Policia zbarkoi mbrëmjen e djeshme në shtëpinë e Adriatik Llallës, pak orë pas vendimit të formës së prerë të Apelit të Gjykatës së Posaçme, për dënimin me 2 vite burg. Ata kanë ndenjur vetëm 15 minuta, dhe kanë konstatuar që Adriatik Llalla nuk ndodhet në banesë.
Ndërkohë, burimet bëjnë me dije se gruaja e tij ka deklaruar se nuk është në dijeni se ku ndodhet bashkëshorti i saj.
Lidhur me këtë çështje, Kreu i Shoqatës së Avokatëve Penalistë, Saimir Vishaj, ka përshëndetur vendimin e Gjykatës së Posaçme të Apelit.
Një ditë më parë, disa shqiptarë në Romë publikuan fotot e Llallës duke pritur trenin, ç’ka rrëzon pretendimet e avokatit se ish-kryeprokurori po merr mjekim në një spital. Avokat Vishaj ka deklaruar se vendimi i djeshëm i Apelit të GJKKO, është një moment historik, pasi sipas tij, vetë gjyqtarët e prokurorët treguan se reforma në drejtësi po funksionon teksa dënuan një ish-kryeprokuror.
“Le të flasë sot për peshqit e mëdhenj. Le të flasë sot çfarë ka ndodhur në jetën e tij profesionale si kryeprokuror. Peshqit e mëdhenj na i mësoi Llalla, le të dalë të tregojë kush janë peshqit e mëdhenj që ka pasur në dosje. Nëse është i ndërgjegjshëm të shkojë të dorëzohet”, deklaroi ai.
Më tej avokat Saimir Vishaj theksoi se ish-kryeprokurori Llalla, si një ish-zyrtar i drejtësisë duhet të zbatojë vendimin e gjykatës që ishte i formës së prerë, dhe nëse fshihet është i vetëdijshëm se është fajtor. “Sot duhet duartrokitur një vendim, por problemi është se pandëshkueshmëria duhet të sundojë në çdo sferë. Duhet të presim që kambanat të bien edhe për ministrat e ish-ministra, për të pasur respekt për reformën në drejtësi”, tha më tej avokati.