Boksieri Rashed El-Suaisat ka ndërruar jetën në moshën 18 vjeçare pas një periudhe 11 ditore në koma.
Boksieri jordanez u nokautua në datën 16 prill nga rivali estonez, Anton Uingradou në kampionatin e boksit për të rinjtë që po zhvillohet në Poloni.
Që nga ajo kohë 18 vjeçari nuk u zgjua më teksa ka ndërruar jetë ditën e sotme. Operacioni i komplikuar në kokë nuk i shpëtoi dot jetën Suaisat i cili cilësohej si boksier me të ardhme.
“Me trishtim të madh mësuam për vdekjen e boksierit Rashed Al-Suaisat nga Jordania, i cili u shtrua në spital më 16 Prill. Mendimet tona shkojnë te familja, miqtë dhe shokët e skuadrës, të cilëve u japim ngushëllimet më të thella”, u shpreh presidenti i federatës së boksit AIBA.
Ndërkohë, autoritetet polake kanë hapur një hetim për këtë çështje dhe fajtorët pritet të vihen para përgjegjësive.