Nga Ana Milosevic& Thomas Bickl “Brussels Times”
Me vetot mbi mosmarrëveshjet dypalëshe para-ekzistuese, synimi strategjik i vendeve kandidate për të hyrë në BE është bërë disi i mjegullt, më pak i besueshëm dhe sigurisht më pak i justifikueshëm si një objektiv për t’ia shitur popullatës.
Me pengesat e papritura që duken pas çdo cepi, vija e finishit po bëhet gjithnjë e më largët, dhe madje ata që deri dje ishin të parët po e humbin ritmin, por bashkë me të edhe durimin e tyre. Zgjerimi i BE-së, është më i prekshëm kur bëhet fjalë për asimetrinë e energjisë që ai përfshin.
Ne e kemi parë këtë model së fundmi, kur Bullgaria anëtare e unionit vendosi veton kundër nisjes së negociatave konkrete me vendet kandidate, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Qeveria në Sofje, mendon se Shkupi nuk duhet të ketë të drejtë që t’a quajë gjuhën e saj maqedonase, me arsyetimin se ajo është një dialekt i bullgarishtes.
Nga ana tjetër,Maqedonia e Veriut duhej të heqë dorë nga pretendimi i saj se ekziston një pakicë maqedonase në Bullgari. Kjo “shuplakë” vjen pak kohë pasi Shkupi arriti të kapërcejë veton greke të vendosur për dekada, për shkak të pretendimeve mbi vendndodhjen e rajonit antik të Maqedonisë.
Bllokimi i rrugës për në BE nga Greqia, e detyroi Shkupit të ndryshojë plotësisht historinë e vendit, duke rrëzua përmendore, riemërtuar sheshe, autostrada dhe aeroporte. Më e rëndësishmja:u ndryshua emri i vetë shtetit për ta zgjidhur mosmarrëveshjen e vjetër, me anë të Marrëveshjes së Prespës së vitit 2018.
Dhe madje presidentit francez Makron, iu pranua kërkesa për një model të ri të negociatave të pranimit në BE në pranverën e këtij viti, përpara se të pranonte çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Për pengesat e ndryshme ndaj vendeve kandidate, ka një histori të gjatë në procesin e pranimit në BE. Italia e sfidoi Slloveninë për masakrat e Foibes në Luftën e Dytë Botërore, dhe internimin e popullatës italiane të Istrias, Dalmacisë dhe Fiumes.
Sllovenia e detyroi Kroacinë të zgjidhte një mosmarrëveshje mbi kufirin shtetëror gjatë negociatave të pranimit të Zagrebit në vitin 2009. Pas një procedure arbitrimi të gjatë, konflikti mbetet i ngrirë i importuar në BE. Vetë Kroacia, sapo ishte bërë një anëtare e unionit, kur vendosi në vitin 2016 veton kundër hapjes së negociatave me Serbinë mbi çështje të tilla si hetimi i krimeve të luftës apo çështja e personat e zhdukur.
Edhe në Bosnjë, interesi i vendit u sabotua vitin e kaluar kur udhëheqësi i Republikës Srpska, vuri veton kundër një marrëveshje paraprake në presidencën e BiH, për t’i bërë thirrje Kroacisë të zgjidhet mosmarrëveshja gjatë mbi qasjen në portin e Neumit.
Çështjet historike dhe ankesat e së kaluarës, janë dëshmuar të jenë një nga pengesat më të rëndësishme të procesit të anëtarësimit në BE. Kjo u bë e qartë pas rënies së komunizmit në Evropë në vitin 1989, kur vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore (EQL) dhe vendet baltike, e rivendosën kujtesën e tyre kombëtare dhe kërkuan njohjen e përvojave të tyre në një nivel transnacional evropian.
Anëtarësimi në BE i vendeve të EQL, nxiti një proces që ne mund ta quajmë si “evropianizim të kujtesës” – ku institucionet e BE dhe përfaqësuesit e tyre u përpoqën t’i zgjidhnin mosmarrëveshjet historike të së kaluarës, duke kërkuar emëruesin më të ulët të përbashkët, me synim nxitjen e një lloj pajtimi dhe uljen e tensioneve.
Megjithatë, a po prodhon ky procesi, një pikëpamje të përbashkët mbi historinë? Studimet e fundit sugjerojnë se ky nuk është rasti. “Evropianizimi i kujtesës” është në thelb jo-transformues, ka efekte afatshkurtra që janë të paqëndrueshme në planin afatgjatë, pasi shtetet evropiane nuk heqin dorë nga monopoli i tyre mbi interpretimin e të kaluarës.
Sa i përket vendeve të Ballkanit Perëndimor, ato që kanë në shumë kohë në “paradhomën” e BE-së, shumë probleme në lidhje me pajtimin, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve bilaterale mbeten thellësisht të politizuara dhe të instrumentalizuara.
Angazhimi i besueshëm i BE-së ndaj Ballkanit, ka ndryshuar përgjatë dekadave nga premtimi për një të ardhme të përbashkët në union, në një perspektivë të bazuar tek merita, e anëtarësimit të bazuar në interesin politik, ekonomik dhe të vetë sigurisë së unionit.
Siç janë punët tani për tani, interesi i përbashkët për të pranuar anëtarë të rinj në klub është zbehur. Ndërsa ushtrimi i pushtetit nga shtetet anëtare individuale mbi kandidatët, vështirë se rezonon me të gjithë vendet tjera, çështjet me rëndësi kombëtare vazhdojnë të kenë përparësi mbi interesin dhe objektivat komunitarë, duke e bërë kësisoj klinikisht të vdekur zgjerimin e BE.
Edhe modeli më i zgjuar i negociatave të pranimit në BE, nuk mund të funksionojë për sa kohë që bisedimet e pranimit po ngarkohen qëllimisht me çështje të pazgjidhura dypalëshe për arsye të brendshme.
Skenari i vetos ka të ngjarë të përsëritet edhe në të ardhmen, pasi anëtarët e rinj do të dëshirojnë të ushtrojnë të njëjtën “të drejtë” në pohimin e pushtetit të tyre, me synim fitimin e lëshimeve nga fqinjët e tyre,që nuk janë ende pjesë e BE-së.
Bashkimi Evropian nuk duhet të jetë një mjet për të mbështetur narrativat e vjetra kombëtare në Ballkanin Perëndimor, por si një mundësi për të parë përpara, dhe për të përqafuar një të ardhme bashkëpunuese në të mirë të të gjithëve.
Burimi i lajmit: https://www.brusselstimes.com/opinion/143241/past-grievances-in-the-western-balkans-must-not-render-eu-enlargement-clinically-dead/
Përshtatur nga TIRANA TODAY