Kina njoftoi të martën zbulimin e rastit të parë të një njeriu të prekur nga gripi i shpendëve H10N3. Deri më tani kjo gjë nuk ka ngritur asnjë alarm me mesin e autoriteteve shëndetësore botërore por edhe ekspertëve. Ja çfarë dimë deri më tani:
Çfarë u zbulua ?
Rasti me gripin e shpendëve H10N3, është i pari i këtij lloji i vërejtur tek njerëzit.“Pacienti është një mashkull 41 vjeçar nga Provinca Jiangsu në Kinë” i deklaroi Organizata Botërore e Shëndetësisë agjencisë franceze të lajmeve AFP.
“Ai shfaqi shenja të sëmundjet më 22 Prill 2021, dhe u shtrua në spital në 28 Prill në një njësi të kujdesit intensiv. Aktualisht i sëmuri është duke u rikuperuar”-theksohet në deklaratën e dhënë përmes e-mailit.
Komisioni Kombëtar i Shëndetit në Kinës (NHC), theksoi se burri u diagnostikua me H10N3 vetëm 1 muaj pasi ishte shtruar në spital. “Burimi i ekspozimit të pacientit ndaj virusit H10N3 nuk dihet ende”- thekson OBSH-ja në reagimin e saj.
Çfarë është gripi i shpendëve?
“Gripi i shpendëve, shkaktohet nga viruset e gripit që përhapen midis zogjve”- thotë Nikol Robnga Universiteti Uoruik, cituar nga Science Media Center (SMC). “Shumë shpesh ai mund të përhapet lehtësisht midis zogjve, por shkakton shumë rrallë sëmundje tek njerëzit”- tha ajo.
Xhon Mekulej i Institutit Frencis Krik shtoi:“Ekziston një gamë shumë e gjerë e viruseve të gripit në qarkullim tek zogjtë, e cila është shumë më e gjerë se sa ato e patogjenëve kryesorë që gjendet tek njeriu, derrat dhe kuajt”.
Dy llojet e gripit të shpendëve, H5N1 dhe H7N9, (identifikuar për herë të parë në vitin 2013), çuan në sëmurjen e mijëra njerëzve në Azi nëpërmjet zogjve të infektuar. Dy llojet e gripit të shpendëve, H5N1 dhe H7N9, çuan në kontaminimin e njerëzve në Azi përmes zogjve të infektuar.
Epidemia e virusit H5N1 shpërtheu për herë të parë në vitin 1997, pastaj u përhapën midis viteve 2003 dhe 2011, ndërsa H7N9 u zbulua për herë të parë në vitin 201. Rastet e transmetimit të këtyre viruseve mes njerëzve mbeten jashtëzakonisht të rralla.
Sipas Organizatës së Ushqimit dhe Bujqësisë në OKB, H7N9 ka infektuar 1.668 njerëz, dhe u ka marrë jetën 616 prej tyre që nga viti 2013. Ndërkaq, virusi H5N8, që rrjedh nga H5N1, u zbulua në shkurt të këtij viti midis punëtorëve në një fabrikë pulash në Rusi, pasi kishte qarkulluar për disa muaj në disa ferma evropiane. Mekulej citon gjithashtu incidente sporadike të infeksionit që përfshijnë viruset H9N2 dhe H10N8 në të gjithë botën gjatë 20 viteve të fundit.
Po si mund ta preken njerëzit?
“Transmetimi tek njerëzit ndodh zakonisht përmes kontaktit të drejtpërdrejtë”- thotë Mekulej, duke përmendur “kontaktet shumë të ngushta me zogj të infektuar, shpendë ose rosa me ekspozim të drejtpërdrejtë gjatë trajtimit të tyre, ose gjatë përgatitjes së mishit nga kafsha e infektuar”.
Eksperti ndalet tek epidemia e virusit H5N1 në vitin 1997 në Hong Kong, që çoi në mbylljen e tregjeve të shpendëve. “Pasi gatuhet mishi i infektuar paraqet një kërcënim shumë të ulët për konsumatorit”-thekson Mekulej.
Ndërkohë,OBSH vë në dukje se “për sa kohë që viruset e gripit të shpendëve qarkullojnë tek shpendët, infeksioni sporadik me gripin e shpendëve tek njerëzit nuk është për t’u habitur, madje ai është një kujtesë e gjallë se kërcënimi i një pandemie të gripit është i vazhdueshëm”.
Sa i përket transmetimit midis njerëzve, Vinsent Enuf i Institutit Pastër thotë:“Që virusi ta kapërcejë barrierën midis 2specieve janë të nevojshme mutacionet”.
Cilat janë rreziqet?
“Në këtë moment, nuk ka asnjë tregues të transmetimit të virusit H10N3 nga njeriu tek njeriu”- thotë zyrtarisht Organizata Botërore e Shëndetësisë. “Ne nuk kemi ndonjë informacion në lidhje me mutacionet e këtij virusi, që mund të jenë të dobishëm për të përcaktuar nëse ai mund të ketë potencialin për t’u transmetuar midis njerëzve”-shtoi Enuf.
“Autoritetet kineze thonë se virusi nuk është zbuluar tek njerëzit e tjerë, gjë që është qetësuese”-thotë ai. Edhe në mesin e popullatës së shpendëve, ku H10N3 është zbuluar në tregjet e shpendëve të gjalla në mënyrë periodike që nga viti 2002, OBSH thotë se është një virus “me patogjenitet të ulët”, gjë që do të thotë se shkakton pak shenja të sëmundjes tek ai që e bart.
Rob thekson se viruset që i përkasin nëntipeve H5 ose H7 janë“më shqetësuese”, pasi është provuar se ato evoluojnë në shtame shumë të rrezikshme. “Këto shtame shkaktojnë sëmundje fatale tek zogjtë dhe mund të shkaktojnë sëmundje serioze tek njerëzit në rastet e rralla kur janë infektuar njerëzit”- thotë ajo.
Burimi i lajmit: https://medicalxpress.com/news/2021-06-human-case-h10n3-bird-flu.html
Përshtatur nga TIRANA TODAY