Papa Françesku ka marrë ditën e sotme, dozën e parë të vaksinës kundër Covid-19 të kompanisë Pfizer dhe BionTech. Lajmi është konfirmuar nga America Magazine, por zyra e shtypit të Vatikanit ende nuk ka dalë një deklaratë zyrtare.
Vaksinat e Pfizer/BioNTech kanë ka mbërritur në Vatikan dhe fushata e imunizimit nisi në Aula Paolo VI. Mësohet se do të vaksinohen si qytetarët e Vatikanit, që janë gati 600, ashtu dhe rreth 5 mijë punonjës bashkë me të afërmit e tyre. Për të ruajtur vaksinat, janë blerë frigoriferë të posaçëm për temperature tejet të ulëta.
Të dielën e kaluar, Papa Françesku njoftoi se ishte regjistruar për të marrë vaksinën dhe u bëri thirrje qytetarëve që ta bëjnë pasi shëndeti i tyre është në rrezik.
“Unë besoj se të gjithë duhet të marrin vaksinën; është një opsion etik sepse shëndeti juaj, jeta juaj është në rrezik dhe gjithashtu ju po vini në rrezik jetën e të tjerëve. Javën tjetër ne do të fillojmë ta bëjmë atë në Vatikan dhe unë do ta marr”, tha ai.
Që prej fillimit të pandemisë në Vatikan janë shënuar 27 raste pozitive me Covid-19 dhe asnjë vdekje.