Dy ish-truprojat e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, u arrestuan për llogari të Strukturës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, në kuadër të operacionit “Shpirti”. Fakti që SPAK aplikoi metodën e Antimafies Italiane, ku përdori informatorët dhe një pjesëtar të bandës, të cilit iu dha statusi i të penduarit të drejtësisë, jep sinjale se ish-ministri i Brendshëm rrezikohet. Nëse dy ish-truprojat e Tahirit, Hekuran Marku dhe Paul Deda ekstradohen në Shqipëri dhe japin pëlqimin për t’u kthyer në bashkëpunëtorë të drejtësisë, ish-ministri socialist rrezikohet nga drejtësia.
Dolën në përgjimet e operacionit “Shpirti”, 2 ish-shoqëruesit e Saimir Tahirit arrestohen në Francë dhe Gjermani
Dy ish-truprojet e ish-ministrit Saimir Tahiri, Hekuran Marku dhe Paul Deda alias Agustin Deda, ishin në kërkim ndërkombëtar prej 2 muajsh, pasi dolën në përgjimet e megaoperacionit “Shpirti”.
Hekuran Marku është arrestuar në Gjermani dhe Agustin Deda është arrestuar në Francë. Sipas dosjes së SPAK, ata akuzohen se në bashkëpunim me 4 italianë dhe një shqiptar të njohur si Eltjon Bregu, kanë trafikuar rreth 1 ton kanabis drejt Italisë, drogë që iu sekuestrua dy të arrestuarve në Bari, Fiqiret Seferi dhe Ferhat Ajdini.
SPAK dyshon se Deda dhe Marku kultivuan drogë me Bregun dhe tentuan ta trafikonin për t’ua dorëzuar katër italianëve. Emrat e Agustin Dedës dhe të Hekuran Markut dolën nga dëshmia e 4 të penduarve të drejtësisë, të cilët kanë rrëfyer për trafikun e drogës nga Shqipëria drejt Italisë. Ata bashkëpunuan duke dhënë informacione për 3 vite, pas të cilave SPAK, në bashkëpunim me Antimafian italiane, Eurojust dhe DIA, dokumentuan aktivitetin kriminal të 4 grupeve që trafikonin drogë nga Shqipëria drejt Italisë dhe Spanjës.
Dy ish-shoqëruesit e Tahirit, janë mes 38 urdhër-arresteve të prera në kuadër të këtij operacioni, që është rrjedhë e zhvillimeve hetimore të operacioneve “Shefi” e “Kulmi”, ekzekutuar në 2018 e 2020 nga Drejtoria e Antimafias Italiane të Barit, ku u arrestuan 37 persona, u sekuestruan 40 milionë euro drogë, 4 milion euro asete si prona, automjete e para cash.
Në 28 shtator në orën 10:00, Tahiri ka seancën e radhës gjyqësore në Gjykatën e Lartë, por nëse ish-truprojat vendosin të flasin, vjeshta do të rezervojë surpriza për ish-ministrin e Brendshëm.
Ky i fundit u vu nën akuzë pas arrestimit të grupit “Habilaj”. Seanca gjyqësore për Jaeld Çelën dhe Saimir Tahirin do të mbahet më 28 shtator ora 10:00, në Gjykatën e Lartë. Ish drejtori i policisë së Vlorës, Jaeld Çela u vetëdorëzua vitin e kaluar. Ish zyrtari i lartë u dënua me 3.4 vite burg për “shpërdorim detyre”, ndërsa ish-ministri Tahiri u dënua nga Krimet e Rënda për shpërdorim detyre me 3 vite shërbim prove.
Kujtojmë se Jaeld Çela, ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri dhe dy ish zyrtarët Sokol Bode dhe Gjergj Kohila, akuzohen se ishin edhe pjesë e grupit të Habilajt që mbillte drogë në Shqipëri dhe e transportonte me skafe në Itali.
TIRANA TODAY