Terroristi nga Taxhikistani, Komron Zukhurov është ekstraduar drejt Gjermanisë. 24-vjeçari ishte në kërkim ndërkombëtar nga Gjermania, por prej kohësh strehohej në Shqipëri.
Ai është arrestuar në Tiranë më datën 30 prill, pasi drejtësia gjermane kishte lëshuar një urdhër-arresti ndërkombëtar për të. I riu akuzohet për veprën penale “Pjesëmarrje në një organizatë të huaj terroriste”, dhe dyshohet se është anëtar i një celule terroriste, që kryen veprimtari në emër të ISIS.
Raportohet se gjatë prangosjes, 24 vjeçari ka qenë dakord me kërkesën e Prokurorisë për ekstradim, por ka kërkuar që të mos ekstradohet në Taxhakistan me argumentin se i cënohej jeta.