Së fundmi është zbardhur shkresa e KLGJ-së drejtuar Ardian Dvoranit, ku argumentohet se përse u deklarua e përfunduar detyra e tij në Gjykatën e Lartë.
KLGJ vlerëson se asnjë nga tre anëtarët e rinj të Gjykatës së Lartë nuk e zëvendëson nominalisht Dvoranin, por secili prej tyre është emëruar për një mandat 9-vjeçar.
Por, nga ana tjetër, në situatën kur të tre po ushtrojnë detyrën dhe kur edhe për vendin e katërt nga juristët e spikatur ka nisur procedura e plotësimit, pa asnjë mëdyshje çon në përfundimin e detyrimit të Dvoranit për të qëndruar në Gjykatën e Lartë.
KLGJ vlerëson se prania e gjyqtarit të katërt në Gjykatën e Lartë nga juristët e spikatur, kur tre të tjerë janë emëruar nuk sjell dhe as garanton funksionimin normal të kësaj gjykate në lidhje me gjykimin e çështjeve nga trupa 5-anëtarëshe apo në Kolegje të Bashkuara.
Po ashtu, sipas KLGj, prania e gjyqtarit të katërt nuk sjell dhe as garanton funksionim të shtuar të kësaj gjykate në raport me praninë e vetëm tre gjyqtarëve.
Në përfundim të shkresës, KLGJ i jep një jave kohë Dvoranit, sipas ligjit, për të shprehur interesin e tij me shkrim në Këshill për t’u emëruar si gjyqtar në një Gjykatë Apeli, shkruan “A2”.