Mjeku shqiptar në Itali, Arben Gjeka deklaroi se në Shqipëri nuk respektohen masat kundër koronavirusit.
Në një intervistë për ”Ora News”, Gjeka u shpreh se situata epidemiologjike është jashtë kontrollit, pasi indeksi i pozitivitetit në testet COVID është 25%.
Arben Gjeka: ”Jemi jashtë çdolloj kontrolli. OBSH që nga fillimi i pandemisë dha indekset e saj që parashikonte që për një kontroll të pandemisë nuk mund të kalojë indeksin e pozitivitetit nga 3 deri në 12%. Në muajin maj e korrigjoi këtë shifër dhe u tha që për stabilitet të situatës do të kemi 5% të pozitivitetit të paktën për dy javë. Në një indeks pozitiviteti 25% situata në Shqipëri është jashtë çdolloj kontrolli.
Rritja e rasteve të reja është lidhur në njëfarë mënyrë me festat e fundvitit, por edhe me fillimin e shkollave. Kjo do të thotë që është e vërtetë që moshat e reja dhe fëmijët infektohen më lehtë apo shumë herë pa simptoma ose me simptoma të lehta, por harrojmë që çdo person që infektohet, është në gjendje të infektojë dhe të tjerët.
Arsyeja është edhe fakti që në Shqipëri nuk respektohen rregullat. Dëgjoj miq dhe familjarë që më thonë se kafetë dhe restorantet janë plot, nuk respektohen rregullat e mbrojtjes individuale me maska, me higjienë ose distancim.”