Nga: MARSELA SINANI
Jetojmë në një botë digjitale, ku teknologjia në jetën urbane është kthyer tashmë në një mjet jetik e të pazëvendësueshëm. Varësia e internetit na ka kthyer nga bota reale në atë virtuale. Rrjetet sociale janë një nga format më të përdorura për të komunikuar. Përpos përfitimeve që kjo ka sjellë, ekziston edhe një risk shumë i madh për sigurinë dhe privatësinë.
Këshilla e ekspertëve vlen për të gjithë: Mënjanoni ‘password’-et e thjeshta. Duke iu referuar një studimi, ka ende njerëz që përdorin në rrjetet sociale fjalëkalimet më të lehta për t’u hakuar si ‘123456789’, fjalën ‘fjalëkalim’ dhe ‘iloveyou’.
Për të mos rënë pre e hakersave në rrjetet sociale, ‘Tirana Today’ ka kërkuar disa këshilla të vlefshme nga Meri Roboçi, eksperte në ICT, MSc, Siguri Informacioni. Nëse e keni pësuar me rrjetet sociale, Meri na përcjell disa truke të cilat janë mëse të nevojshme.
Meri Roboçi në foto
Ajo thotë se kur krijojmë fjalëkalimet, me rëndësi është që të shmangim përdorimin e vetëm numrave, sidomos në një rend të caktuar, rritës apo zbritës, psh: 12345678 apo 87654321. Fjalëkalime të tilla konsiderohen ndër më të dobëtit, pasi janë shumë të përdorshëm dhe të parashikueshëm nga kushdo. Po kështu, me mjaft risk janë edhe fjalëkalimet të cilat përmbajnë të dhëna personale tonat, si ditëlindja, emri, vendlindja apo vendbanimi.
Për të patur një fjalëkalim të sigurt, rekomandohet përdorimi i shkronjave, numrave dhe simboleve, duke zëvendësuar njëri-tjetrin apo dhe duke u kombinuar në mënyrë të paqartë për dikë tjetër. Ekspertja thotë se password-i duhet të ndryshohet çdo 60-90 ditë dhe asnjëherë të mos ripërdoret një password i vjetër, që askush të mos vihet në rrezik nga hakersat.
1- Cilët janë password-et që vidhen kollaj dhe ato të pathyeshëm?
Kur krijojmë fjalëkalimet tona, është e rëndësishme të shmangim përdorimin e vetëm numrave, sidomos në një rend të caktuar, rritës apo zbritës, psh: 12345678 apo 87654321. Fjalëkalime të tilla konsiderohen ndër më të dobëtit, pasi janë shumë të përdorshëm dhe të parashikueshëm nga kushdo.
Fjalëkalime të cilat gjithashtu mund të zbulohen lehtësisht nga të tjerë janë ata të cilët përmbajnë të dhëna personale tonat, si ditëlindja, emri, vendlindja apo vendbanimi. Gjithashtu, njerëzit kanë tendencë të vendosin si fjalëkalim emra apo data që lidhen me interesat e tyre, si psh: skuadra e preferuar e futbollit apo emrat e kafshëve shtëpiake. Për ta përmbledhur, çdo gjë e jona e cila na identifikon apo informacion i yni që është deri diku publik, duhet të mos përfshihet në fjalëkalimet që krijojmë. Për të patur një fjalëkalim të sigurt, rekomandohet përdorimi i shkronjave, numrave dhe simboleve, duke zëvendësuar njëri-tjetrin apo dhe duke u kombinuar në mënyrë të paqartë për dikë tjetër. Psh. zëvendësimi i shkronjës ‘i’ me numrin 1 apo shkronja ‘e’ me numrin 3, do ta transformonte fjalën ‘Lexim’ nga një fjalë e zakonshme në një fjalëkalim me të komplikuar – L3x1m.
2- Cilat janë ndër password-et më popullore e që shpesh njerëzit bien në grackë?
Ndër password-et më popullorë që njerëzit kanë tendencë të përdorin, përveç atyre të përmendur më lartë, janë passwordet që duken të komplikuar, por përfaqësojnë një kombinim të rastësishëm të tasteve të tastierës. Psh password-i ‘qwertz’, është kombinimi i të gjithë shkronjave të rreshtit të parë të tastierës, dhe si i tillë, edhe pse në dukje mund të mendohet si i komplikuar, është tepër i pasigurt. Shumë njerëz kanë rënë gjithashtu në grackën e vet fjalës ‘password’ duke vendosur këtë fjalë si fjalëkalim. Një zgjedhje që fillimisht dukej interesante apo e veçantë, por që ka humbur vlerë duke u bërë shumë password i përdorur.
3- Cili është kombinimi ose modeli më i mirë që njerëzit të mos bien pre e hakerave?
Modeli më i mirë i një password-i do të ishtë një password pa një kuptim logjik. Pra një kombinim unik i numrave, simboleve dhe shkronjave, të cilat nuk kanë asnjë kuptim të veçantë. Megjithatë, duke patur parasysh që një kombinim i tillë është i vështirë për tu mbajtur mend, sugjerohet të bëhen kombinimet e numrave me shkronjat dhe simbolet, si zëvendësimet e përmendura më sipër, si dhe përdorimi i shkronjave të mëdha dhe të vogla në mënyrë rastësore- psh, password-i L3x1m më sipër, do bëhej edhe më i ndërlikuar nëse do të ishte psh. l3X1m, pasi shkronja e madhe në fillim të fjalës mund të parashikohet më lehtë se sa në mes të saj, duke u nisur nga rregullat e gjuhës. Pra në përgjithësi, për një password të sigurt do duhet thyerje e disa rregullave logjik apo gjuhësor dhe kreativitet për të menduar në mënyrë sa më unike kombinimin e radhës.
4- Ekspertët e sigurisë kibernetike këshillojnë përdoruesit që të jenë të kujdesshëm me fjalëkalimet e tyre. A duhet që password-i të ndërohet shpesh, për të qenë më të sigurte? Sa karaktere duhet të ketë password-i?
Këshillohet që password-i të ndryshohet çdo 60-90 ditë dhe asnjëherë të mos ripërdoret një password i vjetër. Kjo duhet bërë edhe më shpesh sidomos nëse i përdorim llogaritë tona nga një internet publik apo kompjutera të ambienteve të përbashkëta, si psh në punë ku pajisjet mund të mos jenë personale. Gjithashtu, nëse hapësira për të cilën po krijojmë password-in e lejon, duhet krijuar fjalëkalim i gjatë në deri 12 karaktere pasi sa më i gjatë password-i, aq më shumë mundësi kombinesh të veçanta do të ketë./TIRANA TODAY