Tirana Today
  • Fillimi
  • Kryesore
  • Aktualitet
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Opinion
  • Rajoni
  • Bota
  • Showbizz
  • Sport
  • Kulturë
  • Kuriozitete
  • Teknologji
  • Vox Pop
  • Media Marketing
No Result
View All Result
  • Fillimi
  • Kryesore
  • Aktualitet
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Opinion
  • Rajoni
  • Bota
  • Showbizz
  • Sport
  • Kulturë
  • Kuriozitete
  • Teknologji
  • Vox Pop
  • Media Marketing
No Result
View All Result
Tirana Today
No Result
View All Result
Home Shqipëria Aktualitet

Janullatos mesazh besimtarëve për Pashkët: Vaksina më e mirë është të falësh

4 vjet ago
in Aktualitet, Shqipëria, Të Gjitha
Pashkët/ Kryepeshkopi Janullatos, mesazh besimtarëve ortodoksë (VIDEO)

Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Anastas Janullatos nëpërmjet një postimi në rrjete sociale, ka uruar sot për Pashkët besimtarët ortodoksë. Në reagim, Janullatos thotë se “në atmosferën e turbullt të krijuar nga pandemia, nëpër mjedise të ndryshme shfaqet shpesh një urrejtje e veçantë në shumë variante, që nga simptomat e thjeshta, si nervozizmi, antipatitë, agresiviteti e deri tek ato më seriozet, si polarizimet, dhuna dhe përçarjet”.

“Vaksinën e efektshme për të përballuar urrejtjen dhe format e saj na e zbuloi Krishti i kryqëzuar dhe i ngjallur: vaksina është ofrimi i faljes me vullnet të plotë”- u shpreh Kryepeshkopi. Ndër të tjera ai thotë se “është detyrimi ynë që të kontribuojmë vazhdimisht për zbutjen e tensioneve rreth nesh, për çtensionimin e polarizimeve, të konflikteve dhe të varianteve të shumëllojta të urrejtjes”

Reagimi i plotë i Kryepeshkop, Anastas Janullatos:

Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë

Pashkë 2021

– Çlirim nga urrejtja dhe variantet e saj –

“Ditë e Ngjalljes, le të ndriçohemi me panairin… dhe ata që na urrejnë, le t’i falim të gjithë në Ngjalljen.” (Vargëzime të Pashkës, Lavdia)

E kremtja e të rëndritshme e Pashkës na fton plot hare të shkëlqejmë nga gëzimi, të çliruar nga robëria e pasioneve vdekjeprurëse, nga çdo element i errët, i fshehur në thellësinë e egos sonë.

Ngjarjet e kryqëzimit të Krishtit nuk lidhen vetëm me vuajtjen e frikshme mbushur plot padrejtësi dhe ligësi të pafund, por, mbi të gjitha, ato janë të lidhura me një urrejtje të jashtëzakonshme të udhëheqësve fetarë, të cilët vunë në lëvizje armiqësinë e pakontrolluar të turmës. Por, të gjitha këto u mposhtën me anë të Ngjalljes së Krishtit, pa zhurmë shurdhuese dhe me paqe.

Ngjallja shpall një fitore shumë të rëndësishme mbi vdekjen, planet tinëzare dhe pasionet vdekjeprurëse: mbi smirën, gënjeshtrën e mbi të gjitha mbi urrejtjen me variantet e saj të shumëllojta, mbi kujtimin e së keqes, hakmarrjen, djallëzinë, të cilat janë të pranishme në të gjitha epokat dhe në të gjitha shoqëritë. Urrejtja e infekton jetën e njerëzve në familje, jetën fetare dhe politike; ajo infekton marrëdhëniet midis kombeve dhe, për pasojë, prodhon konflikte të paparashikueshme. Edhe sot, në atmosferën e turbullt të krijuar nga pandemia, nëpër mjedise të ndryshme shfaqet shpesh një urrejtje e veçantë në shumë variante, që nga simptomat e thjeshta, si nervozizmi, antipatitë, agresiviteti e deri tek ato më seriozet, si polarizimet, dhuna dhe përçarjet.

Vaksinën e efektshme për të përballuar urrejtjen dhe format e saj na e zbuloi Krishti i kryqëzuar dhe i ngjallur: vaksina është ofrimi i faljes me vullnet të plotë. Në lutjen e shkurtër, që u la nxënësve të Tij, Ai vuri në buzët e të gjithë anëtarëve të Kishës së Tij një marrëveshje të përbashkët: “dhe falna fajet tona, sikurse edhe ne ua falim fajtorëve tanë” (Matth. 6:12). Duke theksuar madhështinë dhe gjerësinë e dashurisë, që e shfaqi me mësimin dhe veprën e Tij, Jisu Krishti predikoi një kryengritje paqësore.

Ai i ftoi të gjithë pasuesit e tij të falin dhe të duan armiqtë e tyre: “Por unë po ju them juve: Duajini armiqtë tuaj… bëjuni mirë atyre që ju kanë mëri…” (Matth. 5:44). Për më tepër, i parapërgatiti duke u dhënë një paralajmërim befasues: “Të lumur jeni ju, kur t’ju kenë mëri njerëzit… për shkak të Birit të njeriut” (Llk. 6:22). Dhe në përfundim, këtë parim themelor të krishterë e vulosi me lutjen e Tij të fundit mbi Kryq: “O Atë, fali ata, sepse nuk dinë se ç’bëjnë” (Llk. 23:34) Nga ai çast, falja u bë kromozomi kryesor i jetës së të krishterit të ndërgjegjshëm.

Zakonisht, shumë nga ne përpiqemi ta shmangim këtë parim dhe porosi ungjillore themelore. Ngulim këmbë në të drejtën tonë dhe nxjerrim si pretekst dinjitetin vetjak dhe rrezikun që na vjen nga ata që na luftojnë. Pavarësisht nga kjo, liri më e madhe se falja nuk ekziston.

Por nuk mjafton që ne të çlirohemi personalisht nga efektet anësore të urrejtjes; është detyrimi ynë që të kontribuojmë vazhdimisht për zbutjen e tensioneve rreth nesh, për çtensionimin e polarizimeve, të konflikteve dhe të varianteve të shumëllojta të urrejtjes. Të lumur janë ata që, me fjalën dhe jetën e tyre, arrijnë të zbusin përçarjet, antitezat, armiqësitë, duke kultivuar pajtimin. Të bekuar janë ata që frymëzohen nga falja, e cila buroi nga varri i Krishtit. Ai, i Pari, e mori iniciativën për të dhënë jetën e Tij si “shpërblim për shumë veta”. Të bekuar janë ata që kërkojnë “dashurinë e Tij që kapërcen çdo mendje”. Kështu, këta e tregojnë me vepra se janë me të vërtetë “bij të Ngjalljes”.

“Ditë e Ngjalljes dhe le të ndriçohemi” me dritën paskale të dashurisë, e cila mposht çdo lloj urrejtjeje, duke na falur lirinë shpirtërore. Ky himn përsërit fjalët e shën Grigor Theologut, i cili vazhdon më tej: “Le t’i falim të gjithë në ditën e Ngjalljes, edhe ata që na urrejnë, dhe jo vetëm ata që, të shtyrë nga dashuria, na kanë bërë të mira apo që u kemi bërë ne mirë” (PG 35, 397).

Dhe kështu do të kemi mundësinë dhe të drejtën të psalim “Krishti u ngjall!”.

Duke u frymëzuar dhe duke marrë fuqi nga e kremtja e tërëndritshme e Pashkës, që mbi të gjitha është e kremtja e pajtimit universal, le të përpiqemi të paqësohemi personalisht, duke falur madje edhe ata që na urrejnë, edhe nëse kjo na duket e vështirë.

Ngjallja e Krishtit shpall fitoren e jetës mbi vdekjen e mbi gjithë pasionet shkatërrimtare dhe na fton të shijojmë çlirimin tonë nga pushteti i tyre. Dhe në një botë që përpëlitet nga armiqësi vdekjeprurëse dhe nga pandjeshmëria, le të bëhemi luftëtarë kundër urrejtjes dhe varianteve të saj të shumëllojta. Dhe, me besim të palëkundur, le të përpiqemi që të forcohet bashkimi, pajtimi, dashuria, uniteti, bashkekzistenca harmonike e njerëzve dhe e popujve.

Krishti u ngjall, vëllezër dhe motra.

Me shëndet të fortë dhe shpresë gjatë periudhës së turbullt të pandemisë, dhe me lirinë e Ngjalljes në shpirtin tonë!

Tags: anastas janullatosmesazhPashkëtUrimi

TË LIDHURA

Merr fund pritja disavjeçare, hapet nesër për qarkullim rruga Qukës–Qafë Plloçë
Aktualitet

Merr fund pritja disavjeçare, hapet nesër për qarkullim rruga Qukës–Qafë Plloçë

17:19 | 04/09/2025
Pas pesë vitesh në arrati, një 44-vjeçar shqiptar me precedentë të shumtë penal u arrestua në portin e Brindisit
Aktualitet

Pas pesë vitesh në arrati, një 44-vjeçar shqiptar me precedentë të shumtë penal u arrestua në portin e Brindisit

17:09 | 04/09/2025
Kodi i ri i Etikës, Manastirliu: Mësuesi figurë kyçe në shkollë dhe komunitet
Aktualitet

Kodi i ri i Etikës, Manastirliu: Mësuesi figurë kyçe në shkollë dhe komunitet

16:21 | 04/09/2025
Next Post
Tom Doshi: Kryetar i PSD-së jam unë, më 25 prill kandidoj në 4 qarqe

''I kam hyrë kësaj rruge i vetëm''/ Doshi: Mbroj interesat e qytetarëve

Të dhënat personale, dëmi i pakthyeshëm

Të dhënat personale, dëmi i pakthyeshëm

Procesi i numërimit për votat e kandidatëve, ja 10 më të votuarit

Zgjedhjet/ Ja sa vota morën kandidatët e PS, PD dhe LSI

JU REKOMANDOJMË

Vdekja e Zhejit/ Avokati: Ambulanca e Sarandës pa pajisje, u shkelën protokollet e urgjencës

Vdekja e Zhejit/ Avokati: Ambulanca e Sarandës pa pajisje, u shkelën protokollet e urgjencës

16:17 | 29/08/2025
Flet vëllai i 60-vjeçarit që u gjet i dekompozuar: S’kemi folur që nga dhjetori

Flet vëllai i 60-vjeçarit që u gjet i dekompozuar: S’kemi folur që nga dhjetori

14:01 | 29/08/2025
Ndryshime te “Rrugorja” e Tiranës, Neritan Buzi emërohet shefi i ri i qarkullimit

Ndryshime te “Rrugorja” e Tiranës, Neritan Buzi emërohet shefi i ri i qarkullimit

17:10 | 01/09/2025
LAJMI I FUNDIT/ Mediat spanjolle: Gjendet trupi i pajetë i Miklovan Danajt

LAJMI I FUNDIT/ Mediat spanjolle: Gjendet trupi i pajetë i Miklovan Danajt

19:10 | 01/09/2025




TË FUNDIT

Merr fund pritja disavjeçare, hapet nesër për qarkullim rruga Qukës–Qafë Plloçë
Aktualitet

Merr fund pritja disavjeçare, hapet nesër për qarkullim rruga Qukës–Qafë Plloçë

by mirseda
17:19 | 04/09/2025
0

Aksi rrugor Qukës-Qafë Plloçë, një arterie me rëndësi jetike për Juglindjen e vendit, që pritet të çlirojë...

Pas pesë vitesh në arrati, një 44-vjeçar shqiptar me precedentë të shumtë penal u arrestua në portin e Brindisit

Pas pesë vitesh në arrati, një 44-vjeçar shqiptar me precedentë të shumtë penal u arrestua në portin e Brindisit

17:09 | 04/09/2025
Publikohen formacionet zyrtare Gjibraltar-Shqipëri, Sylvinho hedh në fushë edhe debutues

Publikohen formacionet zyrtare Gjibraltar-Shqipëri, Sylvinho hedh në fushë edhe debutues

17:04 | 04/09/2025
Papa Leo XIV pret presidentin e Izraelit në Vatikan: Të arrihet urgjentisht një armëpushim i përhershëm në Gaza

Papa Leo XIV pret presidentin e Izraelit në Vatikan: Të arrihet urgjentisht një armëpushim i përhershëm në Gaza

16:54 | 04/09/2025
Samiti në Paris/ Zelensky dhe liderët evropianë flasin me Trump, diskutime mbi garancitë e sigurisë për Ukrainën

Samiti në Paris/ Zelensky dhe liderët evropianë flasin me Trump, diskutime mbi garancitë e sigurisë për Ukrainën

16:35 | 04/09/2025

Tirana Today


© 2024 TiranaToday Dev By: Techzero1.com


© TIrana Today. All rights reserved.

Kontakt

EMAIL : [email protected]

Cel: +355694040005

Follow Us

Tirana Today

© TIrana Today. All rights reserved.

EMAIL : [email protected]

Cel: +355694040005

© 2022 TiranaToday Dev By: wearedope.com

Follow Us

No Result
View All Result
  • Fillimi
  • Kryesore
  • Aktualitet
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Opinion
  • Rajoni
  • Bota
  • Showbizz
  • Sport
  • Kulturë
  • Kuriozitete
  • Teknologji
  • Vox Pop
  • Media Marketing

© 2024TiranaToday Dev by : Techzero1.com