Facebook ka sjellë masa të reja sigurie, për përdoruesit e shqetësuar për sigurinë e tyre në Afganistan, ndërsa talebanët vazhdojnë të forcojnë kontrollin e tyre mbi pushtetin.
Kompania thotë se “hoqi aftësinë për të parë dhe kërkuar në listën e “Miqve” për llogaritë në Facebook në Afganistan”, për të mbrojtur njerëzit nga shënjestrimi. Faqja profesionale e rrjeteve LinkedIn gjithashtu ka ndërmarrë hapa, duke fshehur lidhjet e kujtdo në vend.
Ka shqetësime që talebanët po përdorin mediat sociale, për të gjetur kundërshtarët. Masat shtesë të sigurisë u njoftuan të enjten, nga kreu i politikës së sigurisë në Facebook, Nathaniel Gleicher.
“Ne kemi nisur një mjet me një klikim për njerëzit në Afganistan, për të mbyllur shpejt llogarinë e tyre. Kur profili i tyre është i kyçur, njerëzit që nuk janë miqtë e tyre, nuk mund të shkarkojnë ose ndajnë foton e profilit të tyre, ose të shikojnë postimet në kronologjinë e tyre”, shkroi në Twitter, Nathaniel Gleicher.
Ai tha se në Instagram në pronësi të Facebook “ne po lëshojmë paralajmërime në Afganistan, me hapa specifikë se si të mbroni llogarinë tuaj”.
Gleicher shtoi se ishte “duke punuar ngushtë me homologët në industri, shoqëri civile dhe qeveri, për të ofruar çdo mbështetje që munden, në mbrojtjen e njerëzve”.
Më parë, gjiganti i teknologjisë konfirmoi se do të vazhdonte të ndalonte përmbajtjen e talebanëve nga platformat e tij, pasi e konsideron grupin si një organizatë terroriste.
Ndërkohë, Twitter tha në një deklaratë këtë javë se “përparësia e tij kryesore është mbajtja e njerëzve të sigurt, dhe ne mbetemi vigjilentë”.
“Situata në Afganistan po evolon me shpejtësi. Ne jemi gjithashtu dëshmitarë të njerëzve në vend që përdorin Twitter, për të kërkuar ndihmë”.
Twitter-i është vënë nën vëzhgim për trajtimin e përmbajtjeve të lidhura me talebanët. Zëdhënësit talebanë përdorën platformën për të azhurnuar qindra mijëra ndjekësit e tyre, ndërsa grupi militant rimori kontrollin mbi Afganistanin.
Në përgjigje të pyetjeve të BBC-së në fillim të kësaj jave në lidhje me përdorimin e Twitter-it nga talebanët, një zëdhënës i kompanisë theksoi politikat kundër organizatave të dhunshme dhe sjelljeve të urrejtjes.
Sipas rregullave të tij, Twitter-i nuk lejon grupe që promovojnë terrorizmin ose dhunën kundër civilëve.
Në një deklaratë të dërguar në BBC, një zëdhënës i kompanisë LinkedIn tha: “Ekipi ynë po monitoron nga afër bisedat rreth zhvillimeve në Afganistan, dhe po ndërmerr veprime për çdo përmbajtje që nuk ndjek politikat tona të komunitetit profesional”.
“Ne kemi marrë gjithashtu disa masa të përkohshme, duke përfshirë kufizimin e dukshmërisë së lidhjeve për anëtarët tanë në vend”.
Burimi i lajmit: BBC. Përshtatur nga Tirana Today