Prof. Dr. Paskal Milo
Mes ngjarjeve të mëdha apo edhe më pak të rëndësishme të vitit që po mbyllet, pati të atilla që kaluan gati në heshtje ose u përmendën dhe u trajtuan në mënyrë periferike. Ndoshta i la në hije kryengjarja e vitit, pandemia COVID–19. Një ndër to ishte edhe 75- vjetori i përfundimit të Luftës së Dytë Botërore në Europë, në të cilën kombet e bashkuara antifashiste mposhtën Gjermaninë naziste.
Kjo shpërfillje institucionale, por edhe profesionale, për të përkujtuar një ngjarje kaq të shënuar në historinë europiane, botërore, por edhe shqiptare, mua si historian të angazhuar me studimin e saj më lëndon. Besoj dhe shumë të tjerë.
Por u ngushëllova deri diku kur më erdhën dy njoftime dhe dy ftesa: të parat nga miku dhe kolegu im i hershëm, publicisti dhe diplomati i mirënjohur, ambasadori Bashkim Zeneli. Ai më bënte të ditur botimin së shpejti të një libri tjetër të tij, enkas për ditën e madhe historike të fitores së kombeve të bashkuara antifashiste mbi nazizmin, në maj 1945. Por më shprehu edhe dëshirën e tij për të shkruar edhe unë disa radhë për këtë kontribut të ri të tij.
Njoftimi dhe ftesa e dytë erdhi nga Instituti Shqiptar për Studime Ndërkombëtare, një institucion prestigjioz joqeveritar, që në bashkëpunim me Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Tiranë do të organizonin një Konferencë Ndërkombëtare me rastin e 75-vjetorit të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.
Sigurisht pak, shumë pak, për përkujtimin e një ngjarjeje kaq të madhe historike botërore ku Shqipëria u rreshtua me meritë e nder me fituesit e aleatët e mëdhenj antifashistë të kësaj Lufte. Por ishte një ngushëllim në këto kohë pandemie. Aq më tepër kur institucione të posaçme shkencore që mbahen në këmbë me buxhetin e shtetit si dy akademitë e mjaft departamente të historisë të universiteteve publike, e kaluan në heshtje.
Ambasador Bashkim Zeneli me librin e tij me disa qindra faqe jep një mësim e shërben si model. Dëshmon se është një njeri me vullnet dhe pasion që bën punën e një instituti të tërë. Ai na rikujton të gjithëve se kush harron dhe shtrembëron të shkuarën është i prirur të gabojë në të tashmen e të ndërtojë keq të ardhmen.
Libri “Berlini 1945 – Maji i Fitores” është një sinjal që kujtesa historike u dërgon shqiptarëve dhe jo vetëm atyre, për rreziqet që kërcënojnë njerëzimin në epokën tonë të globalizmit që janë shumuar e diversifikuar. Shoqëria aktuale ndërkombëtare ka shumë armiq që rriten dhe zhvillohen brenda saj. E keqja sot ka potenciale të pakrahasueshme shkatërruese, më tepër se fashizmi dhe nazizmi i Luftës së Dytë Botërore. Libri i Bashkim Zenelit është një thirrje modeste për vigjilencë.
Në gjuhën shqipe ndër vite janë botuar e përkthyer libra të ndryshëm për Luftën e Dytë Botërore, studime akademike, letërsi historike, seriale botimesh dokumentare, kujtime të protagonistëve kryesorë të saj, si dhe rreth tyre. Libri i ri që ambasadori Zeneli i sjell lexuesit shqiptar nuk është një histori gjithëpërfshirëse e Luftës që nga fillimi e deri në fund, nuk merret me betejat e mëdha në frontet e luftimeve dhe as me ngjizjen e aleancave ushtarake apo historinë diplomatike të saj. Libri merr shkas dhe ka si bosht qendror të tij fazën finale të Luftës, aktin madhor të saj që mbylli një epokë të matur jo me shekuj dhe as me dhjetëra vite, por vetëm me gjashtë vite. Dhe kjo ishte rënia e Berlinit, e kryeqytetit të Rajhut të Tretë gjerman.
Por autori ka ditur shumë natyrshëm të kthehet edhe mbrapa në kohë, në qëndrimet dhe aksionet politike, ushtarake dhe diplomatike të SHBA-së, Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Sovjetik, për të arritur tek akti final: fitorja mbi nazifashizmin.
Pse simbolika e rënies së Berlinit është historike? Në historinë botërore kanë lindur dhe kanë rënë perandori të fuqishme që nga koha antike e deri në kohët moderne. Kanë arritur maja të lavdisë perandorë, mbretër, diktatorë e strategë ushtarakë, janë bërë beteja e luftime dhjetëravjeçare me viktima e shkretime të mëdha. Por asnjë luftë nuk mund të krahasohet me Luftën e Dytë Botërore, me numrin e forcave që u përballën në frontet e luftimeve, me sasinë, llojet dhe cilësinë e armatimeve që u përdorën, por edhe me rrjedhojat e tmerrshme që ajo solli. Mjafton vetëm një fakt ndër shumë të tjerë për të perceptuar dimensionet e dramës njerëzore në vitet e Luftës së Dytë Botërore: mbi 60 milionë të vrarë në frontin e luftimeve dhe viktima. Vetëm për këtë çmim tragjik që pagoi njerëzimi, më i madhi në historinë e tij, e bëjnë Berlinin kryeqendrën e Rajhut nazist, një referencë të pashlyeshme historike dhe rënien e tij në 9 maj 1945, një datë përkujtimore primare të analeve të historisë.
Këtu qëndron edhe një nga vlerat e mëdha të librit të ambasador Zenelit. Edhe këtu ai paraqitet si qytetar, por edhe si veprimtar shumëdimensional, me ndërgjegje e respekt për historinë. Por e ndien edhe si përgjegjësi e detyrë, për sot dhe për të ardhmen. Ndaj, ai reflektoi dhe përzgjodhi atje ku ai shërbeu me kaq devocion e profesionalizëm si ambasador dhe ku kalon edhe një pjesë të mirë të kohës edhe tani, subjektin e librit të tij të ri: ditën e fitores mbi të keqen e madhe të njerëzimit, nazizmin.
Ambasador Zeneli është përpjekur dhe ia ka arritur qëllimit që edhe në traditën e përvojën e tij si publicist t’i japë lexuesit jo një libër “të rëndë” të stilit akademik të mbingarkuar me analiza e hipoteza, por një narrativë të përzgjedhur nga studimi i qindra burimeve që ka shfrytëzuar deri në detaje dhe që e bën të lehtë e tërheqës leximin e tij.
Lexuesi ka etje t’u shkojë deri në fund e sa më shpejt faqeve të librit, jo se nuk e di përfundimin e historisë, por se ndjek fatin e aktorëve të mëdhenj e të vegjël të saj, detajet e ngjarjeve. Gjithçka është dhënë në funksion të kuptimit të mekanizmave të përballjes së madhe, të karaktereve, të interesave e të objektivave personalë e shtetërorë, si dhe të filozofisë vrastare naziste.
Libri nuk është thjesht kronologji historike ngjarjesh që shoqëron fundin e Rajhut hitlerian. Është edhe një galeri e jashtëzakonshme personazhesh historike të kohës së Luftës, para e pas saj. Autori ka meritën e qëmtimit të dokumenteve e të literaturës së posaçme kushtuar aktorëve kryesorë të saj dhe ka depërtuar në masën e duhur edhe në jetët e tyre personale. Dhe këtë e ka bërë për të dhënë të plotë dimensionet dhe karakteret njerëzore që shpesh janë edhe çelësa për të kuptuar e shpjeguar ngjarjet apo edhe enigmat rreth tyre.
Ambasadori Zeneli nuk mbyllet në kufijtë historikë të ngjarjeve që përshkruan, por përdor edhe metodën e transgresionit për ta njohur lexuesin me zhvillimet e rrjedhojat që ato sollën vite më vonë, jo vetëm në Gjermani, por edhe në Europë e Shtetet e Bashkuara.
Fitorja mbi nazizmin ishte meritë e të gjithë kombeve antifashiste, por para së gjithash, kontribut i paharrueshëm e i patjetërsueshëm i tri Fuqive të Mëdha: Shteteve të Bashkuara, Britanisë së Madhe e Bashkimit Sovjetik. Lufta i bashkoi në qëllimin e përbashkët për të mposhtur fashizmin, por i rindau pas saj në një luftë tjetër, që u quajt “e ftohtë”. Stalini, bashkëfitimtari i Luftës Antifashiste dhe aleati i përkohshëm i Shteteve të Bashkuara e Britanisë së Madhe në të, rivendosi diktatin dhe metodat diktatoriale të qeverisjes në Bashkimin Sovjetik. Dhe jo vetëm kaq, por shpalosi me fanatizëm ambicie dhe projekte ekspansioniste për të imponuar regjimin sovjetik në shumë zona të tjera të botës. Në librin e ambasadorit Zeneli përshkruhet me shumë objektivitet e realizëm trajektorja staliniste para dhe pas Luftës së Dytë Botërore.
Në fund nuk mund të mos nënvizoj vulën personale të narracionit historik të autorit dhe këtu ai sjell një risi që e ka origjinën në kulturën e tij publicistike. Në libër në shumë raste gjen momente të ndërthurjes të përshkrimit historik me përjetimet personale të tij rreth ngjarjeve vite më vonë e deri në ditët tona. Ai krijon një lidhje organike mes historisë dhe aktualitetit, bën të flasin e shkuara dhe personazhet e saj me kohën e sotme e problemet e saj përmes monumenteve e statujave, muzeve e përkujtimoreve. Dhe kjo ndodh se ai ka akumuluar një kulturë shumë të gjerë të përgjithshme, por edhe gjermane në veçanti. Ndaj, edhe ky libër, si edhe ata paraardhës, janë kontribute shumë të rëndësishme në fushën e kulturës shqiptare. /Panorama