Në Shtetet e Bashkuara Presidenti Joe Biden tha të martën në mbrëmje se vendi do të ketë më shumë se 600 milionë doza vaksinash të koronavirusit, të mjaftueshme për të vaksinuar “çdo amerikan” deri në fund të këtij korriku. Zoti Biden i bëri komentet gjatë një takimi me pyetje-përgjigje në Milluaki të Uiskonsin që u transmetua në rrjetin televiz të lajmeve CNN.
I pyetur nga gazetari Anderson Cooper se kur Shtetet e Bashkuara do të kthehen në normalitet, zoti Biden tha se deri në Krishtlindjen e ardhshme “vendi do të jetë në një rrethanë shumë të ndryshme nga sa është sot”.
Shtëpia e Bardhë njoftoi më herët gjatë ditës së martën se qeveria federale do të rrisë sasinë e vaksinave që shtetet marrin çdo javë nga 11 milionë në 13.5 milionë doza.
Presidenti gjithashtu tha që shtetet duhet t’i japin përparësi mësuesve të shkollave publike në përpjekjet e tyre të vaksinimit si pjesë e një strategjie për mësimdhënie në klasa me kohë të plotë.
Japonia filloi të mërkurën programin e vaksinimit kundër koronavirusit.
Dozat e para u injektuan në një spital të Tokios vetëm disa orë pasi spitali mori një sasi vaksinash të Pfizer-BioNTech-ut.
Rreth 40,000 mjekë dhe infermierë në të gjithë vendin do të marrin dozat e para të vaksinës. Autoritetet kanë si objektiv të vaksinojnë 3.7 milionë punonjës të sistemit shëndetër deri në mars, që do të pasohet me vaksinimin e rreth 36 milionë qytetarë të moshës 65 vjeç e lartë.
Ndërkohë rreth 80 mijë doza të një vaksine të re që lufton COVID-19-n të prodhuar nga kompania amerikane Johnson & Johnson kanë mbërritur në Johanesburg të Afrikës së Jugut, mbrëmjen e së martës. Qeveria do të fillojë vaksinimin e punonjësve të kujdesit shëndetësor më vonë gjatë kësaj javë si pjesë e një studimi.
Vaksina e Johnson & Johnson-it cila merret me një dozë të vetme nuk është miratuar zyrtarisht për përdorim nga asnjë vend, por kompania thotë se rezultatet e një studimi të fazës së fundit tregojnë se ajo është 85% efektive në parandalimin e rasteve të rënda të sëmundjes apo vdekjeve si pasojë e virusit, madje edhe kundër variantit të Afrikës së Jugut./VOA/