Për Ish-Ministrin e Drejtësisë, Ylli Manjani, ngrehina e Republikës në vendin tonë është e kalbur dhe që të ndërtojmë një shtet të qëndrueshëm dhe të fortë, kjo ngrehinë duhet shembur nga e para.
Përmes një postimi në Facebook, Manjani shkruan se nevoja më e madhe që ka Shqipëria, është që të ketë një shtet jo partiak.
Ai mbështet propozimn e kreut të Partisë Demokratike Lulzim Basha, për kufizimin e mandatit në dy të tilla për personin që do ushtrojë funksionin e kreut të qeverisë.
Manjani paralelizon këtë propozim, me ligjin që zbatohet në SHBA, teksa thotë amerikanët nuk janë budallenj që nuk e lejojnë Presidentin në zyrë më shumë se dy mandate.
Postimi i Manjanit në Facebook
Nevoja për shtet jo partiak është më e madhja që kemi
Jam krejt dakort me ato pika që parashtroi Lulzim Basha, përgjatë prezantimit të Tij si kandidat për Kryeministër.
Taksa e sheshtë 9%; ekonomi konkurruese antimonopol; mbyllje të praktikave pa hesap të PPP e koncensione; prona private e të gjitha këto janë tema që nuk ka përse të mos mbështeten parimisht. Mbetet për t’u parë se si konkretisht do realizohen, por në parim unë i mbështes.
Mirëpo ngrehina e kalbur e Republikës sonë ka rënë. Është shembur dhe duhet ngritur nga e para. Natyrshëm, ka më shumë gjëra për të bërë. Shuuuuuuumë më tepër.
Reforma e pushtetit që mund të kulmojë me tranformimin e Parlamentit në dy dhoma është interesante. E domosdoshme madje sepse mund ti hapte rrugë më shumë demokracisë por pa cënuar vazhdimësinë dhe cilësinë qeverisëse.
Edhe kufizimi i mandatit të një personi që kryen detyrën e Kryeministrit (pra jo më shumë se dy mandate) e kam propozuar herët si ide dhe sot veç e mbështes me shumë qejf realizimin e saj. Amerikanët nuk janë budallenj që nuk e lejojnë Presidentin në zyrë më shumë se dy mandate.
Mirëpo na duhet të ndërtojmë shtetin JO PARTIAK. Që të jem i qartë shtet konsideroj ekskluzivisht këto institucione:
- Gjykatat,
- Prokurorinë,
- Policinë,
- Ushtrinë,
- Burgjet,
- Inspektoriatet,
- Shkollat e të gjitha niveleve, universitetet dhe institucionet edukuese e shkencore
- Spitalet dhe institucionet e shëndetit publik e qëndrat shëndetësore.
- Kadastrën, administratën që ofron shërbime publike, audituesit dhe punonjës të shërbimeve mbështetëse.
- Entet Rregullatore dhe institucione të tjera mbikqyrëse.
- Institucionet financiare dhe fiskale.
- INSTAT dhe shërbime publike të informimit.
- Shërbimi diplomatik.
Në të gjitha këto institucione PARTITË POLITIKE NUK KANË PUNË. As emërojnë njerëz në to e as përcaktojnë axhendën e tyre.
Partitë kur marrin pushtetin hartojnë politika të cilat i normojnë në formë aktesh. Aktet kur kalojnë testin e legjitimitetit nga Gjykata, zbatohen nga administrada.
Por asnjë parti nuk drejton e emëron administradën. Në këtë kuptim them që partitë nuk kanë asnjë punë.
Po asnjë punë fare!
Kjo është kryereforma që na çon drejt ndërtimit të shtetit të ri, krejt i ndryshëm nga sa jemi mësuar deri më sot.
Por kjo kërkon si fillim 2 vendime emergjente:
- Lejimi e plotësimit të vakumeve në sistemin e drejtësisë.
- Shpalljen e mosnjohjes e mos zbatimit të të gjitha ligjeve që ka miraruar parlamenti monist i dy viteve të fundit.
Nuk bëhet dot shteti jo partiak me ligjet e njërës parti!
Kuptohet, nëse qëllimi është ndërtimi i shtetit jo partiak.
Sigurisht detaje rreth kësaj teme ka plot, por për mua ndërtimi i shtetit jo partiak është ajo që të gjithë pa përjashtim kemi nevojë.
Pa shtet pushteti bën qejf. Këtë mësim besoj e kemi mësuar.
Kush do të bëjë dallimin politik, duhet të punojë për ndërtimin e shtetit dhe për ta ndarë atë nga punët e pushtetit të partive.
Përndryshe, skenari hajde të marrim pushtetin e ta ndajmë është film që njerëzit e kanë parë…
https://www.facebook.com/permalink.php?story_fbid=1023435301434243&id=100013033472627