisë në Tuz, dhe u organizua nga disa organizata jo-fitimprurëse.
Në një deklaratë, organizuesit kërkuan që të nisin urgjentisht hetimet për rastin e të resë, e cila dhunën nga bashkëshorti e kishte raportuar në polici.
“Ne i kërkojmë Administratës Policore, Ministrisë së Brendshme të Malit të Zi dhe Zëvendëskryeministrit për Sigurinë, Dritan Abazoviq, të fillojnë një hetim urgjent për këtë rast të dhunës ndaj grave, i cili përfundoi me humbjen tragjike të një jete të re, pavarësisht fakti se dhuna është raportuar në polici dhe gjyqësor”, thuhet në një deklaratë.