Nëse pyesni shumicën e grave se si reagojnë të afërmit, partnerët dhe miqtë e tyre meshkuj kur janë të sëmurë, ato shpesh do t’ju thonë: ”Ai sillet si një foshnje”, ose “E ekzagjeron aq shumë”. Por kjo sjellje mund të ketë pas një shpjegim biologjik.
I quajtur “gripi i burrit”, kjo dukuri është vërtetuar në një përmbledhje të studimeve të mëdha epidemiologjike të botuara më herët, si dhe tek studimet e gripit tek kafshët. Në këto studime, meshkujt rezultonin të ishin të sëmurë më gjatë në kohë, me simptoma më të rënda dhe kishin një reagim më të dobët ndaj vaksinimit.
Edhe testet laboratorike me kafshë të infektuara me virusin e gripit, nënvizojnë faktin se ekzistojnë ndryshime me bazë gjinore në përgjigjen imune, e cila ndikon në rezultatet që vërehen njerëzit. Por a janë këto simptoma dhe rezultate më të rënda unike për të ftohurën dhe gripin?
Studimet kanë zbuluar se raportet mbi normat e infeksionit SARS-CoV-2, janë të ngjashme midis meshkujve dhe femrave. Por meshkujt janë më të rrezikuar për të pasur simptoma të rënda nga Covid-19, si dhe për të vdekur. Në fakt, një studim zbuloi se burrat kanë 2.4 herë më shumë gjasa të vdesin nga koronavirusi i ri.
Bazuar në të dhënat nga Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në SHBA (CDC) deri në 5 tetor, rreziku i vdekjes nga Covid-19 tek burrat e moshës 30-49 vjeç, ishte më shumë se dyfishi i femrave. Një raporti i fundit shkencor i botuar në “Nature”, shpjegon sesi meshkujt dhe femrat reagojnë ndryshe ndaj COVID-19.
Studimi në fjalë, ekzaminoi mostrat duke përfshirë sekrecionet e hundës, pështymën dhe gjakun, të cilat ishin mbledhur nga individë të shëndetshëm ose pacientë me Covid-19. Këto mostra u përdorën për të kuptuar më mirë se si duket përgjigja imune ndaj infeksionit, dhe si ndryshon tek njerëzit me simptomat më të rënda.
Ngjashëm me të dhënat e CDC mbi normat e infeksionit, nuk u vërejt asnjë ndryshim gjinor në përqendrimin e virusit apo sasinë e virusit të pranishëm, as në sekrecionet e hundës apo në pështymë. Nuk kishte gjithashtu as ndryshime në nivelet e antitrupave – një sinjal që trupi e ka identifikuar virusin – zbuluar tek burrat dhe gratë e infektuara.
Por autorët e studimit, identifikuan ndryshime të mëdha gjinore gjatë reagimit të hershëm imunitar, që ndodh menjëherë pasi dikush infektohet me virusin SARS-CoV-2. Mostrat e gjakut u analizuan për një shumëllojshmëri të citokinave – disa nga molekulat e para të sinjalizimit që i ndihmojnë qelizat imune të reagojnë ndaj patogjenëve.
Nivelet e këtyre sinjaleve, ngrihen dhe bien për të siguruar një përgjigje adekuate për të luftuar një patogjen pushtues. Por sasi të mëdha të këtyre molekulave, mund të dëmtojnë rëndë trupin. Ky është rasti në një “stuhie të citokinës”.
Autorët e raportit në ”Nature”, vunë re ndryshime gjinore në fuqinë e përgjigjes së citokinës. Burrat treguan nivele më të larta të citokinave që shkaktojnë inflamacion, si IL-8 dhe IL-18, sesa gratë. Sasi më të larta të këtyre citokinave, janë të lidhura me simptomat më të rënda. Në raste të rënda të COVID-19, lëngu grumbullohet në mushkëri, duke e zvogëluar oksigjenin e disponueshëm në trup për funksionet normale. Kjo mund të çojë në dëmtime të indeve, shok dhe potencialisht në dështimin e organeve të shumta.
Përveç ndryshimeve gjinore në nivelet e citokinës, autorët zbuluan edhe ndryshime të tilla edhe në funksionin e qelizave imune. Krahasuar me burrat, gratë kishin një numër më të lartë të qelizave T – thelbësore për eliminimin e virusit – që aktivizoheshin dhe ishin të gatshme t’i përgjigjeshin infeksionit SARS-CoV-2.
Burrat me nivele më të ulëta të këtyre qelizave T të aktivizuara, kishin më shumë të ngjarë të kishin një formë të rëndë të sëmundjes. Kështu, ka disa aspekte të reagimit imunitar të njeriut ndaj SARS-CoV-2 që ndryshojnë midis burrave dhe grave. Kuptimi i këtyre ndryshimeve, mund t’i orientojë mjekët si t’i trajtojnë pacientët, dhe mund t’i ndihmojë studiuesit të zhvillojnë terapi specifike sipas gjinisë.
Këto rezultate, bien ndesh me spekulimet se ndjeshmëria e meshkujve ndaj infeksionit SARS-CoV-2, është më e madhe për shkak të sjelljeve të tyre më të rrezikshmes. Këtu përfshihet minimizimi i seriozitetit të virusit, bashkimi në tubime të mëdha dhe injorimi i udhëzimeve për distancimin social, si dhe norma më të ulëta të larjes së duarve dhe mbajtjes së maskave.
Përkundrazi, nivelet e infektimit janë në fakt të ngjashme midis meshkujve dhe femrave, ndërsa meshkujt janë më të rrezikuar nga simptomat më të rënda me Covid-19, duke sugjeruar ndryshime biologjike në përgjigje të infeksionit.
Ky studim, sugjeron se meshkujt mund të kenë nevojë të jenë respektues më të rreptë të distancimit social, të larjes së duarve dhe mbajtjes së maskave. Respektimi më i madh i rregullave mbrojtëse, veçanërisht tek burrat, jo vetëm do të zvogëlojë rrezikun e infektimit, por do të zvogëlojë rrezikun e tyre të rritur të simptomave më të rënda apo edhe vdekjes nga Covid-19.
Burimi i Lajmit: https://theconversation.com/why-males-may-have-a-worse-response-to-covid-19-146379
Përshtatur nga Tirana Today