Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në ishullin e Kretës në Greqi, ku një i moshuar ka humbur jetën 8 minuta pas vaksinimit kundër koronavirusit.
Por, sipas ekspertizës mjeko-ligjore vdekja e 85-vjeçarit ka ndodhur për arsye të tjerë që nuk kanë lidhje me vaksinimin e popullsisë, shkruan Newsbeast.
Raporti i autopsisë tregoi se vdekja e të moshuarit ka ardhur për shkak të sëmundjes së stenozës koronare dhe sëmundjes hipertrofike të zemrës, të cilat nuk kanë lidhje me Covid-19 apo vaksinimin.
Që nga fillimi i pandemisë deri më tani, në Greqi janë regjistruar 173,905 persona pozitiv me Covid, ndërsa 6,181 të tjerë kanë humbur jetën. Ndërkohë, që vaksinimi në Greqi ka nisur në datë 27 dhjetor të vitit të kaluar me vaksinën Pfizer/BioNtech.
Për shkak të rritjes së madhe të infektimeve me koronavirus, Athina dhe zonat përreth saj janë vendosur në karantinë deri më 25 shkurt.