Në Tiranë, bënë sot betimin 8 anëtarët e Kolegjit të ri Zgjedhor, të cilët do të trajtojnë ankesat e partitë gjatë zgjedhjeve.
E veçanta e këtij Kolegji është se të gjithë pjesëtarët janë gjyqtarë, të cilët sapo kaluan me sukses procesin e vetingut, dhe vlerësohen si persona me besueshmëri, pastërti dhe aftësi të larta profesionale.
Ndërkohë, janë duke u bërë edhe përgatitje të tjera për procesin e ardhshëm zgjedhor.
Të tetë anëtarët e rinj të Kolegjit Zgjedhor u zgjodhën dy ditë më parë me short publik në mjediset e Këshillit të Lartë Gjyqësor.
Ata sapo kanë kapërcyer me sukses procesin e vlerësimit kalimtar, ose i njohur si vetingu, duke u vlerësuar për aftësitë profesionale, pastërtia e figurës dhe besueshmëria.
Drejtuesja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Naureda Llagami, tha në ceremoninë e betimit se detyra nuk është aspak e lehtë dhe pritshmëritë e qytetarëve janë të larta për të garantuar zgjedhje të lira dhe të rregullta.
Përgatitje të shumta po vazhdojnë edhe në institucione të tjera për të ngritur dhe garantuar një process të rregullt zgjedhor.
Parlamenti po ngre një komision të posaçëm, që do të zgjedhë anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve sipas strukturës së re, që u ra dakord mes partive më të mëdha në Këshillin Politik në marrëveshjen e 5 qershorit.
Nga shumica socialiste u propozua si anëtar Damian Gjiknuri dhe dy të tjerë, nga Partia Demokratike e opozitës u paraqit Oerd Bylykbashi.
Gjiknuri dhe Bylykbashi janë pjesëtarë të Këshillit Politik nga partitë kryesore konkurrente dhe dy nga autorët më të rëndësishëm të reformës zgjedhore.
Ndërsa nga grupet e deputëve brenda parlamentit Edmond Stojku dhe Myslim Murrizi. Ky komision po plotësohet dy ditë para se të skadojë afati për ngritjen e tij.
Parlamenti shpalli në fund të gushtit garën për vendet e lira në KQZ-në e re dhe 18 shtatori është afati i fundit, që kandidatët të aplikojnë për t’u bërë anëtarë të Komisionit të Zgjedhjeve.
Veprimtarë të shoqërisë civile kanë shprehur dyshimet e tyre mbi kriteret e vendosur për t’u bërë anëtar i KQZ-së.
Sipas tyre, këto kritere ngushtojnë mjaft rrethin e njerëzve, që mund të kandidojnë për postet në KQZ, duke penguar shumë profesionistë të tjerë, që përfshihen në këtë proces.
KQZ me mirëkuptimin e palëve sipas marrëveshjes së 5 qershorit dhe afati i fundit që ai të jetë plotësuar me anëtarët e rinj është 19 tetori. /VOA