Sot u kap një kontejner me banane, brenda të cilit u gjetën 14 pako me kokainë. Për lëndën narkotike janë shoqëruar për t’u marrë në pyetje dy persona. Mësohet se ata janë porositësi dhe drejtuesi i kamionit që do të merrte kontejnerin.
Kontejneri është nisur nga Ekuadori në datë 26 maj, dhe në total ka ndaluar në 5 porte. Ndalesa e parë pas nisjes është në Guayaquil të Ekuadorit në orën 02:47 të 27 majit. Aty ka qëndruar për 2 ditë dhe më pas mëngjesin e 29 majit është nisur drejt Marokut të Afrikës së Veriut. Edhe në këtë ndalesë, kontejneri ka qëndruar për një kohë relativisht të gjatë, nga data 16-24 qershor. Nga Maroku, kontejneri ka udhëtuar drejt portit të Greqisë për të mbërritur më pas në Portin e Durrësit, ku dhe pas kontrollit të detajuar u gjet 15 kg kokainë.
“Alba Exotic fruit” është kompania që kishte porositur sasinë e bananeve nga Ekuadori, në kontejnerin e së cilës u gjet 15 kilogramë kokainë. “Alba Exotic fruit” është me seli në Kombinat, Tiranë, dhe operon në treg që nga viti 2011, ndërsa pronarë të saj janë Eduart Dauti dhe Barjon Gumeni. Objekt të aktivitetit, mes të tjerash, kjo kompani ka edhe import, eksport, tregtim, grumbullim dhe përpunim fruta perime të ndryshme.
Kompania “Alba Exotic Fruit” rezulton e përmendur edhe më parë për trafik droge, ku në vitin 2019, në kontejnerët e kësaj kompanie, në Pire të Greqisë u gjetën 137 kg kokainë që u zëvendësua me oriz me GPS nga autoritetet.