Gratë dhe fëmijët u dëmtuan rëndë, ndërsa të shtënat me armë u dëgjuan në aeroportin e Kabulit sot. Një civil gjerman u qëllua me armë, duke u përpjekur të arrinte në pistën ajrore. Mbretëria e Bashkuar paralajmëroi se fluturimet e evakuimit mund të ndalen në vetëm pak ditë, dhe disa njerëzve të cilëve u është premtuar për tu larguar, do të përfundojnë duke u lënë në Afganistan.
Pamjet e marra jashtë portës veriore të aeroportit “Hamid Karzai”, treguan se si familjet u shtrinë në dysheme, ndërsa turmat u larguan nga portat. Ushtarët lëshuan granata tymi dhe qëlluan në ajër.
Këto pamje të rënda vijnë nga aeroporti, e ndërsa familjet e dëshpëruara largojnë foshnjet mbi tela me gjemba, për ti marrë ushtarët amerikanë. Presidenti amerikan Joe Biden po përballet me urrejtjen në rritje në të gjithë botën, për braktisjen e afganëve. Trupat britanike SAS tani po dërgohen jashtë perimetrit të aeroportit, për të gjetur dhe nxjerrë ata që janë bllokuar, por është pothuajse e sigurt që ‘ekipet e vogla’ nuk do të jenë në gjendje të arrijnë në kohë tek të gjithë ata që kanë nevojë për ndihmë.
Gjermania tha se ka çuar helikopterë të forcave speciale në vend, me shpresën se ata mund të fluturojnë me misione shpëtimi për të tërhequr qytetarët gjermanë dhe të tjerët që janë bllokuar në Kabul, dhe për t’i sjellë ata në aeroport.
Tokhi, 34 vjeç, një ish-përkthyes britanik, i tha “The Times” se ai ka qenë tre herë në aeroport, që kur forcat britanike i dërguan një email në fillim të kësaj jave.
Ndërkohë Shafiqa, e cila stërvitej me forcat speciale britanike pranë Kabulit, tha se ajo dhe dy kolege femra kanë plotësuar formularët që kërkojnë hapësirë në fluturimet në Mbretërinë e Bashkuar, por ende nuk janë thirrur në aeroport edhe pse talebanët përpiqen t’i gjejnë ato.
26-vjeçarja tha se ajo është larguar nga shtëpia e saj, për shkak të zërave se luftëtarët islamikë kanë hyrë në listat e bashkëpunëtorëve britanikë. Ajo tani po lëviz mes shtëpive në qytet, me shpresën se mund t’i shmanget xhihadistëve aq gjatë sa të lirohet hapësira në një fluturim evakuimi.
Fluturimet e evakuimit po vazhdojnë të nisen sot me SHBA-të, që shpresojnë të nxjerrin rreth 2.000 njerëz jashtë dhe Britania e Madhe 1.000 të tjerë.
Britania ka premtuar se do të evakuojë rreth 7.000 qytetarë britanikë dhe staf afgan nga vendi, përveç 5.000 refugjatëve, por Ministri i Forcave të Armatosura James Heappey paralajmëroi sot se jo të gjithë ata që kanë nevojë për ndihmë, do ta marrin atë.
Duke iu përgjigjur kritikave se avionët britanikë po lënë aeroportin nën kapacitet, ai tha se forcat e armatosura po “punojnë shumë” për t’u siguruar që çdo aeroplan është i mbushur.
Të enjten, 963 njerëz u nxorën nga Kabuli, tha ai, dhe shtoi se një mijë të tjerë do të largoheshin të premten-edhe pse kjo është nën objektivin fillestar të qeverisë prej 1.200 në ditë.
SHBA ka evakuuar rreth 7.000 njerëz që nga e diela, tha një zëdhënës i Pentagonit të enjten, duke e çuar totalin që nga korriku në 12.000 me një objektiv prej të paktën 22.000 – megjithëse grupet e ndihmës kanë thënë se 80.000 do të duhet të largohen jashtë për të mbajtur premtimin e Biden, për të siguruar strehë për të gjithë ata që ndihmuan forcat amerikane.
NATO tha se gjithsej 18.000 njerëz janë larguar nga vendi që nga e diela, e cila përfshin stafin e misioneve më të vogla – shumë më pak se premtimet e vendeve perëndimore për të marrë më shumë se 100.000 refugjatë afganë mes tyre dhe madje rreth 50.000 presin shpëtimin jashtë aeroportit.
Boris Johnson do të kryesojë sot një takim tjetër, për të diskutuar situatën. “Ne kemi arritur ta shpejtojmë atë shumë. Gjëja kryesore është të çosh njerëz në aeroport, kjo është gjëja e vështirë. Ata duhet të kalojnë përmes pikave të kontrollit, ku janë talebanët, dhe kjo duket se po bëhet më e vështirë”.
Burimi i lajmit: Dailymail. Përshtatur nga Tirana Today