Altin Gjeta
Dështimi i Shqipërisë për t’u shkëputur rrënjësisht nga diktatura e saj brutale komuniste ka shtrembëruar kujtesën për të kaluarën dhe ka dëmtuar tranzicionin e saj nga shoqëria post-totalitare në një demokraci funksionale.
Ky mars shënoi 30-vjetorin e fillimit të Lëvizjes Studentore që i hapi rrugë rënies së regjimit komunist hoxhist, i cili sipas studiuesit Neil Kritz i Institutit Amerikan për Paqen, ishte një nga regjimet më staliniste dhe më të mbyllura në botë.
Për rreth gjysmë shekulli, regjimi komunist në Shqipëri ndërtoi dhe qeverisi nëpërmjet Sigurimit të Shtetit, një nga aparatet më shtypëse në botë. Në fund të viteve 1980, ai numëronte rreth dhjetë mijë persona të rekrutuar zyrtarisht, ndërsa më shumë se 1/3 e popullsisë së rritur ishte pjesë e rrjetit informativ të shërbimit famëkeq.
Nën drejtimin politik të elitës komuniste, Sigurimi, ky mekanizëm terrori, llogaritet se ka ekzekutuar më shumë se 6000 persona, ka investiguar, përndjekur, burgosur dhe internuar në burgje dhe kampe ç’njerëzore me dhjetëra dhe qindra mijëra të tjerë, si dhe ka mbjellë frikë dhe terror në çdo cep të Shqipërisë. Gjatë 45 viteve sundim të hekurt, e gjithë Shqipëria u shndërrua në një kamp masiv përqendrimi.
Prandaj, në fillim të viteve 1990, Shqipëria kishte të gjitha kredencialet politike dhe historike për të ndjekur një model radikal dhe tranformues ndaj të shkuarës kriminale komuniste.
Ruti Teitel, një nga studiuesit prominentë të drejtësisë tranzitore, argumenton se dënimi i krimeve të regjimeve totalitare, vendosja e drejtësisë, zbardhja e të vërtetës dhe pranimi i abuzimeve të së shkuarës janë kushte paraprake të rëndësishme për pajtimin dhe tranzicionin e shpejtë të një shoqërie post-totalitare drejt demokracisë.
Megjithatë, tridhjetë vjet më pas, përkundër të gjitha pritshmërive dhe aspiratave të studentëve dhe qytetarëve që u derdhën në rrugët e Tiranës në ditët e ftohta të dhjetorit ‘90, Shqipëria është i vetmi vend pas perdes së dikurshme të hekurt në Evropë që nuk ka arritur të shkëputet nga e kaluara komuniste.
Ndryshe nga vendet ish-komuniste të Evropës Qendrore dhe Lindore, pavarësisht se në harkun kohor të këtyre viteve Shqipëria ka iniciuar disa masa ligjore që kanë synuar zbardhjen dhe dënimin e së shkuarës kriminale komuniste, ajo nuk ka arritur t’i implementojë këto masa.
Siç pohon edhe studiuesja Cynthia Horne në librin e saj “Ndërtimi i besimit dhe Demokracia”, Shqipëria është i vetmi vend në botën ish-komuniste që ka miratuar ligje në letër, por që ka dështuar totalisht në vënien e tyre në jetë.
Gjykoj se kjo ka ardhur si pasojë e një kompleksi faktorësh.
Së pari, tranzicioni i Shqipërisë nga regjimi diktatorial në sistemin pluralist mund të klasifikohet si një model mes atij çka Samuel Huntingon i quan ‘me negocim dhe transferim’.
Shqipëria në fund të viteve ‘80 ishte i vetmi vend në botën ish-komuniste që nuk kishte një disidencë të organizuar. Kjo për shkak së regjimi i kishte larë hesapet herët me elitën intelektuale anti-komuniste dhe pjesa e mbetur dhe kleri fetar ose ishte burgosur ose internuar në kampe pune çnjerëzore.
Në rrethana të tilla, kur revolucioni anti-komunist përfshiu Evropën Lindore dhe më në fund mbërriti në Shqipëri në fillim të viteve 1990, ishte praktikisht e pamundur që vendi të bënte një përmbysje totale të nomenklaturës komuniste.
Për rrjedhim, elita e re politike e pas ‘90 në një fare mënyre u detyrua të bashkëjetonte dhe bashkëndante pushtetin me zgjatimet e diktaturës.
Janë pikërisht këto zgjatime që ia kanë pamundësuar Shqipërisë ndarjen me të shkuarën. Për shembull, “Ligji i Gjenocidit” i miratuar në 1995-ën që synonte të mbante përgjegjës abuzuesit e të drejtave të njeriut, u amendua nga mazhoranca socialiste, pasardhëse e Partisë së Punës, pas ardhjes së saj në pushtet në 1997-ën, dhe pak më vonë, në vitin 1999, ligji u rrëzua komplet nga Gjykata Kushtetuese.
Së dyti, shumë nga masat ligjore të ndërmarra në Shqipërinë post-komuniste ishin joserioze dhe të hartura keq ligjërisht. Dënimet e para të ish-nomenklaturës komuniste për abuzime ekonomike e diskredituan reputacionin e këtij procesi.
Ndërkohë, një pjesë e legjislacionit është parë si e motivuar politikisht për të eliminuar kundërshtarët politikë, çka ka dobësuar mbështetjen bipartizane të nismave ligjore që synonin të adresonin të shkuarën komuniste. Pra, molepsja e politikës së të shkuarës me politikën e të tashmes në Shqipërinë post-komuniste e ka kthyer ndërmarrjen e qasjes ndaj të shkuarës komuniste në një betejë politike të pafrytshme për qëllimet transformuese të saj.
Për rrjedhim, e shkuara komuniste jo vetëm që nuk është prekur, por ajo vazhdon ta përndjekë shoqërinë shqiptare si një fantazmë. Mungesa e pastrimit të organeve të larta të shtetit nga eksponentë që i kanë shërbyer makinerisë shtypëse të regjimit komunist ka bërë që një pjesë e madhe e ‘elitës’ politike dhe administrative post-komuniste të jetë vazhdim i regjimit totalitar. Sot që flasim, disa nga institucionet më ta larta politike dhe juridike në vend drejtohen nga eksponentë të regjimit hoxhist me të shkuar të dyshimtë.
Sikur të mos mungonte kjo, paaftësia e Shqipërisë për të zbardhur abuzimet e regjimit të vjetër dhe vendosur drejtësi, ka çuar në relativizmin dhe minimizimin e abuzimeve të kohës së diktaturës.
Kjo ka ushqyer një narrativë të shtrembëruar historiografike komuniste në sferën publike që e portretizon Shqipërinë socialiste si një shtet progresiv, që siguroi elektrifikimin e vendit, shërbim shëndetësor falas, arsim për të gjithë dhe të drejtën universale të votës (për të votuar vetëm PPSH-në), duke lënë kësisoj në hije krimet, mjerimin ekonomik, social dhe politik që prodhoi ai lloj regjimi për Shqipërinë. Mbajtja gjallë e kësaj narrative ka pamundësuar ndërtimin e një memorie kolektive përbashkuese mbi të shkuarën komuniste në Shqipëri.
Së fundmi, pafuqia e Shqipërisë për të vendosur një vijë të trashë ndarëse me diktaturën komunistë ka prodhuar pasoja të rënda në procesin e ndërtimit të një demokracie funksionale pas viteve ‘90. E shkuara e diskutueshme është përdorur politikisht për të manipuluar diskursin publik me teza antipolitike për përfitime elektorale dhe për t’i shpëtuar përgjegjësive reale për keq-qeverisjen e vendit.
Kur janë mbushur tri dekada pas ngjarjeve të dhjetorit 1990-të, Shqipëria vijon të mbetet peng i fantazmave të së shkuarës komuniste, të cilat po i përndjekin të tashmen dhe të ardhmen e saj./ BIRN