Presidenti i Kinës, Xi Jinping mbajti fjalimin e tij në sheshin e Pekinit, me rastin e 100 vjetorit të Partisë Komuniste Kineze.
Xi bëri thirrje për unitet kombëtar, teksa paralajmëroi se Kina nuk do të shtypet apo skllavërohet nga forcat e huaja. Një deklaratë kjo, që synon të rrisë autoritetin e tij në vitet në vijim, shkruan The Wall Street Journal.
Ai këmbënguli se Kina ka dalë në mënyrë të pakthyeshme nga poshtërimi i kaluar nga fuqitë e huaja, në një epokë krenarie dhe prosperiteti.
”Populli kinez nuk do të lejojë kurrë asnjë forcë të huaj të na shtypë ose skllavërojë. Kushdo që përpiqet ta bëjë këtë, do të goditet dhe do të gjakoset nga përplasja me një mur të madh çeliku të ndërtuar nga më shumë se 1.4 miliardë kinezë”, tha ai, duke tërhequr brohoritje dhe duartrokitje nga 70 mijë të pranishmit në shesh.
Festimet për 100 vjetorin e Partisë Komuniste, po e ndihmojnë Xi që të tregojë arritjet e tij, ndërsa vendi përballet me një rritje të ngadaltë ekonomike, dhe marrëdhënie të ngrira me SHBA e fuqitë e tjera perëndimore.
Zyrtarët kanë përdorur gjithashtu festimet madhështore për të nënvizuar ndikimin e Xi ndërsa ai përgatitet për një kongres vitin e ardhshëm, ku ai pritet të kërkojë një mandat të tretë në krye të partisë dhe të zgjedhë struktura të reja.