Rusia është vendi i parë në botë që miratoi një vaksinë kundër COVID-19.
Vaksina e quajtur “Sputnik V” u miratua në një afat të shkurtër kohor dhe kjo ka sjellë skepticizëm nga ana e komunitetit shkencor mjekësor për sigurinë e vaksinës.
Vetë presidenti rus, Vladimir Putin doli në një deklaratë ku garantoi sigurinë e vaksinës duke thënë se një nga vajzat e tij ishte vaksinuar. Tashmë, kreu i Kremlinit ka bërë një tjetër lëvizje që synon promovimin e vaksinës ruse, teksa i ka ofruar falas stafit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) një dozë nga “Sputnik V”.
“Çdokush nga ne mund të përballet me këtë virus të rrezikshëm. Virusi nuk ka kursyer stafin e Kombeve të Bashkuara, selinë e tij dhe entitetet rajonale. “Rusia është e gatshme t’u ofrojë punonjësve të OKB ndihmën e nevojshme dhe të kualifikuar, dhe në veçanti ne propozojmë që t’iu furnizojmë falas me vaksinën tonë”, tha Putin gjatë fjalës së tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.
Ai theksoi se oferta ishte e vlefshme për çdo punonjës të OKB-së që ka dëshirë të vaksinohet.
OKB-ja e falenderoi Putinin për “ofertën bujare”, duke theksuar se do ta vlerësojë këtë ofertë në një moment tjetër.