Nga: Mero Baze
Edhe këtë herë Kosova është rikthyer në Shqipëri, vetëm si problem i brendshëm i Shqipërisë. Kurrë si problem i Kosovës.
Këtë radhë është rikthyer prej Lulzim Bashës. Arrestimi i udhëheqjes politike të UÇK-së dhe çuarja e tyre para Gjykatës Speciale, ka hapur një debat të nxehtë politik në Shqipëri, për rolin e Lulzim Bashës dhe disa shqiptarëve të tjerë, pjesëtarë të UNMIK, në dokumentimin e krimeve të luftës në Kosovë dhe përgjegjësia politike e tyre.
Fillimisht kam një thirrje për disa prej kolegëve të mi, që kuptojnë çfarë ka ndodhur, që të kenë mëshirë për ata që jetojnë në Kosovë, kur ju dëgjojnë.
Ata e dinë çfarë ka ndodhur në Krushë të Madhe dhe në gjithë Kosovën. E dinë prej vitit 1999 dhe nuk presin ta mësojnë në vitin 2020, kur po e mësojnë në Tiranë.
Ata e dinë kush ishte UÇK, njohin lavdinë dhe problemet e saj, njohin heroizmin në luftë dhe vandalizmin e disa komandantëve në paqe, njohin fuqinë që i dha betejës për çlirim dhe pasigurinë që krijonin vrasjet politike.
Nuk e njohin prej Lulzim Bashës. E njohin se e kanë jetuar, e kanë votuar, e kanë përqafuar me lotë gëzimi dhe janë përballë me të mirat dhe të këqijat e saj.
Të njohësh Kosovën në Shqipëri, përmes Lulzim Bashës dhe hallit të tij, është fyerje për Kosovën.
Të gjithë pjesëmarrësit në këto debate, ata që sulmojnë Lulzim Bashën, dhe ata që e mbrojnë atë, nuk kanë asnjë koordinatë historike, as politike dhe as faktografike, por kanë fakte dhe dëshmi rastësore, që e vënë Lulzim Bashën në pozitë të vështirë, se është kryetari i Partisë Demokratike në Shqipëri por mbi të gjitha, një njeri i pavërtetë.
Lulzim Basha e ka të shkruar në biografinë e tij në faqen zyrtare të PD-së, se nga viti 1999 ka punuar si faktëmbledhës pranë Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës për ish- Jugosllavinë dhe nga vitit 2002 në UNMIK si ndihmës ligjor, po për hetimet e krimeve të luftës.
Nuk ka nevojë ta detyrojmë ta thotë publikisht këtë, se e ka të shkruar vetë. Turpi i Lulzim Bashës është që nuk përfaqëson dot Partinë Demokratike në këtë debat, por është strukur i kompleksuar dhe nxjerr një tufë idiotësh të mbrojnë punët e tij të djeshme, duke fyer dhe të djeshmen e PD.
Sot del Edi Paloka dhe i qan hallin UÇK-së se po e fyen Edi Rama, pastaj del Lulzim Basha dhe përfshihet në fushatën e UÇK-së, “Liria ka emër”, herë lavdëron Albin Kurtin e herë Isa Mustafën, herë mburret që ka votuar rezolutën në Strasburg për raportin e Dick Marty-t, e herë thotë që ato ishin shpifje të Serbisë.
Lulzim Basha nuk ka qëndrim politik për aktin e Gjykatës së Hagës, siç ka Edi Rama apo Sali Berisha, njëri kundër e tjetri pro. Ai përpiqet t’i iki qëndrimit politik, sikur të jetë kryetar i Gjykatës së Hagës, dhe jo kryetar i PD-së në Shqipëri.
Gjithë problemi që ka Lulzim Basha dhe që po prodhon kaq zhurmë në Shqipëri, nuk është Edi Rama dhe as provokimi i këtij debati nga media, por fakti që Lulzim Basha është tipi i politikanit, që opinioni publik nuk e beson çfarë thotë.
Ai po degradohet në këtë debat, pasi nuk mbron dot as historinë e vet, as historinë e Partisë Demokratike.
Partia Demokratike, kur ai ka qenë emigrant dikur, ka pasur qëndrime të qarta kundër UÇK-së dhe vrasjeve politike në Kosovë. Berisha ka bërë dosjen e vrasjes së Ahmet Krasniqit, dhe e ka bërë publike.
Vetë Basha dhe ekipi i shqiptarëve të UNMIK, kryesisht të familjes së Berishës, kanë punuar në këtë frymë dhe në UNMIK.
Problemi është a ke gjunjë të mbrosh partinë që përfaqëson dhe të kaluarën tënde a jo? Kaq vlen ky debat. Pjesa tjetër është marketing politik.
Berisha po i qëndron të shkuarës së tij pa asnjë kompleks, edhe pse e di që nuk është moment popullor. Nëse je kundër asaj që ka bërë PD dhe Berisha, mund ta reformosh atë qëndrim dhe ta pranosh si gabim.
Lulzim Basha e ka humbur këtë betejë, pasi ai do të jetë pak si UÇK, pak si Albin Kurti, pak si Isa Mustafa, pak si Sali Berisha, pak si Ilir Meta, që nga UÇK njeh hero vetëm vëllain e Ramushit, dhe pak si Edi Rama me slloganin “Liria ka emër”.
Dhe përfundimi është që, përveçse është bërë copë nga kjo histori, ka fyer rëndë dhe Kosovën në sytë e opinionit publik, nga nxitja e debateve qesharake në studio, nga çudia që shpreh zonja Eni, që në Kosovë ka pas krime lufte, nga lehtësia me të cilën Fevziu e shpjegon historinë e UÇK-së, si histori që ka nisur kur ai ka takuar Hashimin etj.
Pra Lulzim Basha, përveçse është telendisur për vete, po telendis dhe Shqipërinë në sytë e Kosovës, pasi po u tregojmë atyre që na shikojnë e lexojnë andej, se sa pak i njohim, sa pak dimë për krimet në Kosovë, dhe sa lehtë bëjmë zhurmë për gjëra që atyre u vjen për të qeshur.
Njësoj si ata kur flasin për Enver Hoxhën apo “rebelët” e ’97, që në vend që të të shkaktojnë mornica, të shkaktojnë të qeshura.