Dita e Falënderimeve (Thanksgiving Day), është një festë kombëtare në Shtetet e Bashkuara, që kremtohet të enjten e fundit të çdo muaji nëntor, dhe këtë herë ajo përkoi më 26 nëntor. Në vitin 1621, kolonët e Plajmauth dhe amerikanët vendas të fisit Uampanoag, festuan bashkë për të korrat e vjeshtës, dhe ajo pranohet sot si një nga festimet e para të Falënderimeve në kolonitë.
Për më shumë se 2 shekuj, kjo ditë u festua nga koloni dhe shtete të veçanta. Vetëm në vitin 1863, në mesin e Luftës Civile, presidenti Abraham Linkoln e shpalli Ditën e Falënderimeve një festë kombëtare, që do të kremtohej çdo nëntor.
Në shtatorin vitit 1620, një anije e vogël e quajtur “Mayflower” u largua nga Plajmauthi në Angli, duke transportuar 102 pasagjerë, mes tyre shumë besimtarë heretikë që kërkonin një shtëpi të re, ku mund të praktikonin lirisht besimin e tyre, por edhe individë të tjerë të joshur nga premtimi i prosperitetit dhe pasjes së tokave në Botën e Re.
Pas një udhëtimi të vështirë që zgjati 66 ditë, ata hodhën spirancën pranë Kejp Kod, shumë më në veri të destinacionit të tyre të synuar në grykën e lumit Hadson. Një muaj më vonë, “Mayflower” kaloi gjirin e Masaçusets, ku Pelegrinët, siç njihen zakonisht tani, filluan punën për themelimin e një fshati.
Gjatë gjithë dimrit të parë në Botën e Re, shumica e kolonëve qëndruan në bordin e anijes, ku vuajtën nga skorbuti dhe shpërthimet epidemike të sëmundjeve të tjera ngjitëse. Vetëm gjysma e pasagjerëve dhe ekuipazhit origjinal të “Mayflower” mbijetuan për të parë pranverën e tyre të parë në Anglinë e Re.
Në mars, kolonët e mbetur u zhvendosën në breg, ku u vizituan nga një amerikan vendas i tribusë Abenaki, që i përshëndeti ata në anglisht. Disa ditë më vonë, ai u rikthye me një amerikan tjetër vendas, Skuanto, një anëtar i fisit Pautukset, që ishte rrëmbyer nga një detar anglez dhe ishte shitur si skllav, para se të arratisej nga Londra, dhe të rikthehej në atdheun e tij me një ekspeditë eksploruese.
Skuanto u mësoi Pelegrinëve, të dobësuar nga kequshqyerja dhe sëmundjet, sesi të kultivonin misrin, si të nxirrnin lëngun nga pemët e panjave, si të zinin peshq në lumenj, dhe i t’i shmangnin bimë helmuese. Ai i ndihmoi gjithashtu kolonët që të hynin në një aleancë me Uampanoag, një fis lokal, paqe që do të rezistonte për më shumë se 50 vjet, dhe mbetet një nga shembujt e vetëm të harmonisë midis kolonëve evropianë dhe amerikanëve vendas.
Në nëntorin e vitit 1621, pasi korrja e parë e misrit nga ana e Pelegrinëve ishte e suksesshme, guvernatori Uilliam Bredford organizoi një festë, duke ftuar një grup amerikanësh vendas, përfshirë shefin e Uampanoag, Masasoit.
Ato mbahen mend “Falënderimet e Para” të Amerikës dhe festivali zgjati për 3 ditë. Pelegrinët e mbajtën festën e tyre të dytë në vitin 1623. Gjatë Revolucionit Amerikan, Kongresi Kontinental caktoi një ose më shumë Ditë Falënderimesh në vit, ndërsa në vitin 1789 Xhorxh Uashingtoni firosi dekretin e parë për kremtimin e Ditës së Falënderimeve nga qeveria kombëtare e Shteteve të Bashkuara.
Në të ai u bëri thirrje amerikanëve, të shprehnin mirënjohjen e tyre për fundin e lumtur të luftës së vendit për pavarësi, dhe ratifikimin me sukses të Kushtetutës së SHBA-së. Edhe pasardhësit e tij Xhon Adams dhe Xhejms Madison, caktuan gjithashtu Ditë Falënderimesh gjatë presidencave të tyre.
Sot në shumë familje amerikane, Dita e Falënderimeve e ka humbur shumë rëndësinë e saj origjinale fetare. Ajo përqendrohet më shumë tek gatimi dhe konsumi i një vakti të bollshëm ushqimor me familjen dhe miqtë.
Edhe pse koncepti amerikan i Ditës së Falënderimeve, u zhvillua në kolonitë e Anglisë së Re, rrënjët e tij mund të gjurmohen në anën tjetër të Atlantikut. Në kohërat e lashta, egjiptianët, grekët dhe romakët festonin dhe bënin flijime për Zotat të tyre, pas të korrave të vjeshtës.
Përshtatur nga TIRANA TODAY