Nga James Forsyth “The Spectator”
Teoria se pandemia e Covid-19 filloi nga një rrjedhje aksidentale e virusit nga një laborator kërkimesh në Vuhan po fiton shumë terren. Presidenti amerikan Xho Bajden ka urdhëruar agjencitë amerikane të inteligjencës amerikane që “të dyfishojnë përpjekjet e tyre”, dhe t’i raportojnë atij brenda 90 ditësh mbi origjinën reale të kësaj pandemie.
Administrata amerikane e ka bërë të qartë se agjencitë e ndryshme të inteligjencës janë të ndara në debatin nëse virusi është natyral apo i prodhuar nga vetë njeriu. Ndaj është e dyshimtë nëse agjencitë amerikane, do të jenë në gjendje të arrijnë në një përfundim shumë të besueshëm.
Nuk ka të ngjarë të shohim prova përfundimtare. Nga ana e saj, qeveria britanike mbetet e përkushtuar për një studim të mëtejshëm të Organizatës Botërore të Shëndetësisë nëse sëmundja erdhi nga kafshët apo jo. Ditët e fundit ka rënë në sy fakti se sa shumë zyrtarë në parlamentin dhe qeverinë britanike, mendojnë tani se teoria e rrjedhjes laboratorike të virusit është shpjegimi më i besueshëm.
Por edhe nëse janë zbuluar vërtet prova që provojnë përtej çdo dyshimi të arsyeshëm se virusi doli nga laboratori kinez, nuk është e qartë se çfarë do të bënte bota e lirë për këtë. Donald Trump thoshte se Kina duhet të paguajë për dëmet e mëdha që Covid-19i ka shkaktuar ekonomisë botërore.
Por kjo gjë nuk ka për të ndodhur. Asnjë vend i madh perëndimor nuk ka interes ta vazhdojë debatin e dëmshpërblimeve nga Pekini. Sa për të kujtuar thënien e famshme të Ernest Bevin:“Nëse e hap kutinë e Pandorës, nuk mund të dish kurrë se çfarë Kuajsh Trojedo të dalin prej andej!”
Mundësia e vendosjes së sanksioneve nuk është realiste. Kjo pasi Kina ka të drejtën e vetos në këshillin e sigurimit të OKB. Në vend të kësaj, reagimi më i mundshëm nga Perëndimi do të ishte vendosja e standardeve më të forta ndërkombëtar për sigurinë e laboratorëve dhe kërkimin biologjik.
Nëse Kina nuk pranon të regjistrohet në këto kritere dhe të pranojë inspektime ndërkombëtare, atëherë vendi do t’i nënshtrohej një lloj bllokade kërkimore, çka do të thotë se do të bjerë besueshmëria e studimeve akademike që dalin nga laboratorët e saj.
Ironia është se paratë e qeverisë amerikane shkuan pikërisht në Institutin e Virologjisë në Vuhan.
Shpesh qeveritë dhe kompanitë perëndimore e përdorin Kinën për kërkime, të cilat konsiderohen si shumë e rrezikshme për t’u bërë në shtëpi. Nëse Covid-19 do të ketë dalë vërtet nga një laborator, kjo do të përbënte një kujtesë se sa dritëshkurtësi është të transferosh kërkime të rrezikshme në një vend ku ka të ngjarë të fshihen gabimet.
Në fakt, një nga problemet kryesore me regjimet autoritare, është se ato e kanë gati të pamundur t’i pranojnë gabimet, dhe për këtë arsye, t’i korrigjojnë ato. Kjo është arsyeja se përse bota demokratike duhet të shkëputet sa më shumë që të jetë e mundur nga bota autoritare.
Kjo mund të jetë e lehtë për t’u bërë me vende të tilla si Bjellorusia, ku kontakti është i kufizuar vetëm tek avionë që fluturojnë përmes hapësirës së saj ajrore. Por Kina është një çështje krejtësisht tjetër. Ajo është e lidhur ngushtë me ekonominë botërore.
Dy dekadat e fundit të globalizimit janë të kuptueshme vetëm nëse e kuptoni rolin që ka luajtur Kina në këtë proces, dhe krizën deflacioniste që ka shkaktuar hyrja e saj në ekonominë botërore. Pranimi i Kinës në Organizatën Botërore të Tregtisë në vitin 2001 mund të kuptohet më së miri në kontekstin e besimit të Perëndimit se historia po merrte fund me rënien e Murit të Berlinit.
Në atë kohë mendohej se integrimi i mëtejshëm i Kinës në ekonominë botërore, do të çonte në një liberalizim më të madh politik, dhe do të parandalonte një tjetër Luftë të Ftohtë. Por nën Xi Jingping, Kina është bërë më autokratike. Gjithashtu, ajo është bërë më nacionaliste dhe më agresive në politikën e saj të jashtme.
Fakti që Kina është kaq e lidhur me ekonominë botërore,ka bërë që shumë njerëz të ngurojnë të shohin regjimin për atë që është. Është e vështirë të imagjinohet që Leonid Brezhnev të vlerësohej nga liderët e biznesit perëndimor, sikurse ndodhi pas fjalimit që mbajti presidenti kinez Xi Jinping në Forumin e Davosit në vitin 2017.
Suksesi i dukshëm i Kinës vitin e kaluar në frenimin e përhapjes së virusit në vend – me një kompetencë teknologjike por edhe brutalitet të dukshëm – kur në Perëndim po bënte kërdinë, forcuan ndjenjën se e ardhmja i përkiste Pekinit.
Por tashmë besueshmëria në rritje se virusi doli nga një laborator, nxjerr në pah “Thembrën e Akilit” të sistemit kinez – mungesën e një mekanizmi për korrigjimin e gabimit. Nuk është se një rrjedhje laboratorike mund të mos kishte ndodhur në botën demokratike, por është shumë më e vështirë të imagjinohet që ajo të fshihet.
Performanca e dobët e vaksinave kineze Sinopharm dhe Sinovac, të shitura në vende të tilla si Kili dhe Brazili, është gjithashtu një provë se raportet e epërsisë teknologjike të Kinës mbi Perëndimin janë të ekzagjeruara. Pekini shpresonte që gatishmëria e tij për të dërguar doza jashtë vendit, në një kohë që SHBA-ja vendosi një ndalim të rreptë të eksporteve të saj do t’isillte përparësi diplomatike.
Por shkalla e efikasitetit të këtyre vaksinave – më e ulët se ajo e Pfizer, Moderna ose AstraZeneca – nënkupton se kjo diplomaci e vaksinave, nuk ka gjasa të ketë efektin e dëshiruar. E vërteta është se Kina nuk është aq e fortë sa duket.
Siç thekson studiuesja e Stenfordit, Elizabet Ekonomi, vendi shpenzoi 216 miliardë dollarë për sigurinë e brendshme në vitin 2019,ose 3 herë më shumë se sa shpenzimet e një dekade më parë, madje edhe më shumë se sa shpenzon për ushtrinë kineze.
Megjithatë, nëse problemet e brendshme të Pekinit do të vazhdojnë të përkeqësohen, ai do t’i kthehet nacionalizmin si një burim legjitimiteti. Kjo nuk do të jetë një përvojë komode për Perëndimin. “Kina komuniste është e keqe, Kina nacionaliste do të jetë më keq”- paralajmëron një parlamentar me ndikim. Mënyra se si të frenohet Kina do të jetë sfida kryesore për këtë brez politikanësh. Por çdo strategji për t’u përballur me Pekinin duhet të fillojë me një vlerësim real të pikave të forta dhe të dobta të tij.
burimi: https://www.spectator.co.uk/article/china-is-not-as-strong-as-it-appears
Përshtatur për Tirana Today