Prof. Dr. Arben Malaj
Eshtë e qartë, futbolli është më shumë sesa thjesht një sport kështu konkludohet kur analizohen efektet pozitive të këtij sporti kaq popullorë. “Vlera e mos përdorimit” – mat humbjet direkte dhe indirekte kur ekipet sportive profesionale mungojnë në qytete të ndryshme.
Për ta thjeshtëzuar të kuptuarit sa më lehtë të efekteve të “vlerës së mos përdorimit” të sporteve, mjafton të krahasoni ndjesitë krenare të vlonjatëve gjatë periudhave të kulmit të sukseseve të “Flamurtari-t” me yjet e tij si Mehxhit Haxhiu, Agron Sula,Vasil Ruci, Kreshnik Cipi, Sokol Kushta, Taho, Zijai, Gjondeda, Iljadhi dhe shumë të tjerë, por edhe sinergjinë pozitive në të gjitha sportet në Vlorë në atë periudhë siç ishte ekipi i basketbollit të meshkujve me yje si Viktor Papavangjel, të yjeve të basketbollit femra të trajnerit të talentuar Petrit Stefa si Ruci, Kuqi, Cika, Leli dhe Merkaj. Sukseset e ekipit të volejbollit me talentin Todi Driza. Rekordet në not të Skandinald Shytit dhe Elida Xhindit, të kampionit të peshëngritjes Hysen Cenaj dhe të mundësve të pamundshëm vellezërve Niko dhe Pirro Zguro.
Sot Vlora dhe shumë qytete në Shqipëri vuajnë nga “vlera e mos përdorimit të sportit” për ti bërë qytetet sa më dinamike dhe qytetarët e tyre krenarë dhe të lumtur. Mungesa e ekipeve sportive po i bëjnë qytetarët të plogësht dhe qytetet e fshatrat rreth tyre të zbehta. Vlera e mospërdorimit të sportit nëpermjet reduktimit të efektit multiplikator pozitiv ndikon në uljen e konsumit dhe investimit privat. Pa aktivitete sportive qytetet dhe zonat ruraleve janë të varfra shpirtërisht, emocionalisht dhe ekonomikisht. Që në fillim duhet theksuar se shëndeti dhe sporti janë pjesë e të mirave publike të një vendi. Në kohën e pandemisë sportet kanë marrë akoma më shumë rëndësi në strategjitë kombëtare anti covid- 19, për të reduktuar pasojat negative sidomos ato në shëndetin mendorë.
Sipas studimeve të “Ekonomiksit të Futbollit”, ekipet profesioniste vazhdojnë të formojnë pjesë të trashëgimisë kulturore dhe sentimentale të qyteteve dhe ekipeve kombëtare, të cilat vazhdojnë të zgjojnë pasione. Ato/ekipet mund të konsiderohen një tjetër simbol kombëtar”.
A nuk u kthye në krenari kombëtare përfaqësimi dinjitoz i kombëtares tonë të futbollit në kampionatin Evropian? A nuk kishte më shumë gëzim, krenari por edhe shpenzimeve në sheshet festuese kur kombëtaria jonë konkuronte sukseshëm në takimet ndërkombëtare? A nuk ishin më të gjalla kudo sheshet, qytetet dhe gjithë Shqipëria kur kishte takime sportive të kombëtares tonë por edhe të ekipeve tona në takime ndërkombëtare? Shikoni si gjallërohen edhe zonat më të varfra të vendit kur aty zhvillohen takime sportive dhe si venitet këto qytete kur klubet dhe aktivitetet sportive mungojnë.
Ja përse vlera e munguar e aktiviteteve sportive nuk është një çështje thjeshtë e Ligës së futbollit por një prioritet kombëtarë në strategjinë kombëtare të shëndetit publik për rritjen e masivizimit të sporteve jo vetëm në qytetet kryesore të Shqipërisë por edhe në cdo lagje e fshat. Shkalla e implementimit të strategjive kombëtare të sportit ka disa tregues të krahasueshëm me vendet e tjera në të cilët vendi ynë paraqitet keq ose shumë keq. Modeli Islandës për investimin e asaj afat-gjatë për masivizimin e sportit dhe treguesit e rritur për numrin e sportistëve, klasave, fushave sportive dhe efektin pozitiv zinxhirë në kombëtaren e tyre janë modele të implementueshme edhe për Shqipërinë.
Për peshën e madhe dhe efektet pozitive zinxhirë jo vetëm në sport që ka futbolli ka edhe studime të mirëfillta shkencore. Ekonomiksi i futbollit qartëson se natyra e ndikimeve të matshme, por të pa parashikuara të ekipeve sportive profesionale në mirëqenien e qytetarëve, përcaktohet nga vlera e përfitimeve jomateriale ose indirekte që burojnë nga prania e një ekipi futbolli për banorët në qytetin pritës dhe në zonën metropolitane”. Pikërisht ky këndvështrim i ri ( vlera e mos përdorimit) kërkohet të mbahet parasysh në debatin aktual për kërkesat zyrtare të Ligës së Futbollit, por jo vetëm për futbollin. Lidhur kërkesat e Ligës së Futbollit, duhet qartësuar thelbi se dëmtimi i zinxhirit të aktiviteteve sportive dhe heshtja përballë pamundësisë së të gjitha klubeve profesioniste për të mbijetuar pa një rishikim të strategjisë kombëtare të sporteve, politikave nxitëse, mbështetëse dhe burimeve potenciale financiare të qëndrueshme, gjeneron pasoja negative dhe dëmton rëndë sinergjinë pozitive të deritanishme të futbollit në jetën e qyteteve dhe tek sportet e tjera. Një vlerësim profesional për katër kërkesat :
- Ulja e TVSH-së në 6 %– Direktiva e BE për TVSH e mirëkupton uljen e TVSH për arsimin dhe shëndetësinë ku përfshihet edhe sporti. Nqs nuk aplikohet një tvsh e reduktuar – mundet që bazuar në të dhënat disa vjecare të klubeve, qeveria të “kompesoj” këtë shumë në krahun e rritjes së investime;
- Përjashtimi nga tatim i të ardhurave i futbollistëve– për kredibilitetin publik te futbollistëve ata duhet të mos kërkojnë një përjashtim të tillë. Shumë tifoze të tyre të pasur shpirtërisht nga ekipet e tyre të zemrës edhe pse të varfër, paguajnë tatim mbi të ardhurat e tyre të mbijetesës
- Falja e detyrimeve të prapambetura të klubeve sportive është një kërkese e drejtë dhe lehtësisht e aplikueshme si për cdo kompani publike e private. Ndërsa ristrukturimi i borxheve duke i shtrirë më gjatë në kohë, është një e drejtë e cdo biznesi dhe jo një lëmoshë qeveritare;
- Ligji i sponsorizmit – në kushtet kur sponsporizimi është aktualisht kryesisht burimi i vetëm i mbështetjes së klubeve ai duhet të përshtatet me modelet më të mira evropiane si pjesë integrale e strategjisë kombëtare të masivizimit të sporteve. Qeveria duhet të bashkëpunoj me federatat jo me një status të privilegjur mbi ta, por si një prej aksionerëve më të mëdhenj në implementimin e suksesshëm të strategjisë së sportit, për ta nxitur dhe masivizuar sportin që nga fushat e lagjeve e fshatrave deri tek ekipet e ligave sportive dhe ekipet kombëtare.
- Ligji i ri i sponsorizimeve duhet te jete sa më fleksibël dhe të krijoj një lidhje të fortë pozitive midis sponsorizmit dhe qëndrueshmërisë financiare të klubeve (jo vetëm të futbollit) për aq kohë sa burimet e tjera, jo për faj të klubeve janë të pa pakta, të luhatshme dhe një pjesë spontane.
Burime të tjera financiare duhen identifikuar bazuar në eksperiencat e sukseshme të vendeve të tjera. Duket se kriza aktuale midis Ligës dhe qeverisë nuk po zgjidhet, jo për shumën e parave që direkt ose indrekt mund të alokohen për sportet por për mentalitetin e gabuar të politik-bërësve që nuk arrijnë ta kuptojnë ose e nënvleftësojnë efektin e shumë-fishuar pozitiv të cdo investimi nga buxheti për sportet.
Një mbështetje më e qartë, e plotë dhe jo vetëm financiare për sportet si pjesë e një kulturë kombëtare mund të ndihmoj një pjesë gjithnjë e më të madhe të popullates të jenë më të shëndetshëm përballë pandemive dhe semundjeve vdekje-prurëse ne rritje që ju kushtojnë shumë rëndë buxheteve familjare dhe taksapaguesve shqiptarë.
Parandalimi është strategjia më e mirë. Një lek i investuar për parandalim vlen 1 milion lekë kursim nga ulja e shkalles se përhapjes dhe kostove të sëmundjeve. Federatat sportive duhet të jenë kanalet e rëndësishme për implementimin e strategjive parandaluese në shendetin publik. Pa adrenalinën që krijojnë ekipet profesionale, strategjia e masivizimit të sporteve si pjesë e rëndësishme e përmiresimit të shwndetit publik rrezikon të dështoj.