Franca ka paralajmëruar qytetarët për sulme të reja. Sinjalet e para ishin pas sulmit islamik në Nicë i cili shkaktoi tre të vdekur, e ndërsa autoritetet tashmë i frikësohen sulmeve të tjera në masë.
Presidenti Macron kishte njoftuar më herët se njësia kundër-terrorizmit e ushtrisë, do të shtohet nga 3.000 në 7.000 persona. Forcimi i masave të sigurisë lidhet me kërcënimet dhe protestat masive kundër Francës në vendet myslimane.
“Kërcënimi është kudo”, tha Ministri i Jashtëm francez Jean-Yves Le Drian, pas një takimi të kabinetit të sigurisë të kryesuar nga Presidenti Emmanuel Macron.
“Hapi nga urrejtja virtuale në dhunën e vërtetë është i vogël”, tha Le Drian. Parisi ka udhëzuar misionet diplomatike jashtë vendit që të forcojnë masat e sigurisë.
Ditën e enjte, ish-kryeministri i Malajzisë, Mahathir Mohamad, e quajti si të ligjshme “vrasjen e miliona francezëve”. Ai e justifikoi këtë me “masakrat” franceze të epokës koloniale. Nën presionin e qeverisë franceze, Twitter-i i fshiu mesazhet e shkurtra të Mahathir Mohamadit.