Gazetari dhe publicisti Ymer Minxhozi, është ndarë nga jeta në moshën 91-vjeçare. I njohur edhe si diplomat me stazh të gjatë, Minxhozi ndërroi jetë në banesën e tij.
Minxhozi është autor i mbi 20 librave me esse, satirë, shënime udhëtime dhe kujtime. Pasi ka mbaruar studimet në Moskë për gazetari në vitet ’50, ai ka qenë korrespondent i shtypit shqiptar në Kinë dhe vendet e Azisë Juglindore, e më pas ka drejtuar gjatë jetës së tij për shumë vite revistën “Shqipëria e Re”.
Minxhozi, u emërua zëvendësdrejtor i Radio Tiranës (1958-1963). Gjatë kësaj periudhe ndikoi në lëvrimin e mëtejshëm të radio-reportazhit dhe ngritjes cilësore të emisioneve artistiko-kulturore radiofonike, duke dhënë shembull vetjak në përgatitjen e tyre.
Ymer Minxhozi ka përfaqësuar vendin tonë në disa kontakte diplomatike, kulturore e bisedime me vendet fqinje dhe ato evropiane.
Ai ka qenë prezent me shkrimet e tij edhe pas viteve ’90, kohë gjatë të cilës ka botuar vëllimet “Borë e zezë”, “Shansi i humbur”, “Era e mykut”, “Ditari i tre kontinenteve” etj.