Ndeshjet e sotme të skuadrave shqiptare:
19:00 Teuta-Inter Club D’Escalades (Andora)
19:00 AEL Limasol-Vllaznia (Qipro)
19:00 Laçi – Kraiova (Rumani)
19:00 Riga-Shkëndija e Tetovës (Letoni)
20:00 Shkupi – Santa Klara (Portugali)
20:15 Bazel- Partizani (Zvicër)
21:00 Drita – Fejenord (Holandë)
Sonte luhen ndeshjet e vajtjes së raundit të dytë paraeliminator të Conference League, kompeticionit të vetëm ku luajnë skuadrat shqiptare në këtë fazë. Teuta, Shkëndija e Tetovës dhe Prishtina i’u bashkuan këtij kompeticioni nga skualifikimi që pësuan në Champions League. Teuta dukshëm favorite ndaj modestëve të Andorës është ndoshta skuadra e vetme që e nis si superior përballjen e saj në Europë. Bashkë me ndeshjet e tjera të këtij raundi në total luhen sonte 49 ndeshje në këtë kompeticion.
Skuadrat shqiptare në Europë (Conference League) vijnë përpara kundërshtarëve me potencialë të ndryshëm. Bazeli i cili i ka rënë për hise Partizanit dhe Inter Escalades me të cilët luan Teuta e Durrësit, janë për shembull dy skuadra diametralisht të kundërta në aspektin e forcës, buzhetit, cilësisë, reputacionit, traditës, historisë etj. Një më një, sa shanse kanë respektivisht skuadrat e Superligës që të kalojnë në raundin pasardhës.
Laçi
Laçi, skuadra shqiptare më pak e mediatizuar në raport me atë vëmendje që duhet të kishte nga opinioni publik sportiv, përballet me një skuadër rumune, me UNIVERSITATEA CRAIOVA-n. Rumunët e mbyllën kampionatin e kaluar në vendin e 3-të pas Steauas dhe Cluj-it. Craiova është një skuadër me vlerë monetare diku tek 27 milion euro, dhe me një stadium 30 mijë vendësh. Laçi, nga ana tjetër vlerësohet rreth 4 milion euro dhe ka një stadium modest me rreth 5 mijë vende. 4 kampionate Rumanie përballë një Laçi që nuk është shpallur kurrë kampion në Shqipëri dhe pse me pak fat këtë vit mund t’ia kishte dalë, por pezullimi i Nuabuezes e penalizoi shumë skuadrën simpatike veriore. Lojtari i tyre më i shtrenjtë kuotohet Alexandru Cicaldau, i cili e ka vlerën në merkato më shumë se i gjithë ekipi i Laçit. Pra nga ana ekonomike dhe e infrastrukturës, Craiova niset dukshëm superiore ndaj kurbinasve dhe pse e kanë nisur këto ditë dhe kampionatin, çka do të thotë që janë para dhe me përgatitjet.
Por ku mund ta gjejë forcën Laçi? Laçi është një skuadër që siç u përmend më sipër pak e mediatizuar në raport me vëmendjen që meriton. Ata luajnë në Europë vit pas viti, dhe në këto nivele eksperienca e vazhdueshme krijon mini-traditën që të bëhet krah në momente të tilla. Ruajnë në mënyrë të mirëmenduar boshtin e skuadrës vit pas viti, blejnë lojtarë nga më të kërkuarit e kampionatit pa shumë zhurmë dhe kanë një trajner si Shpëtim Duro që e ka ndërtuar vetë këtë ekip dhe e njeh shumë mirë. Është ndoshta skuadra me merkaton më preçize në Shqipëri. Shanset e Laçit nisur dhe nga kuotimet e ekspertëve të basteve mund të përllogariten tek 18% (*matematika në futboll e humb ekzaktësinë e saj, shërben thjesht për orientim provizor).
Partizani
‘Demat’ ndeshen me skuadrën më prestigjoze ndër kundërshtarët e skuadrave Shqiptare. Për supremacinë e Bazelit mund të thuash fakte pafund, por ato më interesantet po i përmbledhim shurtimisht. Fitues të 20 kampionateve zvicerane dhe 13 kupa në vendin alpin. Vlera aktuale e skuadrës: 43 milion euro. Disa nga transferimet e kësaj vere: Serhio Lopez nga akademia e Realit, Kardoso në huazim nga Uest Hemi i Premier Ligës, Lang i afruar nga Gladbahu, Millar i afruar nga Liverpuli dhe Esposito në huazim nga Interi. Kaq mjafton për ta cilësuar mision të pamundur qëllimin e Partizanit për të kaluar raundin. Bazeli ka në përbërje shqiptarët: Tician Tushi, Taulant Xhaka, Edon Zhegrova dhe Pajtim Kasami. Ka për të qenë një duel luksi për Partizanin që të ndajë fushën me këta lojtarë të një niveli që do të pretendojë finalet e Conference League-s. Nëse do të na kërkohej një % për të cilësuar shanset e Partizanit në këtë përballje, do të ishte një numër pranë 0-s, megjithëse në futboll nuk i dihet asnjëherë.
Vllaznia
Vllaznia-Ael Limasol, ndeshje dhëmbë për dhëmbë. Që në pamje të parë, duket njëfarë barazpeshe pasi skuadrat qipriote gjithnjë kanë qenë superiore ndaj skuadrave shqiptare në aspektin e buxhetit, por grinta e Vllaznisë shtangu dhe vetë qipriotët që ishin me mendjen në Bosnje, pasi mendonin se do të luanin ndaj Shirokit këtë javë. Ja që Vllaznia i dha një paralajmërim të fortë kundërshtarëve të rradhës. Do të jetë një përballje me mentalitet ballkanas. Mentaliteti grek i Ael-it përballë mentalitetit shkodran të futbollit, që është forca e grupit. Vlera e qipriotëve në merkato i kalon 10 milion euro ndërsa ajo e Vllaznisë kuotohet jo më shumë se 4. Kanë afruar së fundi mesfushorin Bryan Pele nga Guingampi në Francë dhe Kire Ristevskin që dikur luante për Elbasanin në Superligë dhe që pak javë më parë luajti Euro 2020-ën me Maqedoninë e Veriut. Së fundi shiti sulmuesin Ryan Mmaee tek Ferencvaroshi i Uzunit për 650 mijë euro. 6 herë kampionë Qiproje, ata luajnë në një stadium me 13 mijë vende.
Vllaznia ka një pikë të fortë në këtë përballje. Eksperiencën e raundit të parë ndaj Shirokit. Tani ata e dinë se dhe në disavantazh prej dy golash, mund ta kthejnë sfidën në favor në çdo moment. Ndihen më të motivuar se kurrë. Kanë grup, dhe bëhet fjalë për një grup që për pak fitoi kampionatin shqiptar, që përveç financave, është minimumi i të njëjtit rang me atë qipriot. Ael-i mund të niset më i favorizuar, por shanset nuk janë në disbalancë domethënëse. Me siguri do të vendoset në ndeshjen e dytë.
Teuta
Teuta përballet me kundërshtarin më të lehtë në këtë raund nga të gjithë klubet shqiptare. Inter d’Escalades është një ekip modest nga Andorra që u eliminua më herët nga Prishtina në Champions. Teuta kampione e Superligës vjen dukshëm më e favorizuar në këtë përballje dhe qëllimi është fitorja pa pasoja, që mund të ishin dëmtimet apo kartonët. Durrsakët do të kenë mungesa por kjo nuk pritet të ndikojë në objektivin e vetëm; kalimi i turit. Kjo nuk do të thotë që Teuta duhet të fillojë të mendojë për Shamrok Roversin, ekipin irlandez që do të luajë me fituesen e çiftit Teuta-Inter Club d’Escaldes.
Skuadra kampione e Andorës ka një vlerë prej 2 milion eurosh, përballë vlerës së Teutës që përllogaritet mbi 5 milion euro. Një shtysë më shumë për Teutën do të jenë dhe Seferi i huazuar nga Tirana si dhe Kallaku i huazuar deri në janar.
-Totila Kotorri/TIRANA TODAY